EKSKLUZIVE/ Zbulohen negociatat e Korçës, Greqia pranoi të heqë…

Jan 23, 2018 | 10:30
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe homologu i tij grek Nikos Kotzias, e cilësuan pozitiv raundin e dytë të bisedimeve shqiptaro-greke që u zhvillua këtë fundjavë në Korçë.  Përmes një deklarate të përbashkët, shefat e diplomacisë së dy vendeve garantuan se takimi solli si rezultat përparim thelbësor drejt arritjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata.

Bushati e Kotzias me stafet e tyre pas takimit treditor ne Korce
Bushati e Kotzias me stafet e tyre pas takimit treditor ne Korce

Njoftimi i bërë publik nga stafet e tyre sqaruan se, në fokus të bisedimeve dypalëshe kishin qenë çështjet bilaterale që u prekën, edhe nëntorin e kaluar në Kretë. “Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, zhvilluan bisedime në Korçë më 19-21 janar 2018, duke u fokusuar në çështjet bilaterale. Në vijim të takimit që u zhvillua në Kretë nëntorin e kaluar, të dyja ekipet bënë përparim thelbësor drejt arritjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për çështjet e pazgjidhura, në përfitim reciprok të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, në përputhje me vlerat dhe normat europiane. Diskutimet u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe konstruktive dhe të dyja palët përsëritën angazhimin e tyre për të ndjekur më tej dialogun në të gjitha nivelet në muajt në vijim”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

NEGOCIATAT

Burime të besueshme konfirmuan ekskluzivisht për “Panorama” se palët kanë rënë parimisht dakord që Greqia të heq ligjin e luftës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se në fokus të diskutimeve ka qenë edhe çështja e kufirit detar, e cila pritet të ketë një vendimmarrje menjëherë pas takimit të Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe atij grek, Aleksis Tsipras, i cili parashikohet të mbahet në muajin prill.

Në takimin treditor të mbajtur në Korçë, mes Bushatit dhe Kotzias, janë diskutuar edhe çështje të tjera, të cilat prej kohësh mbajnë të ngrira marrëdhëniet mes dy vendeve. Në këtë takim, pala shqiptare mësohet të ketë kërkuar heqjen e pengesave për lëvizjen në kufi drejt Greqisë të komunitetit çam dhe statusi i pronave të Kishës Ortodokse në Shqipëri.

Pas takimeve dypalëshe, të zhvilluara mes Bushatit e Kotzias, pritet të ketë një takim mes Kryeministrit Rama dhe atij grek Tsipras. Një takim në nivel kryetarësh qeverish nuk zhvillohet prej afro një dekade mes Shqipërisë dhe Greqisë. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të ngrira, për shkak të një sërë çështjesh, që prej vitesh kanë ngelur të pazgjidhura.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura