EKSKLUZIVE/ “U largova pa dëshirën time”, rrëfehet Aurelio: Luftëtari s’donte të më paguante, ja pse i padita (E PLOTË)

Jan 15, 2020 | 20:40
SHPËRNDAJE

Marko Aurelio Ribeiro Barbieri është emri i tij i plotë dhe Luftëtari duhet t’i paguajë një shumë prej 60 mijë eurosh nëse dëshiron t’i zhbllokohet merkatoja e janarit. Mesfushori erdhi në Gjirokastër në janar të vitit 2018, kur skuadra bluzi drejtohej nga Hasan Lika dhe mbylli një sezon historik, duke u kualifikuar në Ligën e Europës. aurelio-1-696x371

Aurelio luajti vetëm 10 ndeshje në pjesën e dytë të sezonit 2017-2018, mirëpo më shumë se protagonist në fushë, tashmë braziliani 36-vjeçar ka “rrëmbyer” skenën, për faktin se u bë shkas që Luftëtarit t’i bllokohet nga FIFA regjistrimi i lojtarëve. Aurelio u largua pas vetëm 6 muajsh nga gjirokastritët dhe më pas bëri një padi në FIFA ndaj klubit bluzi. Ai fitoi gjyqin dhe priti për një kohë të gjatë të shlyhej, por Luftëtari nuk i respektoi afatet.

Tashmë klubi është i detyruar të paguajë ish-mesfushorin, i cili që pas aktivizimit me bluzinjtë ka hequr dorë nga futbolli i luajtur. “Faleminderit që më kontaktuat, por është e rëndësishme që të dihet se unë nuk kam asgjë kundër klubit, thjesht dua atë që më takon nga kontrata”, thotë fillimisht Aurelio në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Ai sqaron të gjithë historinë me klubin e Luftëtarit pas largimit në qershor 2018, nga kohëzgjatja e kontratës deri te gjyqi dhe pa harruar imazhin e mirë që ka për Gjirokastrën dhe tifozët bluzinj.

Luftëtarit i është bllokuar merkatoja për shkakun tuaj. Na tregoni pak si është historia e gjyqit me klubin?

Ky nuk është vendimi im. Ata nuk më kanë shlyer detyrimet dhe është vendim i FIFAs për t’i bllokuar. Klubi nuk donte që të më jepte paratë që më takonin. Bisedova dhe nuk gjeta një zgjidhje, kështu që shkova në FIFA. Kjo e fundit, pasi gjykoi çështjen, më dha të drejtë. Është shumë e thjeshtë, nuk e dënoj unë klubin.

Keni arritur ndonjë marrëveshje me Luftëtarin pas vendimit të fundit?

Jo, nuk ka ende një marrëveshje. Çështja ka ngecur.
AURELIO RIBEIRO

Presidenti i Luftëtarit deklaroi dy ditë më parë se po bisedon me përfaqësuesin tuaj ligjor për të arritur një marrëveshje, në mënyrë që FIFA të heqë dënimin. Si është e vërteta?

Po, më ka vënë në dijeni avokati dhe pres zgjidhje.

Sa është shuma që Luftëtari ju detyrohet?

Duhet të më mirëkuptoni, nuk kam dëshirë të flas për shifra. Nuk është e ndershme. Unë thjesht dua të më paguajnë atë që është imja dhe më takon me vendim gjyqi.

Klubi ka ndryshuar president, pasi nuk është më Grigor Tavo. Çfarë ju kanë thënë gjatë kësaj periudhe?

Nuk e di fare kush është në drejtim të klubit. Unë kisha kontratë me Luftëtarin dhe kërkova në FIFA atë që më takonte.

Si ka qenë kontrata juaj me Luftëtarin?

Kontrata ime te Luftëtari ka qenë 18-mujore, ndërsa unë u largova pas vetëm gjashtë muajsh nga skuadra, por jo me dëshirën time.

Pse mendoni se erdhën gjërat në këtë pikë dhe ndiheni i zhgënjyer nga mënyra se si janë sjellë drejtuesit me ju? 

Nuk kam asnjë dyshim që periudha kur luajta me Luftëtarin ka qenë një sezon fantastik, ku arritëm diçka që askush nuk e kishte parashikuar. Është shumë e rëndësishme të them se klubi i Luftëtarit ka qenë shumë i rëndësishëm në karrierën time profesioniste, edhe pse unë kam luajtur për ekipe më të mëdha në Greqi, Qipro dhe Brazil. Por, unë kisha një kontratë me ata, ndaj dhe duhet të përmbushej deri në fund. Ngaqë kontrata nuk ishte përmbushur, FIFA vendosi të më japë atë që më takon.

A ruani kontakte me ishshokët e skuadrës dhe çfarë mbani mend më tepër nga aventura e shkurtër në Gjirokastër?

Nuk kam kontakt me asnjë prej lojtarëve që kanë mbetur në ekip, por ishte një eksperiencë shumë e mirë. Fatkeqësisht, ishte kohë e shkurtër, pasi doja të luaja më gjatë me Luftëtarin. Megjithatë, sërish ruaj respekt për tifozët. Ishte e mrekullueshme si ata më përkrahnin kur luaja. Kjo do të thotë shumë për një lojtar profesionist.

Luftetari-afron-dy-braziliane-per-krahun-e-majte

Kush ishte personi që ju solli te Luftëtari në janar të vitit 2018? 

Kam luajtur me Vasil Shkurtajn në Qipro tek Aris Limasol. Ishte ai që më kontaktoi mua dhe më pyeti nëse dëshiroja të luaja me atë në Gjirokastër, kështu që vendosa të vija, por kontaktet për të firmosur kontratën i kam pasur direkt me Vangjel Çavon (drejtor në klub).

Pasi jeni larguar nga Shqipëria, keni vazhduar të luani futboll apo jeni tërhequr?

Fatkeqësisht, jam tërhequr nga futbolli i luajtur.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura