Eksodi masiv, mijëra familje dibrane në këmbë drejt Tiranës

Mar 13, 2023 | 10:17
SHPËRNDAJE

Perurimi-i-Memorialit-e1678645864155HALIL RAMA

Njëqindedhjetë vjet më parë, mijëra familje të Dibrës së Madhe, për t’i shpëtuar gjenocidit të pashembullt dhe të dëbuar nga shovinistët serbë, pasi ecën për ditë e net të tëra në këmbë, u vendosën në kryeqytetin shqiptar, të mikëpritur bujarisht nga tiranasit.

Për shumicën e banorëve të kryeqytetit shqiptar janë të njohura: “Rruga e Dibrës”, “Mëhalla e dibranëve”, “Komuniteti dibran i Tiranës” (që për nga numri i banorëve është ndër të parët në rang metropoli)….Të parët e tyre, të dëbuar me dhunë nga shovinistët serbë erdhën para 110 viteve dhe gjetën strehë në Tiranë, të mirëpritur nga banorët e këtushëm autoktonë. Njëqind e dhjetë vjet më pas, pinjollët e tyre, të grupuar në Shoqatën “Bashkësia Dibranë” e përjetësuan këtë eksod në memorialin që u përurua të shtunën me praninë e qindra dibranëve e tiranasve…dhe pse jo, edhe me të ardhur nga diaspora, nga Kosova e Ulqini… Ndërsa përshëndeti i emocionuar në këtë eveniment historik të inaugurimit të Memorialit me titull “Në nderim të dibranëve të dëbuar, që u pritën zemër hapur nga tiranasit”, kreu i Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, pjesë përbërëse e një prej komuniteteve më të vjetra tradicionale në Tiranë, prof. Bujar Kapexhiu-Nderi i Kombit, ndër të tjera bëri të ditur se “Nderojmë sot të ardhurit para 110 vjetësh në Tiranë, nga gjenocidi i përsëritur serbo-sllav mbi trojet tona, si dhe mbi qytetarët e trevës së Dibrës, që do të përjetonin masakrat më të pashoqe ndonjëherë” . Kapexhiu vlerësoi punën e shkëlqyer për të realizuar këtë monument nga arkitekti i njohur Afrim Shatku, dibran 24 karat, që jeton ne Shkup si dhe nga skulptori, Ardian Pepa, pedagog në Universitetin e Arteve të Tiranës. Kreu i “Bashkësisë Dibrane” falënderoi dhe familjen e z. Abdurahim Buza, i cili dha dhe lejen e autorësisë për të përfaqësuar në Monumental temën e eksodit pasi në të njëjtën periudhë kohore 1913 është vit i tmerrit dhe i kasaphanës, jo vetëm për dibranët dhe kosovarët, por për të gjithë kombin shqiptar.

PËRJETËSIMI I EKSODIT MASIV TË VITIT 1913

“Memorial historik”, e ka vlerësua ministri i Drejtësisë Ulsi Manja këtë monument që përjetëson eksodin masiv të 1913. Duke përshëndetur pjesëmarrësit në këtë event mbresëlënës, ministri Manja tha se “Nuk duhet harruar kurrsesi fakti se, mbas konferencës së Londrës së 1913, trojet shqiptare por dhe në veçanti treva e Dibrës së Madhe, e njohur ndryshe si Sh’ehri i Dibrës, pësuan humbje në njerëz dhe pushtim të territorit të saj padrejtësisht”. Kjo sipas tij për fatin se Dibra nga një qendër e rëndësishme ekonomiko-sociale, politike dhe kulturore, si një Prefekturë, e humbi rëndësinë e saj të dikurshme. Gjithsesi, kreu i dikasterit të Drejtësisë vlerëson faktin që në Tiranë, qytetarët dhe paria e saj, me në krye kryetarin e Bashkisë së parë të Tiranës, bamirësin Zyber Hallulli dhe mjaft personalitete të kohës dolën dhe pritën të dëbuarit dibranë nga eksodi masiv i vitit 1913, pikërisht këtu nga ku nis “Rruga e Arbrit”. Pikërisht mu në këtë shtatore që u inaugurua të shtunën në sheshin para Fondacionit “Fundjave ndryshe”, ato u pritën me zemër, me fisnikëri dhe me ç’të mundnin nga rrethanat e vështira të kohës. “Nga një eksod masiv, prej popullsisë së Dibrës së Madhe, më 20 shtator të vitit 1913 do të shkëputen përmes gjenocidit, prej kësaj treve duke ecur ditë dhe natë në këmbë, të cilët ne i njohim me emërtimin si muhaxhirët dibran. Do të ishte kryetari i parë i Tiranës, Zyber Hallulli, i cili së bashku me parinë tiranase, do të dilte në Shkallën e Tujanit, me lot në sy, bukë, ujë dhe zemër të priste dibranët e sfilitur nga gjenocidi sllav”, tha ndër të tjera ministri Manja. Si një nga përfaqësuesit më në zë të komunitetit dibran në Tiranë, ministri më i suksesshëm i Drejtësisë i këtyre viteve vlerëson këtë forcë të veçantë, të mikpritjes që karakterizon zakonet dhe traditën tonë shqiptare, e në veçanti Tiranën tonë, e cila na pranoi, por dhe na vlerësoi.

Gjatë viteve 1920 deri në 1945 e në vazhdim, ka pasur disa drejtues të rëndësishëm dibran të institucioneve kushtetuese, si dhe në jetën legjislative, ekzekutive dhe vendore apo lokale.

Ministri Manja bëri të ditur se nga komuniteti dibran kanë dalë disa kryetarë bashkie dhe prefektët, duke filluar nga prefekti i parë i saj më 1920 si: Qamil Pepa, dhe kryetari i parë i Bashkisë së Tiranës, Izet Shatku Dibra. “Dibranët e Tiranës, mbi 110 vjet në Tiranë, nuk e kanë harruar kurrë mikpritjen bujare dhe bamirëse të tiranasve, e cila shkon më tej duke shkëmbyer dhe lidhje familjare me njëri-tjetrin. Ashtu siç kemi në Kushtetutën tonë të Republikës së Shqipërisë, harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, si pjesë e panteonit të vlerave universale dhe lirive themelore të njeriut, po kjo natyrshmëri karakterizon edhe sot kombin tonë”, vlerësoi ministri i Drejtësisë. Ai tha se nuk duhet harruar pritja madhështore që kryeqyteti ynë Tirana, bëri jo vetëm për dibranët e eksodit gjenocidial të 1913, por edhe për shqiptarët e Kosovës dhe komunitetin çam të 1945.

“Ne dibranët sot, jemi të nderuar me besim dhe dashuri, ndaj komunitetit tiranas i cili na hapi dyert, jo vetëm një herë por disa herë, jo vetëm për ne komunitetin dibran të Tiranës por edhe eksodit çam, toskë e më në fund edhe gegëve. E ndjejmë si një princip moral por dhe komunitar, ashtu siç t’i përulemi Perëndisë, t’i përulemi me respekt dhe emocion këtij komunitetit të nderuar, që nuk kurseu asgjë, nga kjo golgotë Shqiptare”, përfundoi fjalën e tij ministri Manja, i cili u duartrokit fuqishëm nga pjesëmarrësit.

NJË VËSHTRIM HISTORIK

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, prof. Saimir Shatku, ndërsa ka falënderuar pjesëmarrësit në këtë event festiv, ka bërë një vështrim historik të ngjarjeve që çuan tek eksodi i dibranëve i vitit 1913. Ndër të tjera, ai evidentoi krijimin 115 vjet më parë të Shoqërisë Patriotike dhe Kombëtare “Bashkimi Dibran”, e dalë nga nevoja për liri dhe pavarësi kombëtare, me në krye disa personalitete të kohës si Said Najdeni apo Hoxhë Vokrri, Hafiz Sherif Langu, Josif Bagleri, Ibrahim Jegeni, Jusuf Dibra Dohoshishti, e te tjerë. Z.Shatku vlerësoi gjithashtu kryengritjen e shtatorit 1913, si të parën kryengritje që i bashkoi shqiptarët kundër padrejtësisë që bëri Konferenca lajkatare e Londrës, me 22 mars të 1913 në dëm të viseve shqiptare.

Me 27 nëntor 1913, armatat serbe sulmuan trevën e Dibrës. Popullata e Dibrës kaloi në gjendje gatishmërie, duke përballuar një situatë të rëndë politike, ushtarake, ekonomike dhe humanitare e cila arriti kulmin në verën e 1913.

Referuar burimeve historike vendase dhe ë huaja, z. Shatku bëri të ditur se me 8 tetor 913 janë kryer këto operacione:

-Ushtria serbe bombardoi, plaçkiti, dhe dogji qytetin administrativ të Dibrës së Madhe…

-U nis pararoja ushtarake drejt Pogradecit. Shqiptarët, me forcat e tyre, sulmuan dhe çliruan Dibrën e Poshtme, Peshkopinë, duke pasur 1200 luftëtarë shqiptarë.

Në Dibër të Madhe po përgatitej një kasaphane gjaku dhe gjenocid i pashembullt. Në këto kushte, plani dhe strategjia e luftës kundër ushtrive serbe, u përgatit nga disa patriotë dhe personalitete të kohës si: Shaqir beg Jegeni, Sefedin Pustina, Sedulla Strazimiri, Qamil Daci, Selim Rusi dhe komandant Shefki Shatku, ndërsa në krye, duke hyrë në Dibër me 22 shtator ishin Elez Isuf Ndreu, Dine Maqellara dhe Mersin Dema. Kryengritja ishte e suksesshme, pasi zgjoi kombin shqiptar nga identiteti për ruajtjen e trojeve kombëtare, dhe kjo lëvizje pati karakter ndërkrahinor dhe ndërshtetëror.

PRISHJA E DIBRËS SË MADHE

Me 22 nëntor 1913, koloneli Von Laffer, i cili ishte dhe kryetari i Komisionit Ndërkombëtar të Kufinjve lindor, nga Struga deri në Kukës raporton se: “Dibra, e cila pak para pushtimit ishte një qytet me rreth 45.000 mijë banorë, e që llogaritej qyteti i katërt mbas Shkodrës, Prizrenit, Janinës dhe Korçës, sot është krejt e pabanueshme (ajo sot është vetëm një lagje maqedonase). Shtëpitë nuk janë rrënuar por janë zhveshur nga të gjitha. Serbët përfituan shumë nga kjo kryengritje e shqiptarëve duke i deklaruar të gjithë shqiptarët pa përjashtim si kryengritës, dhe duke i vrarë. Në rrethet e Dibrës, gati çdo katund është një vend i djegur dhe i shkatërruar. Në mesin e tyre gjinden disa katunde serbe që kanë mbirë si kërpudha e shumë të pasur. Banoret e tyre punojnë, pa pushim për mbledhjen e të korrurave të shqiptarëve të mbetura nëpër arra”. Kjo, tha z. Saimir Shatku ishte golgota Shqiptare.

DYERT E DIBRANËVE TË HAPURA, ASHTU SI I MIKPRITËN TIRANASIT

Prof. Ismail Varoshi, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës “Tirana”, pasi u shpreh për marrëdhëniet e mira me Shoqatën “Bashkësia Dibrane”, ndër të tjera vlerësoi memorialin që përjetëson eksodin masiv te popullsisë së Dibrës së Madhe, e cila la trevën e saj nga okupacioni dhe gjenocidi sllavo-malazez, duke u strehuar nga bujaria dhe fisnikëria e parisë së Tiranës. “Do të ishin personalitetet si: Kryetari i Bashkisë se Tiranës, Zyber Hallulli, dhe mjaft të tjerë si Mutesim Këlliçi, Efendi Ismail Ndroqi, Rauf Fico etj., që dolën për t’i pritur dhe strehuar dibranët. Në fillim ato u strehuan pranë Namazgjasë së Tiranës, e me pas u vendosën në lagjen apo Mëhallën e dibranëve, sot Njësia Administrative nr.3 e Tiranës”, tha z. Varoshi. Ai vlerësoi faktin që familjet dibrane u integruan me shoqërinë e kohës dhe dalloheshin për përkushtimin ndaj familjes së tyre dhe punës. Kjo gjë i bëri ata që të tejkalonin me shpejtësi vuajtjet e atij eksodi të tmerrshëm. “Dyert e shtëpive dibrane rrinin të hapura dhe ashtu si i mikpritën tiranasit ata iu përgjigjën atyre me të njëjtën monedhë bujarie. Madje shumë shpejt, filluan martesat ndërmjet tiranasve dhe dibranëve, saqë 80% e familjeve të hershme dibrane, pasardhësit e tyre, njërin prind e kanë dibran e tjetrin tiranas. Ne sot duhet të nderojmë tiranasit që mirëpritën dhe hapën dyert e bujarisë për vëllezërit dibranë. Dibranët janë mirënjohës dhe kjo është shprehur vazhdimisht edhe nga pasardhësit e familjeve të dëbuara. Mirënjohja pasuron shpirtërisht personin që është mirënjohës”, vlerëson avokat Varoshi. Pjesëmarrësit në këtë event mirëpritën gjithashtu fjalët përshëndetëse nga Presidenti i Fondacionit “Fundjave ndryshe”, Aber Hajdari, nga kryetari i Këshillit të Komunës së Dibrës së Madhe Fuat Spahiu, nga znj. Mirela Bogdani, kryetare e Shoqatës “Tirona Intellektum” dhe nga z. Faik Nika, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi.

MEMORIALI YNË

E mirënjohura Suzana Varvarica Kuka, me të drejtë do ta quante “Memoriali Ynë” këtë vepër monumentale “Në nderim të dibranëve të dëbuar që u pritën me zemër të hapur nga tiranasit”, që është një shenjë historike dhe artistike.

“Historikisht ai do t’u kujtojë të gjithë brezave të familjeve dibrane se trojet e tyre të origjinës, të parët e tyre u detyruan me forcë, dhunë dhe gjenocid t’i lënë prej politikave të mbrapshta sllave-evropiane, në fillim të shek. XX. Si dhe të gjithë së bashku nuk duhet askurrë të harrojmë mikpritjen e dyerve dhe zemrave të hapura të familjeve autoktone dhe të nderuara të Tiranës së asaj kohe. Artistikisht ‘Memoriali ynë’ u ndërtua me këmbënguljen dhe iniciativën e përshëndetur të shoqatës ‘Bashkësia dibrane’, në Tiranë e drejtuar në zemër, mendje dhe respekt kah nderimi për çdo dibran të Tiranës. Memoriali Ynë mori formën e tij origjinale prej idesë së arkitektit Afrim Shatku, prej Shkupi dhe skulptorit Ardian Pepa, pedagog në Universitetit të Arteve në Tiranë, si dhe përpjekjeve të gjithanshme të zotërinjve Bujar Kapexhiu dhe Saimir Shatku, të cilët drejtojnë kryesinë e Shoqatës ‘Bashkësia Dibrane’, në Tiranë”, tha znj. Varvarica Kuka në fjalën saj përshëndetëse. Ajo vlerësoi zgjidhjen artistike të Memorialit të frymëzuar nga fakte historike tashmë të shkruara në Historinë e Shqipërisë dhe të Dibrës.

Duke u ndalur në detaje të veprës, ajo tha se imazhi i këtij memoriali është frymëzuar nga arkitektura dhe urbanistika e asaj kohe të qytetit të Dibrës së Madhe, gjë e cila është harmonizuar me modelimin e imazhit të pikturës me titull “Refugjatët” e piktorit të shquar Abdurrahim Buza. Kjo zgjidhje monumentale ka përmbushur situatën historike të ngjarjes e cila përkujtohet sot në 110 vjetorin e saj.

Kjo shenjë monumentale, sipas znj. Suzana Varvarica Kuka, në ditët e sotme ka përmbushur kujtimin e dibranëve, që u masakruan rrugës për në Shqipëri, prindërve dhe gjyshërve tanë që mbërritën të vinin në Tiranë, si dhe detyrës sonë për t’ua treguar brezave arsyet e banimit dhe jetës së dibranëve në gjirin e Tiranës.

Në këtë linjë e vlerësoi këtë memorial të sponsorizuar nga Firma EHV me drejtues z. Luan Leka dhe znj. Meliha Leka, edhe prof. Afërdita Tonuzi. Ajo u ndal veçanërisht në pasurinë shpirtërore e artistike të dibranëve, të reflektuara këto në pastërtinë, bujarinë, vlerat e trashëgimisë kulturore, të traditës etj.

Po ashtu, Presidenti i Unionit të të Burgosurve dhe të Persekutuarve Politikë, Besim Ndregjoni-Mjeshtër i Madh, vlerësoi këtë memorial si përjetësim të një historie sa të trishtueshme aq dhe madhore njerëzore. Trishtimi, sipas tij, se si dibranët përziheshin nga trojet e tyre shekullore nga pushtuesi serb dhe njerëzore madhore, pritja, hapja e dyerve nga vëllezërit tiranas që i pritën dhe i bënë bashkëvëllezërit e tyre, vëllezër të jetës. “Doku shekullor i shqiptarëve ka qenë besa, besa në përkrahje të vëllait, mikut dhe prandaj ka ngelur në historinë botërore se shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe Zotit”, tha z. Ndregjoni. Ndaj dhe ky memorial përcjell ndër breza historinë se si tiranasit e urtë e të mirë pritën dibranë e dëbuar nga sllavo-serbët para 110 vitesh.

Përurimi këtij memoriali historik u shoqërua me një drekë festive në ambientet e Fondacionit “Fundjave Ndryshe”, ku përveçse fjalës përshëndetëse të kreut të të Urtëve të Shoqatës “Bashkësia Dibrane” Tefik Jegeni, pjesëmarrësit ndoqën me interes dhe duartrokitën fuqishëm interpretimin me mjeshtri artistike nga artisti i mirënjohur kosovar Enver Petrovski, nga këngëtaret e shumëtalentuara Liri Rasha e Shqipe Zani, si dhe nga valltarët e Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”, Nderi i Kombit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura