EKSKLUZIVE/ Tifozët kërkojnë largimin e Panucit, De Biazi thotë se…

May 31, 2018 | 22:07
SHPËRNDAJE

Ka pasur shumë shqiptarë që e kanë çuar nëpër mend De Biazin gjatë kohës që Kosova i jepte leksion futbolli skuadrës së drejtuar nga Panuçi. Dhe ndoshta me të drejtë. Natyrisht, bëhej fjalë për një miqësore dhe nuk do të shqetësoheshim kaq shumë për një humbje, nëse Shqipëria do të kishte luajtur një futboll të kënaqshëm.

de biazii

Por, në fakt Shqipëria nuk luan më futboll dhe kjo është një kambanë alarmi për të ardhmen. Kombëtarja jonë nuk shkëlqente as në kohën e De Biazit, por të paktën ishte skuadër dhe e dinim se si do luanim. Tani asnjë nuk e di se si luan skuadra e Panuçit. Xhani de Biazin e masakronin për “katenaçion” e tij klasike, madje aq shumë sa nuk na bënte përshtypje se në miqësore mundnim edhe Francën.

Çfarë mendoni për ndeshjet e fundit që ka zhvilluar Shqipëria?

Pashë vetëm ndeshjen kundër Kosovës. Nuk e kam parë ndeshjen me Norvegjinë, sepse isha në komentin e ndeshjes së Italisë në Angli. Mendoj se ndeshja e djeshme nuk mund të gjykohet sepse u luajt në fundin e sezonit dhe trajneri kërkonte të bënte eksperimente. Më mirë t’i bësh në këtë moment se sa të rrezikosh në ndeshje të rëndësishme siç janë ato të Ligës së Kombeve.

 

de biazi

Kundër Kosovës humbëm pa qenë kurrë të rrezikshëm…

Kundër Kosovës nuk gjuajtëm asnjëherë në portë, përjashto dy-tre tentativa të vakëta me Cikalleshin, Manajn dhe me Balajn. Pjesa tjetër pastaj u pa qartë se kishte mungesa të  rëndësishme krahasuar ndoshta me 11-shin që do të luajë në Ligën e Kombeve. Megjithatë, është e drejtë që të bësh eksperimentet, që duhej të bënte dhe të testonte lojtarë në këtë moment.

Çfarë nuk shkon tani me Shqipërinë?

Vështirë të them se çfarë nuk shkon tani në skuadër. Mund të them atë që shkon dhe mendoj se gjëja më e mirë është që ekziston mundësia që të zgjedhësh në një grup lojtarësh goxha të madh. Mes tyre janë ata që ishin pjesë e grupit që drejtoja unë dhe disa të rinjve që janë afruar së fundmi.

Dakord, por Shqipëria nuk funksionon askund…

Nuk mendoj se është momenti për të drejtuar gishtin ndaj Panuçit. Kam besim se këto janë ndeshje që shërbejnë për të testuar cilësinë e disa lojtarëve të rëndësishëm dhe për të bërë edhe disa prova gjenerale për filozofinë që kërkon të zbatosh në një ekip.

De BIAZI

A duhet të ndryshojë diçka në miqësoren me Ukrainën?

Mendoj se kundër Ukrainës do të jetë një test realisht i vështirë.

E kishit menduar ndonjëherë se do të kishim kaq shumë probleme pas largimit tuaj?

Mendoj se është e nxituar që të flasim për probleme dhe për handikapë që krijohen gjatë rrugës. Është një gjë normale që në kësi rastesh edhe të gabosh, sepse jemi në fund të vitit dhe shumë lojtarë i kanë energjitë dhe idetë e shteruara për shkak të impenjimit të madh në ekipet e tyre.

Pse vetëm lojtarët e Shqipërisë kanë luajtur futboll këtë sezon? Ata të Kosovës nuk kanë luajtur në skuadrat e tyre?

Po, qëndron edhe ky këndvështrim dhe mendoj se është korrekte oponenca juaj, por nëse dikush vendos të bëjë ndryshime dhe të testojë futbollistë, atëherë ekziston rreziku që edhe të mund të bësh paraqitje si ajo kundër Kosovës.

Ju keni biseduar pas ndeshjes me Dukën dhe me Panuçin. Çfarë iu thatë atyre?

Ju thashë të njëjtat gjëra që po ju them edhe juve. Duhet të shfrytëzojnë sa më mirë eksperiencën që ka kjo skuadër deri tani, por nëse duan të “rrezikojnë” diçka për të parë mangësitë e tyre dhe për të pasur ide më të qartë për lojtarët me të cilët do të luftojnë në kompeticione të rëndësishme, atëherë besoj se është vepruar drejt që është eksperimentuar me Kosovën. Unë e di se kur humb Kombëtarja shqiptare, nuk i pëlqen askujt kjo gjë dhe të parët që mërziten më tepër janë Panuçi dhe Duka.

de biazi

Për çfarë i shërbeu Shqipërisë një ndeshje si kjo?

Mendoj se në një formë edhe e ka ndihmuar. Kështu disa lojtarë do të kuptojnë më mirë se kur ke veshur fanellën e Kombëtares, atëherë askush nuk ka luksin se kemi të bëjmë me një miqësore, por me një ndeshje që duhet fituar me çdo kusht.

Pas paraqitjes së Shqipërisë me Kosovën ka pasur një lumë kritikash në adresë të Panuçit dhe kanë një shqetësim të madh se mos ai është duke shkatërruar punën e bërë nga ju. A ka vend për panik?

Mendoj se është alarm i kotë dhe duhet pasur gjithnjë besim te skuadra kombëtare. Duhet mbështetur ekipi kombëtar sepse është shumë e rëndësishme kjo gjë. Edhe kur erdha unë e nisëm me një mijë probleme. Kishte shumë nga ata që thoshin se do jetë e njëjta gjë si më parë dhe se nuk do e bënim asnjëherë hapin e madh, por ja që ia dolëm. Duhet ta lëmë mënjanë këtë mentalitet dhe të jemi pak më të duruar. Duhet të përqendrohemi te gjërat që mund të bëhen më mirë sepse ekziston dëshira për t’u rritur akoma më shumë.

de biazi1

Ka një revoltë te tifozëve, kryesisht në rrjetet sociale, ku i kërkojnë Dukës që të kthejë De Biazin në krye të Kombëtares. A keni një mesazh për ta…?

Mendoj se federata në këto vite ka punuar mirë dhe presidenti ka qenë gjithnjë një person shumë i kujdesshëm rreth asaj që ndodh. I kupton situatat me shumë inteligjencë dhe me siguri do të jetë duke punuar për të mirën e skuadrës. Nuk do ta bëja shumë alarmante situatën sepse besoj se Panuçi ka ende mundësitë që të bëjë mirë në Shqipëri dhe ka edhe motivimin e duhur. Mendoj se duhet lënë i qetë dhe duhet mbështetur nga të gjithë tifozët që e duan kombëtaren.

 

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura