Eksperimenti/ Katër lojtarë për një fanellë titullari, Interi bën sot prova teknike edhe për… Liverpulin

Dec 22, 2021 | 12:48
SHPËRNDAJE

Sot Interi do të ketë testin e fundit të këtij viti, ndërsa do të presë në shtëpi Torinon. Por ndërsa zikaltrit janë të qetë sepse ndjekësit e tyre më të afërt janë 4 pikë larg, mungesa e Barelës mund të trazojë deri diku ujërat.

INTER 1

Gjithsesi, në “Apiano Xhentile” po përpiqen të shikojnë anën pozitive, pasi mesfushori e ka të sigurt edhe mungesën në ndeshjen e parë me Liverpulin dhe kështu Simone Inzagi do të ketë mundësinë që me torinezët të realizojë eksperimentin e tij, që do ta lejojë të bëjë zgjedhjet e duhura në sfidën me ishullorët, ku e fundit gjë që duan italianët është të shkojnë të papërgatitur. Fatmirësisht, për zikaltrit opsionet për të shoqëruar Çalhanoglunë e Brozoviçin në mesfushë janë të shumta, edhe pse jo aq cilësore sa numri 23.

GALJARDINI – Roberto duket se deri më tani është i pari në hierarkinë e alternativave. Ish-lojtari i Atalantës ka shënuar 2 gola, e ka nisur 3 herë si titullar dhe numëron më shumë minuta të luajtura se të tjerët (332). Në fushë sjell fizik, mbështetje e madje edhe depërtim deri në zonën kundërshtare, me të cilat ka fituar besimin absolut të Inzagit që pritet ta aktivizojë me Torinon. Ajo që nuk ka korrigjuar akoma janë faullet e shumtë dhe fakti që ende nuk ka realizuar një driblim e ndaj Pobegës dhe Lukiçit në mbrëmje pritet betejë.

VIDAL – Ndërsa Galjardini është i preferuari në kampionat, duket se eksperienca e Arturo Vidalit mund të ndikojë që të jetë ai i zgjedhuri ndaj Liverpulit. Akoma nuk e ka luajtur ndeshjen e tij të parë si titullar, por sa herë që thirret lë gjithçka në fushën e lojës. Në 270 minutat e tij është ai që dominon gjysmëfushën kundërshtare me 105 pasime, 21 rikuperime topi dhe 6 dyluftime të fituara. Ajo që peshon ama është mosha sepse me 34 vite mbi shpinë nuk mund të luajë dot 90 minuta optimale, por akoma mund të garantojë shumë grintë dhe shpirt luftarak në mesfushë.

SENSI – Lojtari më teknik i repartit po paguan dëmtimet e shumta. Italiani ka luajtur vetëm 180 minuta, por në raport me to ka krijuar më shumë raste se pjesa tjetër me 3 të tillë dhe ka kryer me sukses më shumë driblime. Nëse nuk do të ndalet më nga gjendja e tij fizike, ai mund të jetë asi nën mëngë i trajnerit nga janari.

VESINO – Uruguaiani është me valixhe në duar, por nga ai Inzagi mund të përfitojë shumë nëse e hedh në fushë kundër Torinos. Dominim i ajrit, inkursione dhe shumë raste të cilat vetëm nga pakujdesia nuk shfrytëzohen si duhen, janë një arsenal i tërë në dispozicion.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura