EKSKLUZIVE/ Zbardhet ditari sekret i Enverit, përplasja e fortë me Mehmet Shehun për fejesën e djalit me Silva Turdiun: Sa u lirua nga burgu çau ferrën, Arshi Pipa armiku më i poshtër dhe agresor ka lidhje me…

SHPËRNDAJE

Enver Hoxha Dosja-sekrete-Turdiu-Silvana copyAFRIM IMAJ /
Më 3 shtator ’81 ka qenë vizita e fundit që Enver Hoxha ka bërë në shtëpinë e Mehmet Shehut, ish-Kryeministrit komunist dhe numrit dy të regjimit. Atë mbrëmje ka shkuar për të uruar bashkëpunëtorin e tij më të afërt për fejesën e djalit dhe nga ajo ditë e derisa ndërroi jetë, nuk është shfaqur më aty.

Në bisedën me Ramiz Alinë, mëngjesin e 8 shtatorit ’81, është befasuar nga të papriturat tronditëse që ka mësuar për biografinë e papërshtatshme të nuses që kishte kapërcyer rishtas portën e Bllokut të udhëheqjes. Pas kësaj është interesuar të njihet zyrtarisht me dokumentet që komprometojnë integritetin politik të krushqisë së re të Mehmet Shehut. Atëherë, kur ka siguruar të plotë dosjen përkatëse, e ka thirrur në zyrë dhe ia ka vënë në dukje vetë ish-Kryeministrit.

Pas tri takimeve konfidenciale me këtë të fundit, më 11, 12 dhe 13 shtator të vitit 1981, ka filluar shtjellimin e çështjes me krerët e lartë të partisë e të shtetit, jo thjesht për të denoncuar biografinë problematike të vajzës që ishte futur rishtas nuse në Bllok, por për të qëndruar fort ndaj arsyeve që e kishin motivuar Mehmet Shehun të bëhej pjesë e një krushqie reaksionare. Në këto rrethana të panjohura, Enver Hoxha nisi divorcin me njërin nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij, për të vijuar me dizenjimin e prapaskenave që do të kryqëzonin jo thjesht dhe vetëm politikisht Kryeministrin, i cili kishte drejtuar ekzekutivin shqiptar plot 27 vite.

E gjitha kjo sipërmarrje është dokumentuar në dosjen sekrete, që Hoxha e ruante në kasafortën e tij. Në të janë pasqyruar në mënyrë kronologjike dhe me detaje të gjitha bisedat e takimet që ai ka zhvilluar pasi është njohur me të dhënat e papërshtatshme të biografisë së familjes së nuses së djalit të Mehmet Shehut. Në numrin e sotëm, “Panorama” publikon për herë të parë bisedën e Hoxhës me Ramiz Alinë dhe Hekuran Isain pasditen e 18 shtatorit 1981, për të vijuar me bisedat e tjera që janë konsumuar në zyrën më të rëndësishme të regjimit, në vigjilje të eliminimit të njeriut më të fuqishëm pas Enver Hoxhës…

Dosja-sekrete-Enveri-kasaforta-biseda-faksimile1 copy

BISEDA E SHOKUT ENVER HOXHA ME SHOKËT RAMIZ ALIA DHE HEKURAN ISAI MË 12 SHTATOR 1981

Shoku Enver Hoxha i vuri në dijeni shokët Ramiz Alia dhe Hekuran Isai mbi kritikën e rreptë që i bëri shokut Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike dhe Kryetar i Këshillit të Ministrave, për fejesën e papërshtatshme të djalit të tij, Skënder Shehu, me vajzën e një familjeje me qëndrim shumë të keq politik.

ENVER HOXHA: Dua t’ju vë në dijeni se Mehmetin e ndalova të vazhdonte punën në Korçë dhe ai u kthye. Kështu, dje në mëngjes, e thirra në zyrë për sa jeni në dijeni. Thirra dhe Kadriun të vinte, po ndodhet me punë në Fier. Qëllimi që ju thirra është t’ju vë në dijeni për bisedën që pata me Mehmetin për këtë çështje, se me ju isha konsultuar më parë, më informuat dhe ju informova për sa dija. Tani, si qëndron puna? I thashë, more shoku Mehmet, kë pyete ti që fejove djalin me vajzën e Qazim Turdiut?

Je informuar për qëndrimin politik të tij dhe të familjes së tij? Po, m’u përgjigj ai, jam plotësisht i informuar. Kam pyetur për këtë çështje shokun Feçor Shehu, i cili më solli curriculum vitae, sikurse i thonë, dhe më tregoi se babai i vajzës qenka njeri i mirë. Ne jemi përpjekur ta bëjmë atë agjent, me qëllim që nëpërmjet tij të ndikonim te një vëlla i tij ballist dhe i arratisur, që të mos vazhdojë të punojë kundër nesh. Më vonë, Qazimin e hoqën nga lista e agjenturës. Tani ai i ka prerë marrëdhëniet me të vëllanë. Një vëlla tjetër, – vazhdoi Mehmeti, – gjatë kohës së luftës ka qenë në Itali për studime, pastaj pas çlirimit, meqenëse nuk i kish mbaruar studimet, pushteti ynë e çoi në Jugosllavi dhe kur ne u prishëm me Jugosllavinë, ai mbeti andej.

Vajza, – i paska thënë Feçori Mehmetit, – është e mirë, e ndershme, e zgjuar, i ka të gjitha cilësitë. Po e dëgjoja Mehmetin me vëmendje kur më fliste. Po tjetër gjë, nuk të kanë informuar për këtë familje? – e pyeta. Jo,- u përgjigj ai, – tjetër gjë nuk më kanë thënë. Po dua të të tregoj edhe një gjë,- shtoi pastaj,- djali im nuk ka pasur sjellje të mira, shkonte me një çupë që përbërjen politike të familjes e ka të mirë, po vetë nuk qëndron mirë moralisht, është kurvë, e njohur si e tillë në gjithë Tiranën. E ndërpreva dhe në parantezë i thashë se, për fat të keq, këto që po më thua unë nuk i di, se nuk të lija pa t’i thënë që të merrje masa në kohë. Këto m’i kanë thënë përnjëherë ditët e fundit, bile më kanë treguar edhe të tjera dhe do të t’i them të tëra.

Mehmeti vazhdoi të më tregojë se ka qenë shumë i shqetësuar për djalin dhe e këshilloi t’i priste marrëdhëniet me atë vajzë të përdalë dhe e vërteta është se i ndërpreu, – më tha ai. Tani kujdesu që të martohesh, – e kishte këshilluar Mehmeti. Kështu, kur djali shkoi në Stokholm, marrëdhëniet me atë vajzë jo të mirë i kishte prerë. Më në fund, një ditë pasi ishte kthyer nga jashtë, Skënderi shkoi e i tha Mehmetit: Baba, e kam gjetur një vajzë për t’u fejuar. Cila është kjo? – e kishte pyetur ai dhe djali i tregoi emrin. Pastaj Mehmeti e pyeti më tej: Është e mirë? – Babanë e ka profesor, – ishte përgjigjur djali, i mirë është. Ka ndonjë pjesëtar jo të mirë nga njerëzit e familjes, po ai i ka prerë marrëdhëniet me ta. Thirra pastaj Feçorin, – vazhdoi Mehmeti, – dhe më tha ato që të tregova më parë. Kështu, tok me Fiqretin gjykuam ta përfundonim këtë fejesë, mbasi i ati i vajzës nuk kishte ndonjë gjë negative, lidhje nuk kishte me të arratisurin, vetë vajza gjithashtu ishte e mirë, prandaj vendosëm dhe i thamë djalit që ne jemi dakord që të fejohesh. Me rastin që Feçori i kishte çuar informacionin, Mehmeti e kishte pyetur këtë të fundit: Feçor, ti je shoku ynë, po vihu një herë në këmbën time.

Sikur të të ndodhte një ngjarje e tillë me djalin tënd, çfarë do të bëje? Dhe Feçori i qe përgjigjur se, po të ishte për çupën, do ta merrte. Për të tjerat do shkonte e do të pyeste Mehmetin. Përgjigje e zgjuar kjo nga ana e Feçorit. Pasi mbaroi tregimin Mehmeti, iu drejtova me pyetjen: E thellove përgjigjen që të tha Feçori? Sinjali që të dha ai donte të thoshte se ti duhej të shkoje e të pyesje një shok tjetër. Natyrisht, në këtë situatë kë do të pyesje? Duhej pra, të vije e të më pyesje mua në radhë të parë.

RAMIZ ALIA: Dhe në fakt, Feçori tërthorazi ashtu i tha.
HEKURAN ISAI: I ka folur shumë bukur Feçori.

ENVER HOXHA: Po, po. Pse nuk e bëre ti këtë?, – e pyeta unë. Cila ka qenë arsyeja që ti deshe të lidheshe me këtë familje? Çfarë ka pas bërë Qazim Turdiu që ta lante këtë të kaluar kaq të keqe të familjes dhe të vetë qëndrimeve të tij? – shtova unë. Nuk më sqaron një çikë?! Qazim Turdiu njihet se ka qenë profesor pas çlirimit, por ka mbajtur qëndrim indiferent, kurse gjatë luftës ka qenë ballist.

RAMIZ ALIA: Nga Balli Kombëtar ka anuar ai.

ENVER HOXHA: Pak të duket ty Mehmet, që ky njeri të ketë dy vëllezër të arratisur politikë? – i thashë.

HEKURAN ISAI: Dhe bile, njëri prej tyre me aktivitet kundër vendit tonë. Tani, një njeriu të tillë me një veprimtari armiqësore të vazhdueshme, nëpërmjet të vëllait që ka këtu, ne t’i lutemi të mos ushtrojë aktivitet kundër vendit tonë.

ENVER HOXHA: Po, këto i thashë unë Mehmetit. Shoku Enver, e shoh që kam bërë gabim, – m’u përgjigj ai. Mirë, more shok, pse ta bëje këtë gabim ti që hiqeshe shumë parimor,- iu drejtova unë. Të lejohet ty Mehmet, anëtar i Byrosë Politike, të bësh një gabim të tillë politik? Ne kemi përjashtuar nga Partia Komuniste të tjerë për hiç gjë. Pastaj, në raste të tilla vetë ti ke qenë i pari që ke ngritur zërin. Po dhe shoqja Fiqret, për shkak se një profesor në Shkollën e Partisë mori një vajzë për djalin që e kishte xhaxha nuk e di se ku në djall, bëri gjithë atë zhurmë kundër tij në shkollë.

HEKURAN ISAI: Për Sotir Manushin ishte fjala, djali i të cilit u martua me një vajzë nga familje me qëndrim jo të mirë.

ENVER HOXHA: Po, po, për Sotir Manushin. Nejse. Si është kjo punë kështu, – e pyeta prapë Mehmetin. Lëre tani, shoku Enver, kam bërë gabim të madh. E drejtë është kjo që thoni ju, – më tha Mehmeti. Që e kam drejt, nuk ka asnjë diskutim, – e ndërpreva unë, – por kam akoma për të të thënë. Nuk e di nëse të kanë informuar apo jo, se nuk janë të plota ato që më tregove ti, megjithëse edhe me aq ty nuk të lejohej në asnjë mënyrë që ta bëje këtë krushqi.

Një nga vëllezërit e Qazim Turdiut, – vazhdova unë, – është kriminel lufte dhe ne e kemi në listën e atyre që, po të kthehen në Shqipëri, përnjëherë i pushkatojmë. Atij i ndalohet me ligj hyrja në vendin tonë, kurse vëllai tjetër është ashtu si the ti. Po edhe babai i Qazim Turdiut, si avokat ka mbrojtur kriminelët e luftës. Sikur ka qenë farmacist, kam dëgjuar të më thonë.

Dosja-sekrete-Enveri-kasaforta-biseda-faksimile copy

RAMIZ ALIA: Farmacist ka qenë vëllai i Qazimit.
ENVER HOXHA: Nuk e di, – vazhdova, – kështu më kanë thënë për babanë e Turdiut. Bile më kanë thënë se edhe e paskemi pushkatuar. Pastaj vazhdova: Po përbërja e mëmës së vajzës, si është? Nuk di shumë gjëra për të, – m’u përgjigj Mehmeti, – po… Atëherë po t’i tregoj unë, – i thashë. Nëna e vajzës, më duket ka një vëlla të pushkatuar, një tjetër të arratisur me gjithë motrën. Sa u lirua nga burgu ku e kishim futur dhe ai çau ferrën me gjithë motrën. Po mbi të gjitha Arshi Pipa, një nga krerët e reaksionit armik që ndodhet në SHBA.

Nuk e dije ti Arshi Pipën? Cilin Arshi Pipa, – më pyeti ai. Ti ke qenë ministër i Brendshëm dhe duhet ta dish,- i thashë unë. Veç kësaj, neve na kanë ardhur vazhdimisht informata nga kuadrot e kundërzbulimit. Arshi Pipa është nga armiqtë më të poshtër e më agresorët. Këto unë nuk i dija,- ma ktheu Mehmeti, – po është e qartë tani, gabim të madh kam bërë dhe e kam bërë unë vetë këtë gabim. Jam unë që e kam bërë këtë gjë. Nuk kam asnjë dyshim që ti e ke bërë, – e ndërpreva unë, por ama ti nuk duhej ta kishe bërë. Megjithatë, ka këtu disa arsye që ti e ke bërë, – i theksova, – dhe këto do t’i radhit një e nga një si Sekretar i Partisë dhe si shok nga më të ngushtët të tutë. Unë vazhdimisht të kam folur kur ke bërë gabime, t’i kam vënë ato në dukje menjëherë. Kur t’u përgjigj Feçori që për familjen e vajzës, po të ishte në vendin tënd, ai do të vinte e të pyeste Partinë?

Nuk të vajti ty një çikë në mendje që të vije të konsultoheshe me mua për këtë që mendoje të bëje? – vazhdova unë. Ky njeri kishte diçka me rëndësi të madhe politike në familjen e tij, edhe në biografinë e tij. Le të supozojmë se rrethin familjar të nënës së vajzës ti nuk e njihje, po të paktën mbi përbërjen familjare të Qazimit kishe dijeni, prandaj duhej të vije të më pyesje mua.

Këtë ti nuk e bëre, se të pëlqeu mendja jote, kurse mendja ime për ty nuk kishte asnjë vlerë. Jo, nuk është kështu, po mendova që mos të të shqetësoja, – tha Mehmeti. Kur unë fejova fëmijët e mi, – e mora fjalën përsëri, – isha i bindur se ata u lidhën me vajza që kishin prindër me përbërje të mirë, të lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare, prandaj nuk ndjeva nevojën të të pyesja ty në të tilla kushte. Sikur të kisha parë diçka negative te të fejuarat e fëmijëve të mi, këtë do ta gjykoja më parë vetë dhe në rast se do të bija në dilemë, do të pyesja shokët. Kurse ti, megjithëse re në dilemë, mua nuk më pyete dhe ka një arsye që nuk veprove kështu.

RAMIZ ALIA: Kurse Feçorin e pyeti.

ENVER HOXHA: Nuk më pyete, – i thashë, – se ke pasur mendimin që çdo gjë që vendos ti është e drejtë dhe duhet ta pranojnë dhe të tjerët. Po ka dhe një gjë tjetër te ty, – i theksova. E kupton ti çdo të thotë fjala frëngjisht “cachottier?”. Kashotie është ai që i fsheh veprimet që bën përpara të tjerëve. Edhe ti, edhe Fiqreti, çështjet familjare e personale të kësaj natyre i fshihni, nuk jeni të hapur ashtu siç duhet të jeni me shokët më të ngushtë.

Unë në asnjë mënyrë nuk kam arsye të të njoftoj ty për çdo çështje që bëhet në shtëpinë time. Por kur ka çështje të kësaj natyre, si kjo që ndodhi me ty, është e domosdoshme të bisedohet e të konsultohet edhe me shokët, kurse ju e keni mbajtur fshehur. Si të mos më lajmëroje ti mua dhe këtë që ju ndodhi të ma bësh të ditur nëpërmjet Ilirit dhe gruas së tij? Megjithatë, edhe ata ju i vutë përpara një “fait acompli”.

HEKURAN ISAI: Domethënë, mbasi e kishin mbaruar punën.

Vijon..

  *Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

1 – EKSKLUZIVE/ “Djali shkonte me një k*rvë, e njohur në gjithë Tiranën”- Zbulohet dosja sekrete në kasafortën e Enverit, zbardhet biseda me Mehmet Shehun pas fejesës me Silva Turdiun

 

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.