EKSKLUZIVE/ U prangos i zhveshur në hotel, flet e ëma e Stresit: Hakmarrje pas padisë për… (E PLOTË)

Oct 19, 2018 | 23:19
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ “Hakmarrje 24 orëshe” e quan nëna e Stresit arrestimin e tij në një hotel në Linzë dy ditë më parë. Sipas Shpresa Lushajt, gjithçka ka ndodhur pas padisë që i shoqi, Sali Lushaj, depozitoi në Gjykatën e Tiranës kundër deputetit socialist Taulant Balla. 

Stresiii

Madje, nëna e këngëtarit ka dyshime të forta për momentin e arrestimit të Stresit, aq sa shprehet se pistoleta e pretenduar si e të birit dhe që e mbante pa leje, nuk ishte e tij. Ajo thotë se djali i saj ka qenë në një ditëlindje e më pas ka fjetur në hotelin ku i shkoi Policia për ta arrestuar, duke i vënë prangat në gjumë.

Ndërsa policët mbanin në dorë një pistoletë dhe një peshqir. Kështu i është shprehur vetë Stresi avokatit gjatë ditës së djeshme. Shpresa Lushaj hedh poshtë çdo mundësi që i biri të jetë pjesë e një grupi kriminal dhe të gjithë këtë operacion policor ajo e quan një farsë të turpshme.

Djali juaj është arrestuar të mërkurën, i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal. Çfarë dini ju rreth akuzave të ngritura ndaj Stresit?

Padia që i bëri bashkëshorti im zotit Taulant Balla, menjëherë u kthye restoja me ndalimin dhe arrestimin e Stresit. Pra, është një hakmarrje 24 orëshe.

Pra, ju mendoni se arrestimi i Stresit është hakmarrje?

Po, absolutisht hakmarrje. U bë një gjyq pa njoftuar fare, duke thënë se ishte në procedim, po e ndiqnin dhe Gjykata mori një vendim. Një vendim i pabesueshëm, në kuptimin që, nuk ka ndodhur një krim, Stresi nuk është as bandë, as grup kriminal. Absolutisht është një artist i lirë, i pacensuruar, i rritur deri në moshën 19-vjeçare në Europë, siç rriten të gjithë europianët. Sheh të bardhën i thotë e bardhë, sheh të zezën i thotë e zezë. E zhvesh këmishën në lokal, sepse i duket e lirë çdo gjë. Ka sedër, është djalë me principe morale. Nuk mund t’i thuash Stresit grup kriminal. Ne në familjen tonë çfarë nuk kemi kaluar. As nuk kemi prona, as nuk kemi lokale, restorante, hotele, jahte, makina luksoze, as parcela të mbjella. Nuk jemi aluduar asnjëherë për shitje, për mbjellje, për asnjë gjë të tillë. Ne jemi njerëz që na u ka vënë politika, jo sot, por 40 vjet përpara. Të internuar politikë, bashkëshorti im i dënuar politik, unë që kam rritur fëmijët pa burrin, duke shkuar nga një burg politik, në internim, nga internimi prapë në burg politik derisa kemi ardhur këtu.

Çfarë ju ka thënë avokati?

Nuk ka ndodhur asnjëherë që Stresi të plagosë, të vjedhë, të përdhunojë, të grabisë banka. Kush është grupi kriminal? Për çfarë arsyeje ai quhet grup kriminal. U bëj thirrje të gjitha instancave, që të bëhet figura jonë e pastër në publik dhe të shihet çdo gjë në qoftë se ka lidhje me grup kriminal. Në qoftë se quhesh grup kriminal, ti ke vrarë, ke grabit. Këtu po ndodhin grabitje, kapje me tonelata të lëndëve narkotike. Dhe sot Stresi ka një akuzë. Se ku është bazuar Prokuroria që ka kërkuar “arrest me burg” për Stresin, unë nuk e kuptoj. Ajo e di, ndoshta janë baza ligjore që ata kanë vënë, ne do e shohim në vazhdimësi, pasi ai do dalë në gjyq.

A keni komunikuar nëpërmjet avokatit me Stresin?

Ai është shumë optimist.

Po Stresi vetë, çfarë ka deklaruar?

Ai ka thënë që pas festimit të një ditëlindjeje kanë fjetur në një hotel, bashkë me një shokun e tij. Ky në dhomën e vet, ai në një dhomë tjetër. Policia ka hyrë brutalisht dhe e ka gjetur në gjumë. Në momentin që është zgjuar, Stresi thotë që i ka parë policët që kishin një armë në dorë dhe kishin edhe një peshqir që e mbanin në dorë. Kaq ishte. Edhe lajmi që u dha nëpër media ishte vetëm një fotografi, nuk ishte momenti i kontrollit. Ishte momenti që zgjonin Stresin, e kapnin nga krahët, e sillnin në oborrin e Policisë dhe asgjë tjetër.


View this post on Instagram

Si u arrestua Stresi, i zhveshur në shtratin e hotelit kur i vunë prangat

A post shared by Panorama Online (@gazeta.panorama) on

stresiA është njohur avokati me dosjen e Prokurorisë?

Avokati është njohur, por nesër (sot) në orën 12:00 është në Gjykatë për komunikimin e masës së sigurisë. Pra, do të njihet me vendimin që Gjykata e Shkallës së Parë ka marrë në mungesë.

Pse mendoni se ndodhin gjithë këto incidente të Stresit me Policinë?

Është e turpshme, është e pafalshme, se sa herë që Stresi është në një sukses, në një dalje publike, në një prodhim të një kënge, të një klipi, të nesërmen arrestohet. Por edhe një gjë nuk e kuptoj nga Policia, çfarë suksesi kanë pasur me ndalimet e Stresit. Ai është ndaluar një natë para se të bëheshin votimet, sepse thoshin nuk është zbardhur vendimi i muajit aq e kaq, kur vendimet tani i gjen online kudo. Edhe për këtë arsye e mbanin nga 24 orë brenda. Çfarë regjimi jemi ne, ku po shkojmë? Ne jemi të frikësuar. Stresi ka mundësi edhe të mos jetojë për mënyrën se si po sillen me të. Para një muaji ka shkruar edhe media, kur një shok i Stresit niset për të shkuar diku me motor, e qëllon Policia dhe i thonë na fal se ishte qitje e pavullnetshme. E rrahin, e lënë të përgjakur në rrugë dhe nuk e çojnë as në spital. As një zhurmë, as një ndikim, as një indicie nga askush. Është një trysni, për të cilën ne do bëjmë apel. Është e turpshme që të instalohet edhe një herë regjimi më i keq që ka ekzistuar.

Prokuroria dhe Policia thonë që ka përgjime. Avokati apo vetë Stresi, çfarë thonë në lidhje me këto përgjime?

Janë biseda shumë të zakonshme. “Ku po shkon?” “Po shkoj në Greqi”. Ja gjëra të tilla. Unë po të them edhe një gjë. Kemi 3 vjet që Policinë e kemi në oborr, në shtëpi, hajde në 12 të natës, shko në 12 të natës. Çfarë u bë kështu, çfarë jemi ne? Pse ndodh e gjithë kjo? Ne jemi të lexueshëm, jetojmë në komunitet. Ne punojmë, jemi në shoqëri gjithandej. Ne nuk jemi njerëz të kamufluar, as të lidhur.

Ju ka ardhur Policia për kontroll në shtëpi pas arrestimit të Stresit?

Jo, absolutisht, deri në këtë moment jo.

Sali-Lushaj-stresi-arkimed-lushaj

Kur e morët vesh që ishte arrestuar djali juaj?

Në darkë. Mund të ketë qenë ora diku rreth 19:00 e mbrëmjes. E kemi marrë vesh atëherë kur ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë.

Pas arrestimit mbrëmë (të mërkurën), a ka marrë kontakt avokati me të në Polici?

Jo, mbrëmë nuk është lejuar. Vetëm sot (dje). Nuk është lejuar sepse ata kanë menduar se Stresi po pranon të flasë diçka. Por ai nuk ka pranuar asgjë, u ka thënë këto janë tuajat, merrini dhe çojini ku të doni. Edhe momenti i arrestimit ishte terror, me antiplumba, sikur kë po merrnin. Unë kur e kam parë sot (dje) në media, e marrin në krevat, e kapin nga krahët, e zbresin, e hipin në makinë edhe aty i japin një pistoletë dhe një qese të vogël, diçka e bardhë që ishte mikroskopike. Të jetë ai trafikant, grosist i një grupi të madh dhe të ngrihet në këmbë e gjithë Policia, për çfarë? Ku jemi ne që nuk morëm vesh që po na ndodh gjithë kjo hata e madhe? Nuk na vijnë në shtëpi që të na lajmërojnë. Ne jemi të hapur. Policia e di çdo centimetër të shtëpisë sonë, sepse ka ardhur edhe dy herë të tjera. Është turp, është farsë, është dështim. Unë nuk i them djalit tim të mbajë armë. Unë jam nënë dhe nuk dua që asnjë njeri të mbajë armë në dorë. Por ama kam dëgjuar politikanë, nuk po përmend emra, që kanë thënë bëhuni gati, mbrohuni, sepse jeni në ditën më të keqe. Kur vetë polici kërkon mbrojtje dhe nuk gjen mbrojtje nga shteti, po unë kush jam. Kush më mbron mua sot? Stresi nuk ka sjellë kurrë armë në shtëpi dhe as nuk ndodh kjo gjë. Ne besojmë edhe në Zot. Unë jam njeri që besoj shumë. Nuk them që ato që flet Stresi, sepse ai është djalë që flet hapur, pa doreza, edhe kundërshton, edhe demaskon shtetin. Po pse tani fjala e lirë do ndalohet? Deri- diku po futet edhe neni 55, agjitacion e propagandë. Bëjnë publike një video të arrestimit të Stresit vetëm për të mbuluar skandalet, video-përgjimet që po ua bëjnë gjithkujt. Nuk janë bërë sot, rastet janë shumë të rënda, por jo me Kedin tim. Ata mund të bëjnë gjithçka, ta shfrytëzojnë ligjin deri në maksimum. Por ju lutem shumë dhe ju bëj thirrje publikisht, jo Xhafajt, sepse ai e ka dorëzuar vetë vëllain e tij në Itali dhe po bëhet e gjithë kjo farsë këtu.

Ndërhyn Sali Lushaj: Ashtu siç ke bërë këngën “Mos u dorëzo”, po të themi ne sot ty mos u dorëzo. Do na kesh afër. Ne kemi duart, ju keni hekurat. Kaq do i them këtij shteti.

Nëna e Stresit, Shpresa Lushaj: Ne kemi parë situata të sajuara, që nga video-përgjimet politike që kanë montuar dhe i kanë përdorur siç kanë dashur. Por që do arrinin deri te një këngëtar i repit, nuk e besoja dot. Ata nuk e bëjnë për Kedin (Stresin), ata mund ta bëjnë për bashkëshortin tim. Ashtu siç e thashë edhe në fillim, kjo është një hakmarrje 24 orëshe. Një resto që na u kthye pa kaluar as 24 orë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura