EKSKLUZIVE/ Ushtar, kuzhinier dhe bomber, Telushi tregon sekretet: Ja si Partizani e fiton titullin

Feb 18, 2020 | 9:26
SHPËRNDAJE

Bruno Telushi po kalon një moment super te Partizani, ku në javën e shkuar shënoi 5 gola për kampionët. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport” pas fitores në Laç, mesfushori vlonjat tregon momentin e tij dhe të skuadrës, përmirësimin e situatës me ardhjen e trajnerit Adolfo Sormani, synimet, por edhe pasionet dhe hobet e tij për futbollin, muzikën dhe ushqimet. Telushi është një adhurues i Kristiano Ronaldos dhe kjo e ka bërë që ai të “tradhtojë” edhe Interin për të mbështetur Juvetusin. Vlonjati gjithashtu tregoi se pasion ka edhe gatimin dhe e bën me qejf kuzhinierin. Sa i përket muzikës, Telushi pohoi se rrepi dhe hip-hopi e karikon. telushi

Ai dëshiron që fëmijët e tij të ndjekin rrugën e tij si futbollist dhe nëse do të ndodhte, do të ndihej krenar. Në rrëfimin e tij, vlonjati u tregua modest, pasi tre golat e shënuar ndaj Besëlidhjes i shumëzon me zero, gjersa ekipi nuk arriti të kualifikohet. Gjithsesi, ai vlerëson momentin e tij, si dhe tregon se çfarë po ndodh me sulmuesit e ekipit që nuk po shënojnë. Sipas tij, te situata negative nuk ndikoi derbi, por shpreson që derbi i radhës të jetë sërish i kuq. Telushi vlerëson shumë trajnerin Sormani, që sipas tij po tregon se është një njeri me zemër të madhe. 29-vjeçari tregon se si Partizani fiton titullin, duke lënë të kuptojë se nëse “demat” janë në 100%, Kukësi dhe Tirana nuk e shqetësojnë.

Keni shënuar 5 gola për 4 ditë, çfarë do të thotë ky fakt për ju, duke ditur se jeni edhe mesfushor shkatërrues?

Pjesa e golave të shënuar, të motivon shumë, por më vjen mirë me veten se po kap formën dhe po jap maksimumin për shokët dhe ekipin. Kjo është më e rëndësishmja.

Kur shënojnë mesfushorët, diçka nuk shkon me sulmin. Realisht çfarë po ndodh me sulmuesit e Partizanit që nuk po e gjejnë golin?

Për mua është edhe çështje fati dhe kohe. Me sulmuesit po punohet për ditë në stërvitje. Trajneri po punon me ata edhe psikologjikisht. Shpresoj që ata të vijnë në maksimumin e tyre dhe të japin kontributin për skuadrën.

Trajneri nuk i vë nën presion, por i mbron edhe kur nuk shënojnë, pasi për Sormanin rëndësi ka që ekipi të bëjë gol, pa u bazuar tek emri…

Kjo është e vërtetë dhe gjersa luajmë 11 në fushë. Kjo është gjëja më e mirë për trajnerin që nuk i intereson kush e bën golin, por që të vijë goli. Unë besoj se do të vijë edhe dita e sulmuesve dhe do të na ndihmojnë në vijim, madje duke nisur nga ndeshja e radhës me Bylisin.

Një javë e kalibruar për ju, me 5 gola. Keni pasur më herët një sukses kaq të madh nga goditjet standarde?

Me thënë të drejtën, përveç ndeshjes në Laç, që ishte një takim shumë i mirë, plus dhe golave, “tripletën” e Kupës i zerova me veten time, për shkak se nuk u kualifikuam. Ata mbeten tri gola që nuk i shërbyen skuadrës. Nuk e mohoj se ka qenë një javë shumë e mirë për mua, që më ka ndihmuar shumë dhe shpresoj të vazhdoj kështu.telushi ushtar

Cili është goli më i rëndësishëm që keni shënuar në karrierë?

Nuk mund ta zgjedh dot një gol të tillë. Por për mua golat më të rëndësishëm janë ata që i kanë dhënë trepikëshin ekipit. Vjet kam shënuar shumë gola me vlerë trepikëshe dhe besoj që të shënoj edhe këtë vit. Edhe në Vlorë kam shënuar gola të tillë.

Po goli më i bukur?

Të them të drejtën, kam shumë gola të bukur. Sërish nuk zgjedh dot.

Çfarë ka Partizani më shumë se Tirana dhe Kukësi që të besojë sërish se mund të fitojë titullin?

Ne kemi qenë për disa javë në vend të parë dhe ata që kanë qenë poshtë nesh na kanë kapur dhe kaluar. Tani të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Partizani. Fillimisht të mundohemi që të kapim kryesuesit, pastaj për titullin të shikojmë deri në fund.

Nga dy kryesuesit, Kukësi apo Tirana ju shqetëson më shumë?

Mua më shqetëson më shumë Partizani. Nëse Partizani është në formën e tij më të mirë, atëherë mua nuk më shqetëson asgjë tjetër.

Cili është numri i këmbës dhe a jeni supersticioz për këpucët e lojës?

Numri i këmbës është 42. Për këpucët vërtetë jam supersticioz. Madje, kur futem në fushë, mundohem t’i harroj disa gjëra, t’i anashkaloj, pasi fiksohem shumë te detajet. Por këpucët nuk i harroj.

Keni një ushqim të preferuar?

Mundohem të bazohem tek ushqimet që kanë kaloritë e duhura, që i vijë në ndihmë një futbollisti. Meqë jam nga vendi i deti, po zgjedh karkalecat krudo.bruno telushi

Nga postimet në rrjete sociale, kemi vënë re se edhe gatuan…

Po, është e vërtetë. Më pëlqen gatimi dhe shpesh gatuaj në shtëpi për vete apo familjen time. Është diçka që e bëj me qejf.

Fëmijëve do t’ua injektosh pasionin për futbollin?

E para, shpresoj që ata të jenë për futbollin. Të rriten edhe pas nëse ato me aftësitë e tyre do më mbushin syrin dhe mendjen, unë do të punoj shumë me ata personalisht. Do të doja shumë që ata të ndjekin hapat e mi, madje do të isha shumë krenar për këtë gjë.

Për cilin klub dhe kombëtare të huaj bëni tifozllëk?

Ndoshta nga Kristiano Ronaldo jam bërë pak tifoz me Portugalinë. Me klube kam qenë me Interin, por pasi ka shkuar Ronaldo te Juve, tani më shumë përkrah Juventusin. Nuk jam një tifoz fanatik, që të mbështes një klub të veçantë. Jam një tifoz i thjesht.telushi

Pra, jeni një tifoz i Kristiano Ronaldos dhe shkoni pas tij…

Po, është e vërtetë, Ronaldon e ndjek shumë, pasi është një njeri që të inspiron shumë si futbollist. Shikon shumë gjëra që ia vlen t’i ndjekësh dhe praktikosh si futbollist. Pra, vlerësoj pjesën e profesionalizmit që ai ka.

ILIR CARA

INTERVISTËN E POLTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura