Ekspertët diskutojnë mbi vizionin e Lëvizshmërisë Urbane në Tiranë

Oct 7, 2019 | 16:17
SHPËRNDAJE

Përfaqësues të institucioneve publike, akademikë, ekspertë dhe grupe interesi zhvilluan një diskutim mbi të ardhmen e lëvizshmërisë urbane në Tiranë dhe politikat që duhet të udhëheqin Planin e Parë të Qëndrueshëm të Lëvizshmërisë Urbane (SUMP). Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se një nga sfidat është marrja e vendimeve lidhur me transportin alternativ, me qëllim uljen e ndotjes. Sipas tij, në Tiranë sot janë 800 mijë segmente që përshkohen çdo ditë me automjete, por gjysma e tyre janë më pak se 1 km, të cilat mund të bëhen lehtësisht me transport urban, lëvizje në këmbë ose me biçikletë.

Për të rritur lëvizshmërinë me mjete alternative dhe uljen e përdorimit të makinës, Bashkia e Tiranës po i kushton vëmendje të theksuar korsive të biçikletave. Veliaj tha se përkundër skeptikëve, përdorimi i biçikletave dhe ndërtimi i korsive është edhe çështje kulture. “E them shpesh: sfida më e madhe për një kryetar bashkie nuk janë qindra kilometra asfalt, bulevardet apo pemët; janë 10 centimetra në kokën e secilit. Deri sa të shkojmë në një plan përfundimtar të qëndrueshëm për mobilitetin, do të duhet që të përfshijmë edhe komunikim”, shtoi ai, duke sjellë në vëmendje shembullin e Holandës, e cila vite më parë u përball me problemin e makinave e më pas, promovoi përdorimin e biçikletës.86f1c9b7-e568-4d29-9f00-4a1f0e2b16d5

Një nga vendimet e rëndësishme të marra nga Bashkia e Tiranës në fushën e transportit është edhe kalimi tek flota e taksive elektrike. Veliaj tha se pas suksesit me taksitë, Tirana është në pritje edhe të autobusëve elektrikë. “Jemi në pritje të autobusëve elektrikë. Ne nuk subvencionojmë asnjë qindarkë për taksitë elektrike, ama vetëm duke ndryshuar rregullat e burokracisë, kemi ndryshuar situatën, ku tashmë ka 5 kompani që ofrojnë shërbim elektrik me taksi, me një çmim fillestar më të ulët për kilometër. Pra, taksia elektrike e merr licencën menjëherë, kurse një taksi me naftë do duhet të presë radhën derisa dikush tjetër të lirojë një liçencë pasi del në pension ose ikën nga ky lloj biznesi”, nënvizoi ai.

Kryebashkiaku theksoi se ka ardhur koha për demokratizimin e buxheteve dhe për një politikë të re. “Një sfidë e tretë, që do të doja ta adresonim ka të bëjë me demokratizimin e planifikimit urban. Që do të thotë: edhe pse kemi 200 mijë makina në Tiranë, ato janë vetëm 20% e popullsisë. Taksat me të cilat bashkia bën investimet, vilet njësoj për të gjithë. Paguan taksa edhe ai që ecën në këmbë, edhe ai që është me autobus, edhe ai me makinë. Atëherë do të duhet që të fusim në këtë diskutim edhe koeficientet se si do të demokratizojmë buxhetet tona”, u shpreh ai.

“Vizioni për Tiranën drejt vitit 2030” do të jetë një përshkrim cilësor i një të ardhme të dëshiruar urbane. Ky vizion do të shërbejë si një moment drejtues për procesin e mëtejshëm të planifikimit SUMP dhe siguron bazën për hapat pasues, si: përcaktimi i objektivave strategjikë, synimeve dhe masave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura