EKSKLUZIVE/ Zbulohet skuadra ku ka firmosur Albi Doka, ja detajet

May 23, 2020 | 9:00
SHPËRNDAJE

Albi Doka zgjedh Kroacinë për të vazhduar karrierën. Edhe pse është munduar të mbajë gjithçka të fshehtë, pasi i mbeten ende edhe pak ditë kontratë me Tiranën, “Panorama Sport” ka mësuar nga burime të sigurta se ai është futbollisti më i ri i klubit kroat, HNK Gorica.

albi doka

Prej ditësh mbrojtësi i djathtë ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me klubin që militon në Superligën e Kroacisë. Ai është ndjekur prej kohësh nga skautët e kësaj skuadre dhe pas bisedimeve të vazhdueshme është bindur për të firmosur. Klubi dhe lojtari nuk e kanë zyrtarizuar marrëveshjen për faktin se presin që të mbyllet njëherë kontrata me Tiranën. Megjithatë, është fakt tashmë se Doka do të largohet nga bardheblutë me parametra zero.

Drejtuesit kryeqytetas nuk arritën të bindnin Dokën për të rinovuar marrëveshjen dhe kësisoj nuk do të përfitojnë asgjë nga ky transferim i lojtarit në klubin kroat. 22-vjeçari ka qenë edhe në planet e Lokomotivës së Zagrebit, por drejtuesit e Goricës u treguan më konkretë, duke bindur lojtarin me ofertën që i bënë. Ende nuk dihet paga mujore që Doka do të marrë në skuadrën e re, por gjithsesi ai ka firmosur tashmë një kontratë 2-vjeçare me të drejtë rinovimi, e cila hyn në fuqi për sezonin 2020-2021.

albi doka

HNK Gorica pozicionohet në vendin e 6-të të kampionatit kroat dhe drejtohet nga një trajner me origjinë nga Lituania, Valdas Dambrauskas. Në përbërje të Goricës janë edhe lojtarë me kombësi nigeriane, senegaleze, polake, serbe etj. Mbrojtësi i krahut të djathtë do të luajë me Tiranën edhe në muajt qershor dhe korrik e më pas të vazhdojë karrierën në Kroaci. Prej katër sezonesh Doka luan në Superiore, duke debutuar me fanellën bardheblu që 17 vjeç.

Nëntë herë ai është aktivizuar edhe me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë, duke qenë një nga talentet më premtuese të dala nga akademia e Tiranës. Por, për shkak se kontrata e tij me 24 herë kampionët përfundon me mbylljen e këtij sezoni, klubi kryeqytetas ka humbur një shans për të arkëtuar të ardhura të konsiderueshme.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura