EKSKLUZIVE/ Zef Gjoni: Gjetan Keta e trukoi ndeshjen, ky nuk është boks. E sfidoj të ndeshet me… (E PLOTË)

Sep 12, 2018 | 8:12
SHPËRNDAJE

Trajneri i Kombëtares shqiptare të boksit, Zef Gjoni, hedh akuza për ndeshjen finale mes Gjetan Ketës dhe Sladan Janjanin, e vlefshme për kategorinë e peshave të mesme në federatën WBU. Kjo ndeshje e fituar nga shqiptari Gjetan Keta përballë boshnjakut Janjanin që u zhvillua në Dibër, për trajnerin e kombëtares Gjoni është një trukim e gjithë dhe një shfaqje e turpshme që bëhet para syve të specialistëve dhe tifozëve të boksit shqiptar.

Tekniku i kuqezinjve tregon edhe argumentet e tij, përse ndeshja finale është e trukuar, ndërsa ka një sfidë të hapur për Gjetan Ketën, duke e ftuar atë të boksojë me boksierin e Vllaznisë dhe kombëtares Arjon Kajoshi dhe në rast se Keta fiton, atëherë tekniku Gjoni shprehet se do dorëhiqet nga boksi. Më poshtë është edhe intervista ekskluzive për “Panorama Sport” me trajnerin e kombëtares.

zef-gjoni-me-kapele-ne-stervitje

Cilat janë pretendimet që keni ju për ndeshjen finale mes Gjetan Ketës dhe Sladan Janjanin e fituar nga Keta?

Kam pasur telefonata edhe nga trajnerë dhe specialistë të tjerë. Unë si trajner i ekipit kombëtar jam shumë i shqetësuar kur shoh të tilla ndeshje që nuk kanë vlerë dhe që janë të trukuara. Nuk i takon që Shqipëria të bëhet një vend që të tallen me popullin me ndeshje si ajo mes Gjetan Ketës dhe boshnjakut Sladan Janjanin. Më vjen keq edhe për sportdashësit e Dibrës, të cilët e kishin mbushur sallën, por edhe ata e kuptuan se kishte trukim ndeshjesh. Është e neveritshme të shihje atë ndeshje. Boksieri boshnjak që ishte gjoja në finale me Gjetan Ketën në një kategori si WBU që nuk ka as faqe zyrtare, nuk është aspak i një niveli të lartë. Boksieri boshnjak në renditjen e përgjithshme të boksit është i 313-ti në listë dhe është e pafalshme që ai të vijë në Shqipëri dhe të tallet me boksin shqiptar dhe me boksierët shqiptarë.

Duhet të dini se nuk mund të na bëjnë ne të tilla ndeshje kur boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj së shpejti do të ndeshet për titullin kampion bote deri në 24 vjeç. Kemi boksierë si Artur Drini që ka dalë dy herë kampion Gjermanie, kemi boksierë kampion bote realë si Dejan Zllatiçanin, ish-boksier i Vllaznisë dhe kombëtares. Zllatiçanin është nga Gruemira dhe ka dalë kampion bote dhe Europe. Ai ka bërë boks në sallat më të mëdha të botës. Prandaj, unë e kam për detyrë që të sensibilizoj sportdashësit dhe organizatorët nuk duhet, pra, që në Shqipëri të vijnë dhe të tallen me ndeshje të trukuara.

gjetan-keta

Unë organizatorët, drejtuesit, trajnerët dhe boksierët po të duan i fus në një provë. Kam një sfidë të hapur për ta dhe për të mos ulur autoritetin e tyre, ata mund të vijnë dhe të bëjnë boks me dyer të mbyllura nga boksieri i parë deri tek ai kampion bote që është Gjetan Keta, siç pretendojnë me boksierët e Vllaznisë. Asnjëri prej tyre nuk mund të arrijë të fitojë me boksierët e Shkodrës. Ata shihen qartë se që te ndeshja e parë janë totalisht amator. Më mirë të kishin marrë boksier nga Shkodra. Për mua ata ishin boksierë që nuk dinin se si ecet në ring e jo më të bëjnë boks. Kam pasur neveri t’i shoh në një kohë që ata nuk dinin as ABC-në e boksit dhe humbnin në raund të parë e të dytë, pra një turp. Ndeshja e Gjetan Ketës me boshnjakun u zhvillua jashtë të gjitha rregullave. Në raundin e tretë arbitri ndërpreu ndeshjen, u bë një pushim, të gjithë po rrinin thua se ishin për qejf, pastaj u kërkua që të bëhej edhe një herë boks dhe e gjithë kjo është një tallje.

Edhe gjyqtaria që e ndërpreu dhe rifilloi ndeshjen në raundin e tretë është me të vërtetë një turp. Ata mund të jenë djem shumë të mirë dhe s’kam asgjë personale, por atë çfarë bënë në Dibër ta bëjnë atje ku jetojnë apo në ndonjë shtet tjetër dhe jo në Shqipëri, sepse nuk i pranojmë këto trukime. Boll me të tilla trukime sepse po na ulin edhe imazhin e trajnerëve shqiptarë dhe boksierëve shqiptarë me përkushtim për të prodhuar boksierë. Po të jetë puna për të dalë kampion bote në këtë mënyrë ne 3-4 i kemi në palestrën tonë, por ka edhe Durrësi, Vlora, Tirana dhe dalim edhe ne kampion bote me këtë mënyrë… Por, ne mendojmë që boksi të mos ketë kompromis dhe të arrijmë rezultate të larta.

Ku bazoheni kur thoni se ishte një ndeshje e trukuar?

Edhe një që ka parë boks vetëm një herë në jetë e kupton se është ndeshje e trukuar. Ajo është shfaqje, nuk është boks… Kur në një ndeshje të tillë afrojnë edhe këngëtarë e ku di unë, kuptohet qartë sepse nuk ka kund ndeshje për titull bote me këngëtarë… Këndohet himni dhe kaq. Ajo që ndodhi në Dibër është vetëm shou dhe po të duan, ta bëjnë diku tjetër, jo në Shqipëri. Ne tani kemi rinisur të kemi disa rezultate pozitive. Është e qartë se është trukuar kur në raundin e tretë u ndërpre aq gjatë ndeshja dhe kishte një boksier që nuk i përket ringut të botës. Unë kam një sfidë të hapur për Gjetan Ketën.

Cila është sfida apo prova që ju thoni për Gjetan Ketën?

Ata ndoshta nuk pranojnë që të dalin në salla të hapura dhe ne jemi gati që ta bëjmë ndeshjen edhe në sallë të mbyllur dhe po të duan edhe para publikut. Gjetan Keta le të vijë dhe të boksojë me Arjon Kajoshin. Nëse Gjetani fiton pastër me Kajoshin do i thosha që je në rrugë të mirë dhe unë do ta lë përfundimisht këtë sport, do tërhiqem nga boksi.

Të gjitha këto pretendime që keni për këtë aktivitet e dëmtojnë boksin shqiptar…

Specialistët nuk i dëmton, sepse ata e kuptojnë, por për një pjesë që nuk e njeh mirë boksin, siç mund të jenë tifozët ndoshta, atëherë po. Megjithatë, tifozët në Dibër e kuptuan se është ndeshje e trukuar. Nuk mund të bësh boks ashtu se njeh një biznesmen apo një këngëtar. Absolutisht që jo. Po të ndjekin rrugën e drejtë nuk mund të kalojnë asnjë tur në kompeticionet më të rëndësishme ku ne marrim pjesë.

Dikush mund të thotë se po flisni nga xhelozia?

Po çfarë xhelozie?! Unë edhe ndeshjen e parë kam qenë i ftuar për ta parë ndeshjen e Gjetanit, ndërsa edhe tani isha i ftuar, por i kam thënë se nuk vij. Më kanë thënë se pse nuk vjen, i thashë se jam specialist dhe e di ndeshjen si përfundon se do shkojë deri në raund të katërt apo të pestë dhe ashtu ndodhi dhe kur dikush më pyet unë duhet të them realitetin. Si të kem xhelozi kur kam 50 vite që merrem me boks dhe si të kem xhelozi kur kemi Jurgen Uldedajn që bën boks për Gjermaninë?! Është një nder! Artur Drini doli nga kjo palestër e jona dhe u bë dy herë kampion në Gjermani dhe arriti deri në finale për titull kampion bote në federatën IBF, e dyta në botë, por humbi në finale.

Ama ishte humbje me nder. Bëmë edhe ne një aktivitet të ngjashëm, por ndeshjet ishin reale në secilën prej tyre. Edhe ajo në boksin profesionist e Jetmir Kuçit me grekun ishte reale, totalisht, sepse Kuçi u dëmtua shumë në kokë, por edhe greku në fytyrë, ishin 6 raunde betejë dhe spektatori u kënaq sepse nuk kishte kompromis. Kur ka hile dhe manovra mua s’më pëlqejnë. Në çfarë stadi është boksi shqiptar aktualisht? Kemi arritur të shkojmë edhe në katërshe të Europës. Mes 5 më të mirëve të Europës, në Lojërat e Mesdheut morëm një vend të dytë, Elsidita Selaj është boksierja që doli e dyta në Europë, boksieri nga Fieri i treti në Europë, ndërsa tani po përgatitemi për kampionat Europian ku edhe aty pretendojmë rezultat të lartë.

Pse në Shqipëri nuk keni kaluar te boksi profesionist?

Boksi profesionist është një rrugë që në fillim është e vështirë sepse të duhet një sponsor që të udhëtosh dhe të mos kesh probleme financiare. Nëse ka sponsorë, ju siguroj se edhe në Shkodër, Tiranë, Durrës dhe Vlorë kemi boksierë që mund të kalojnë shumë mirë në profesionalizëm dhe për këtë kemi prova sepse kemi boksierë profesionistë që kanë konkurruar shumë mirë në Europë.

Cilat janë synimet tuaja në vazhdimësi?

Do vazhdojmë natyrshëm. Synimet e mia janë medaljet europiane, të shkojmë në Olimpiadë dhe pse jo të kalojmë në boksin profesionist nëse arrijmë të gjejmë fillimisht një sponsor sepse të ardhurat pastaj vijnë vetë nga reklamat, tifozët, e drejta televizive e të tjera si këto. Fillimi është i vështirë, por me pak mbështetje mund të shkojmë larg. Potenciale kemi, por thjesht na duhet një sponsor sepse boksierë cilësorë ka kudo në Shqipëri.

SENAD NIKSHIQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura