Ekskluzive/ Batutat e të burgosurve VIP në qeli. Dritan Dajti-Xhuvanit: Prisja ndonjë ministër, më sollën një drejtor

Jun 22, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

Të paraburgosurit dhe të dënuarit në mbarë vendin kanë shprehur dje vullnetin e tyre me votë për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive dhe për këshillat bashkiakë. Ata kanë votuar në qendra votimi të ndërtuara brenda institucioneve, ku vuajnë privimin e lirisë. Gazeta “Panorama” ndoqi dje procesin e votimit në paraburgimin “Mine Peza” në kryeqytet, i njohur dhe si paraburgimi “302”.

Një dhomë e vogël brenda regjimit të brendshëm të këtij institucioni, që në përditshmëri shërben si vend për këshillimin psiko-social, ishte qendra që priti rreth 180 votues. Gjithë procesi rrodhi procedurialisht korrekt mes një klime miqësore mes anëtarëve të komisionit. Fryma pozitive u ndikua jo pak nga batutat e të paraburgosurve.

Në një rast, këmbëngulja e kryekomisionerit nëse një votuesi iu vendos shenja në gisht, mori nga ky i fundit përgjigjen “mos ki merak o derëbardhë se dhe po desha të dal për herë të dytë, nuk më lënë këta shefat”, duke iu referuar gardianëve. Batutave me ironi e humor shoqëruan edhe çastet e votimit të personazheve “vip” në këtë institucion.

 

Mark Frroku duke votuar ne paraburgimin 302

Mes personave të tjerë, në dhomën e votimit të ngritur brenda institucionit, u shfaqën edhe të paraburgosurit “VIP”. “Panorama Online” publikon foto ekskluzive të momentit të votimit të deputetit të Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku, i cili qëndron në arrest në burg, si i dyshuar për akuzën e “vrasjes me paramendim”.

Ermal Hoxha duke votuar

DEPUTETI FRROKU 
Deputeti Mark Frroku ishte në grupin e pesë votuesve të parë të paraburgimit “302”. Ndonëse me statusin e të paraburgosurit, ai nuk ishte zhveshur nga “petku” i deputetit, duke u paraqitur i veshur shik me pantallona dhe këmishë. I buzëqeshur, ai përshëndeti përzemërsisht anëtarët e komisionit të votimit dhe të pranishmit e tjerë. Vetëm pak çaste më pas, një keqkuptim verbal mes tij dhe njërit prej vëzhgueseve në qendrën e votimit, krijoi një situatë komike.

Teksa po firmoste në anë të emrit të tij në listën e zgjedhësve, njëra nga vëzhgueset femra iu drejtua Frrokut: “Mirë zemra”?
“Mirë faleminderit – ia ktheu deputeti – si je vetë”?
“E kisha për zemrën zoti Frroku”, tha vëzhguesja, duke iu referuar problemeve shëndetësore dhe ndërhyrjes në zemër që ka bërë deputeti pas arrestimit.

“Ëhë, mirë dhe ajo”, u përgjigj deputeti, batutë që u përcoll me të qeshura.
Pasi votoi dhe hodhi dy fletë e tij në kutitë përkatëse, Frroku lëshoi një tjetër frazë tipike prej politikani. “Fitore e shqiptarëve”, tha ai para se të largohej.

Dritan Dajti dhe Pjerin Xhuvani ne qendren e votimit ne paraburgim

HOXHA 
Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha, i arrestuar nga operacioni antidrogë “Xibraka” në janar të këtij viti, ishte një nga votuesit e qendrës së votimit nr. 1967, në burgun “Mine Peza”. I dyshuar si një nga anëtarët e rrjetit të trafikut të kokainës që përpunohej në laboratorin e Xibrakës, mbante veshur një bluzë të verdhë dhe pantallona të shkurtra. Hoxha shkëmbeu fare pak fjalë me kryetarin e komisionit në lidhje me procedurën e të votuarit. 

DAJTI 
Dritan Dajti i dënuar me burgim të përjetshëm nga Shkalla e Parë për vrasjen e katër policëve në vitin 2009 në Durrës, dënim i prishur nga Apeli që ka kthyer dosjen në rigjykim, u fut i shoqëruar dje në qendrën e votimit. Në njërin krah, Dajti mbështetej mbi një patericë, mjet ndihmës që i mban për shkak të një plumbi që ka marrë gjatë operacionit për arrestimin e tij. Në krahun tjetër, ai kishte të paraburgosurin Pjerin Xhuvani, ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, i arrestuar si i përfshirë në skandalin e rimbursimit të ilaçeve.

Xhuvani është njëkohësisht ishkryetar i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, dega Elbasan. Dajti nuk i kurseu batutat ndaj të paraburgosurit Xhuvani që kishte në krah. Duke i vënë krahun e djathtë në qafë, Dajti tha se ai ishte gabimisht në burg. “Drejtori është gabimisht këtu në burg”, tha Dajti duke iu referuar Xhuvanit. “Unë pres ndonjë ministër, këta më sjellin një drejtor. Edhe dy ministra nuk do të ishte keq”, tha Dajti me ironi. Dritan Dajti kishte marrë leje për të votuar në Gjykatë, për shkak se emri i tij nuk rezultonte në listën e zgjedhësve të burgut. ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura