EKSKLUZIVE/ Zbulohet sa fitoi Skënderbeu nga shitja e Jashanicës, korçarët gati të mbajnë për sezonin tjetër…

| 23:25
SHPËRNDAJE
 

Nuk është as Prishtina, as Partizani, as Tirana dhe as Kukësi. Bajram Jashanica largohet nga Skënderbeu dhe firmos në Kosovë për klubin e Ballkanit të Suharekës. Dje në mbrëmje drejtuesit e dy skuadrave kanë rënë dakord për transferimin e qendërmbrojtësit. “Panorama Sport” mëson nga burime zyrtare në klubin korçar se nga kjo shitje Skënderbeu do të përfitojë 40 mijë euro.

jashnica

Jashanica kishte edhe një vit kontratë me korçarët, por asnjë nga klubet e Superiores nuk ishte në gjendje të paguante për kartonin. Në këto kushte, Ballkani përmbushi kërkesat e Skënderbeut dhe më pas bindi edhe lojtarin. “Të dashur tifozë, kemi kënaqësinë t’ju prezantojmë për këto 2 sezone të ardhshme futbollistin Bajram Jashanica, i cili së fundmi ka mbrojtur ngjyrat e klubit KF Skënderbeu (Korçë), ku ka bërë karrierën më të gjatë të tij si superlojtar. Po ashtu Jashanica ishte dhe lojtar i përfaqësueses së Kosovës 2016-2017. Na priftë e mbara Suharekë!”, shkruhej në postimin e klubit.

PLANI I KLUBIT

Largimet e shumta në fund të sezonit kanë sjellë një situatë jo fort të qetë në kampin bardhekuq. Riformatimi i të gjithë ekipit duket se ka shtyrë ekipet e tjera të Shqipërisë për të hedhur grepat në Korçë, me qëllim që të marrin pjesët më të vyera të korçarëve. Por gjithsesi drejtuesit e Skënderbeut nuk kanë ndërmend të boshatisin të gjithë ekipin. Të paktën kjo është ideja e presidentit Ardjan Takaj. Pak a shumë presidenti i Skënderbeut e ka të qartë se kush do të jetë boshti mbi të cilin do të ndërtohet Skënderbeu i sezonit të ri, në varësi të vendimit që vjen nga Gjykata Federale. Në kushte të tilla, korçarët kanë vendosur të bëjnë bllokadë për dy yjet e mbetur në ekip si lojtarë më me shumë eksperiencë, nga ku mund të fillojë ndërtimi i Skënderbeut të sezonit të ardhshëm.

gripshi

Duke u nisur nga paga e tyre jo në nivele shumë të larta dhe e përballueshme për Skënderbeun, duket se presidenti i Skënderbeut ka vendosur të bllokojë Gripshin dhe Krasniqin, të cilët do të qëndrojnë në Korçë deri në fund të kontratës së tyre. E vetmja mundësi që dy lojtarët të largohen është një transferim jashtë vendit, por që për momentin, si për Gripshin, ashtu edhe për Krasniqin, mungojnë ofertat. Së bashku me dy sulmuesit, pjesë e projektit janë edhe Mara, Meksi dhe Taipi, për të qenë boshti i Skënderbeut për sezonin e ri, duke i shtuar më pas lojtarë me shumë talent në krah, për të formuar një ekip kompetitiv.

FLET KRASNIQI

Një zgjedhje të tillë nga ana e Skënderbeut deri diku e konfirmon edhe sulmuesi Blerim Krasniqi. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, sulmuesi që ndodhet me pushime jashtë vendit flet për planin e së ardhmes dhe takimin me presidentin Ardjan Takaj, i cili i ka komunikuar se është një pjesë e rëndësishme e klubit për vijimësinë. Krasniqi foli edhe për interesimin e Tiranës në kohët e fundit, që e kërkon si një lojtar të rëndësishëm, por kontrata me Skënderbeun është një problem që duhet zgjidhur. “Për momentin kisha nevojë të pushoja dhe jam me pushime, por normalisht që mendja është tek e ardhmja dhe sezoni në vijim. Të them të drejtën, kam një kontratë me Skënderbeun, dhe nga bisedat që kam pasur me presidentin e Skënderbeut, jam në qendër të projektit që Takaj ka për të ardhmen.

avdyli krasniqi

Kjo në varësi të vendimit që do të vijë nga Gjykata Federale, e cila shpresojmë që të flasë pozitivisht në krahun tonë. Në kushte të tilla, ndihem i vlerësuar. Nga ana tjetër, jam në dijeni prej kohësh për interesimin e Tiranës, pavarësisht se nuk kam pasur asnjë kontakt kohët e fundit. Interesimi i tyre është një vlerësim për mua, por duke parë pengesën e kontratës, gjithçka është në dorë të Skënderbeut. Në momentin që do të kthehem nga pushimet pas disa ditësh do të takohem me presidentin Takaj dhe do të diskutojmë për shumë gjëra. Të shpresojmë që deri atëherë të kemi edhe një përgjigje nga ana e Gjykatës Federale”, përfundoi prononcimin e tij Blerim Krasniqi.

LLAZI SARO

 

 

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.