EKSKLUZIVE/Analiza e Hafizit: Futbolli shqiptar, në një rrugë pa krye. Duhet kampionat me 16 ekipe

Feb 18, 2018 | 22:13
SHPËRNDAJE

Në zgjedhjet e fundit në Asamblenë e FSHF-së, bota e futbollit mbeti e shtangur jo vetëm në fushatë, nga njerëzit e politikës që ishin pasivisht në garë, por edhe në përfundim të votimeve, teksa në familjen e futbollit nuk u vlerësuan figurat sportive. Një prej tyre edhe një njeri me karrierën dhe përgatitjen sportive, dhe jo vetëm, si Shkëlqim Muça, nuk u votua për të qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv.

Në një analizë të detajuar ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi, shprehet me keqardhje se si njerëzit nga bota e futbollit po largohen nga FSHF-ja. Gjatë fjalës së tij, Hafizi ngre shqetësim mungesën e vlerësimit për njerëz si Muça, apo shkon më tej edhe duke folur për mikun e tij Muhedin Targaj, i cili nuk pranoi rikandidimin për KE. Ish-trajneri analizon situatën e legjionarëve dhe bën krahasimin mes përfaqësueses së drejtuar nga De Biazi me Panuçin. Jo vetëm kaq, por Hafizi ngre alarmin për kampionatin shqiptar lidhur me situatën që po kalojnë vit pas viti skuadrat legjendë që kanë prodhuar futbollin shqiptar, të cilat po largohen nga elita dhe skema është një prej shkaktarëve.

hafizi

Profesor, cili është mendimi juaj rreth zgjedhjeve në FSHF që nga kandidatët deri te rezultati përfundimtar?

Unë mendoj që kishte konkurrencë më të mirë sesa herët e tjera. Kishte një tension, një interesim shumë më të madh edhe nga opinioni sepse ishte hera e parë pas 16 viteve që kishte konkurrencë për zgjedhjet e presidentit, mes atij që pretendonte dhe aktualit. Kjo u bë më tepër interesante dhe u fut në shumë drejtime, duke pasur parasysh që ishin edhe pjesë e politikës apo pjesë e biznesit. Unë mendoj që pati interesim.

Si u zhvillua i gjithë procesi sipas jush?

Janë gjëra teknike që janë diskutuar disa herë, gjithmonë në raport me statutin që ekziston. Janë gjëra teknike që unë nuk kam ndër mend të futem në hollësi. Janë përmendur disa gjëra nga panele gazetarësh dhe opinionistësh dhe nuk mendoj se ja vlen të përsëriten.

Në garën për Komitetin Ekzekutiv mbetën jashtë figura të shquara të sportit, mes tyre edhe Shkëlqim Muça…

Mund të mendoj që një ish-futbollist, ish-trajner apo ishdrejtues klubi mund të mos zgjidhet si president i FSHF-së dhe mendoj se është më se normale. Por, që një ish-futbollist, ishtrajner apo ish-drejtues klubi, një figurë me personalitet referuar edhe faktit që Shkëlqim Muça mbeti jashtë, kjo pastaj më fut një mendim dhe trazim të gjërave morale lidhur me faktin se ku po shkon ky futboll. Çfarë rruge po merr futbolli ynë…?!

astrit-hafizi-470x337

Pse ndodh që njerëz të sportit nuk vlerësohen dhe nuk votohen nga familja e futbollit?

Nuk është hera e parë, të paktën për këto 16 vitet e fundit, që figurat e futbollit të luajtur apo drejtues nuk afrohen, apo afrohen si fillim dhe më pas largohen. Unë mendoj se është edhe politikë që mund të ndjekin drejtuesit aktualë të federatës për të zgjedhur sa më pak figura të futbollit. Sipas meje nuk është diçka e mirë. President mund të zgjidhet edhe një biznesmen apo që ka një aktivitet të caktuar. Mirëpo, që të mos zgjidhet një figurë sporti, duke pasur parasysh që ky Komitet Ekzekutiv është organi më i lartë i futbollit, i cili merr vendime teknike, profesionale, organizative dhe financiare, nuk është normale. Aq më tepër që FSHF-ja është sektor teknik, pasi problemet e tjera i zgjidhin punonjësit e tjerë në federatë, të sektorëve të ndryshëm.

Si mund të marrë zgjidhje kjo çështje?

E para, ka të bëjë me drejtimin nga kandidatët për president. Dëgjova edhe Dukën, i cili pyetjes për Muçën i dha një përgjigje shumë të thatë dhe u duk sikur e kaloi “topin” diku tjetër.

Si e lexoni atë përgjigje të presidentit?

Për mua nuk është përgjigje ajo, kur tha: “Nuk ka bërë lobing”. Nuk mund të bëjë lobing Shkëlqim Muça apo në vend të tij të mund të ishte dikush tjetër. Të paktën u referohem këtyre figurave që njihen sot. Unë po pyes, për çfarë duhet të bëjnë lobing? Ose po e shtroj ndryshe. Po them, pse zoti Duka nuk bëri lobing për Muçën?

Pse e thoni këtë?

Sepse jam i bindur që për kandidatët e tjerë ka bërë lobing. Sepse është në të drejtën e tij dhe të çdo presidenti që ta bëjë diçka të tillë për të kërkuar disa njerëz të tij dhe të tillë, me të cilët mendon të punojë dhe të bëjë më të mirën. Se për çudi, u zgjodhën sërish ata të shtatë, të cilë ishin pjesë e Komitetit Ekzekutiv edhe në mandatin e fundit. Jam i bindur që influenca e Dukës është prezente në drejtim të atyre që votuan për ta zgjedhur. Prandaj, pse nuk bëri lobing Duka për të meqë Muça nuk paska bërë? Jam dakord me shprehjen e Muçës dhënë në gazetën tuaj, kur thoshte se “nuk kam nevojë që të bëj lobing”.

Pasi unë mendoj se CV-ja e tij apo e dikujt tjetër ekziston në ato që mund t’i quaj protokollet apo “muzeun e futbollit tonë”. Kjo është dashamirë- sia dhe sa ka dëshirë ai që merr drejtimin e federatës për të afruar njerëz të kualifikuar dhe, meqë u tregua i ndjeshëm ndaj Muçës, dhe që i kishte ardhur keq, unë them ishte përgjigje sa për të thënë. Pasi, po të kishte dashur apo vendosur Duka dhe të kishte lobuar që të ishte Muça apo dikush tjetër, mendoj se do të ishin ata në Komitetin Ekzekutiv. Nuk ka sesi të mos jetë një si Muça apo ne të sportit të mos jemi në shtëpinë tonë, për sa kohë aty futen nga politika apo fusha të tjera…

Nuk e kuptoj sesi mund të mos e njohkan një si Muça. Unë them që nuk ka dashamirësi nga vetë drejtuesi i federatës për të afruar këta njerëz. Madje, edhe një që ishte një nga miqtë e mi më të mirë si Muhedin Targaj, i cili kishte vite në Komitetin Ekzekutiv, është larguar me dëshirën e tij. Një figurë sportive, që ka dhënë kontribut për një kohë të gjatë dhe jam i bindur që shumë herë mund ta ketë parë veten keq në mbledhje. Sidomos për problemet teknike, pasi mund të shkosh aty si figurë teknike dhe të mos pyetesh për çfarë vendoset. Sepse nuk ka sesi të shpjegohet ndryshe që shumë gjera teknike të futbollit tonë të mos shkojnë në drejtimin e duhur, sidomos referuar përzgjedhjes së lojtarëve në ekipet Kombëtare.

DUKA HAFIZI

Së fundmi, duket se ka një lloj euforie në Kombëtare, qoftë edhe pas fitores me Turqinë. A ka baza për të qenë të tillë?

Nuk e di pse duhet të jenë të tillë, mjaft të shohësh se ku luajnë lojtarët tanë dhe lind nevoja për të qenë të kujdesshëm dhe me këmbë në tokë. Pjesa më e madhe e lojtarëve që janë të grumbulluar apo edhe ata që janë kontingjent për t’u afruar ku janë? Përjashtuar dy portierët Strakosha e Berisha, si dhe Hysajn, që janë me të vërtetë pararoja e Kombëtares, lojtarët e tjerë përfundojnë në kategoritë e ulëta apo edhe në ekipe të vendeve të fundit sepse nuk janë as në mesataren e skuadrave. Nuk kemi pse të jemi euforikë. Nëse do të vazhdojmë që të kënaqemi vetëm me një lugë të vogël boshe, nuk më duket normale.

Si e shikoni ecurinë e Kombëtares në vijim?

Mbi të gjitha duhet të jemi shumë realistë. Duhet të vazhdojmë që të pretendojmë aq sa kemi mundësi, pa bërë paralelizma me çfarë kemi arritur në Europian. Ato që ndodhën dhe ato situata të krijuara apo ato favore në drejtimin tonë, nuk mendoj se do të përsëriten më. Prandaj, të mos mendojë ndonjë që meqë shkuam në Europian, kemi arritur çdo gjë.

Si është Kombëtarja e Panuçit në krahasim me atë të De Biazit?

Në drejtim të lojës, unë mendoj se ka ndryshim pozitiv. Të paktën në mënyrën e zhvillimit të lojës. Konceptit dhe tendencës për të shkuar në drejtim të sulmit më tepër se herë të tjera, manovra për të qarkulluar topin dhe për të luajtur, tentativa për të shënuar gola etj., këto janë gjëra pozitive. Të mos harrojmë që kemi luajtur pak ndeshje dhe është shpejt për të arritur në konkluzione, por disa gjëra shihen që në fillim. Na mungojnë disa gjëra të elementit që mund të rregullohen apo që mund të kërkohen më tepër.

Për çfarë e keni fjalën?

Organizatorë të lojës apo ato që bëjnë lidhjen midis reparteve. E kam fjalën për mesfushorë të karaktereve të mira organizative apo sulmuese. Të them të drejtën, nuk i kemi. Pasi për momentin kemi lojtarë agresivë, që luftojnë shumë dhe që vrapojnë shumë, por nuk mendoj se mjaftojnë për të pasur atë mënyrë loje dhe stil që mendojmë të kemi. Megjithatë, le t’ia lëmë kohës dhe Panuçit, i cili mund të bëjë zgjedhje të tjera.

Hafizi

A rrezikon që kjo mënyrë loje të mos jetë efikase, pra, dëshira për të qenë sulmues, duke parë vështirësitë që kemi me lojtarët në vijën e parë…

Rreziku është i pranishëm. Edhe pse kemi sulmues, katër apo pesë, pak aktivizohen aty ku janë, qoftë për shkak të dëmtimeve apo se nuk kanë gjetur mjaftueshëm hapësira. Apo edhe se kanë shkuar në vende të gabuara dhe nuk aktivizohen sa duhet dhe minutazhi më i madh për ta është kur vijnë në Kombëtare. Manovrimet tona, edhe si drejtues të kombëtares apo sektorët teknik të federatës, të jenë të tilla me këshilla dhe drejtime të tipit që lojtarët në fjalë të drejtohen dhe orientohen ku mund të luajnë. Le të jenë edhe lojtarë në Kategori të Dyta, por në formacion.

Le të jenë edhe një Kategori Europë, por në një skuadër ku mund të luajnë. Ne nuk shkojmë drejt Turqisë, Greqisë, Kroacisë apo as Sllovenisë, por tentojmë të shkojmë drejt vendeve shumë të përparuara dhe mbesim aty ku dhe nganjëherë nuk kemi forcë për t’i përballuar ato kampionate. Më mirë për lojtarët tonë që orientimi të jetë drejt vendeve ku hapësirat janë të mundura. Nuk mjafton të jetë një ekip me emër në Itali apo Spanjë dhe kur vjen puna të jenë futbollistë jashtë formacionit. Ky është një handikap që mund të na krijojë probleme për Kombëtaren dhe për rritjen e nivelit të lojës sonë.

Kampionati Shqiptar Cilën veçoni në aspektin pozitiv dhe cilën në atë negativ?

Të them të drejtën, skuadra që është ndryshe nga herët e tjera, është Flamurtari. Ka një organizim më të mirë dhe më pozitiv në kohët e fundit, ndoshta edhe pasi e mori në drejtim trajneri Duro. Pas saj, ndoshta kohët e fundit është Luftëtari. E cila, për hir të së vërtetës, nuk duhet të jetë aty ku ndodhet, por të jetë më lart. Zhgënjimi vjen më tepër te Vllaznia dhe Teuta, të cilat janë në pozicione dhe për vetë historinë që kanë. Nuk më duket se është mënyra e duhur e tyre për të qëndruar në ato vende. Vjet ishte Tirana dhe sivjet janë këto të dyja. Lushnja ndoshta ka më tepër vështirësi sepse vjen edhe nga qëndrimi për një kohë të gjatë në Kategorinë e Parë.

Sa rrezikon të përsëritet rasti Tirana?

Më vjen keq për këtë situatë. Mirëpo, është një situatë e tillë e futbollit tonë që unë nuk e shoh shumë të avancuar dhe që gjerat po shkojnë në të mirë të futbollit. Më duket sikur po e spostojmë vëmendjen te vendet e vogla, ato vende që hyjnë rrallë në Superiore dhe marrin një vend të mirë në tabelë. Dhe pjesa tjetër, që kanë qenë pjesë e historisë së futbollit, të largohen dhe të dalin jashtë vëmendjes së futbollit tonë. Nuk më duket shumë serioze.

Çfarë mund të bëhet për ta ndryshuar për mirë situatën?

Duhet ndryshuar formula e kampionatit, pasi me dhjetë ekipe, ekipet e traditës mund të dalin nga Superiorja. Dikush që vjen nga Kategoria e Parë, mbase me pagesa më të forta, me ndonjë sforco të madhe, mund edhe të mbijetojë. Duke pasur një pjesëmarrje më të madhe, minimumi me 16 ekipe, mendoj se ekipet e mira, edhe për ndonjë oscilacion të vogël që kanë, të jenë prezente në Superiore, pasi dihet që mund ta marrin veten. Kjo për faktin se ne nuk kemi interes që të dalin nga Superiorja, siç doli Tirana vjet apo si rasti i Dinamos, i Elbasanit, Beratit apo Kavajës. Nesër mund të dalë Vllaznia apo Teuta dhe nuk është aspak në favorin e futbollit tonë.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura