EKSKLUZIVE/ “Tërmeti, si duhet përgatitur konferenca e donatorëve”- Presidenti tregon hapat që duhet të ndjekë qeveria: Pse sigurimi i fondeve kërkon konsensus të gjerë politik

Dec 17, 2019 | 15:55
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kërkon transparencë për menaxhimin e fondeve për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, Meta kërkon konsensus politik në përpjekjen për të kërkuar fonde nga konferenca e donatorëve, por dhe rialokimin e disa shpenzimeve të planifikuara për vitin 2020 për fondin e emergjencës.

META ME BANORET E DEMTUAR NGA TERMETI I 26 NENTORIT
META ME BANORET E DEMTUAR NGA TERMETI I 26 NENTORIT

Gjithashtu, kreu i shtetit kërkon edhe rialokimin e disa investimeve publike të financuara direkt apo dhe në formën e projekteve PPP, të cilat mund të gjykohen që nuk kanë karakter emergjent. Kreu i shtetit i kërkon qeverisë që të menaxhojë me transparencë sa më të madhe fondet që vetë taksapaguesit shqiptarë dhe ata të huaj do të japin për të rindërtuar zonat e dëmtuara nga tërmeti, duke i kujtuar asaj se dëmet paguhen nga taksapaguesit dhe jo qeveria.

“Është e rëndësishme që të kuptohet se dëmet do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë dhe të huaj. Qeveria nuk paguan. Qeveria vlerëson nevojat, ndërton strategjinë dhe menaxhon fondet në bazë të prioriteteve. Sa më e gatshme të jetë qeveria për transparencë dhe llogaridhënie në menaxhim, aq më i suksesshëm do të jetë ky proces i rindërtimit dhe i rikuperimit të pasojave nga tërmeti”, shprehet Presidenti në intervistën e tij për Panorama.al.

Zoti President, po mbyllim një vit kalendarik, i cili ka qenë i mbushur me ngjarje, por, në fund të ditës, ajo që mbetet dhe duhet vlerësuar është ekonomia. Si e vlerësoni ecurinë ekonomike të vendit?

Rritja ekonomike është ngadalësuar në vitin 2019, respektivisht në 2.4% dhe 2.3% në tremujorin e parë dhe të dytë të vitit. Ndikime negative kanë dhënë eksportet neto, për shkak të deficitit në rritje gjatë tremujorit të dytë. Bilanci tregtar është përkeqësuar më tej gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019. Investimet totale vijuan prirjen rënëse të filluar që nga tremujori i tretë i vitit 2018, duke u tkurrur me 0.9% në tremujorin e dytë të këtij viti. Performanca e investimeve gjatë tremujorit të tretë pritet të jetë e ngjashme me atë të tremujorit të dytë. Investimet e huaja direkte kanë treguar një tendencë në rënie në tremujorin e dytë të vitit 2019. Ndërsa sektori i energjisë ka treguar në vijimësi një dobësi financiare. Mbledhja e të ardhurave të buxhetit deri në tremujorin e tretë dhe në vazhdim për 10- mujorin e vitit 2019, ka treguar një performancë të dobët në realizimin e tyre. Në veçanti. dinamika e të ardhurave nga TVSH-ja është përkeqësuar edhe më tej gjatë tremujorit të tretë dhe më tej në 10-mujorin e vitit 2019. Prodhimi i Përgjithshëm Bruto pritet të ketë një ulje të ndjeshme në tremujorin e katërt të vitit 2019 si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i muajit nëntor. Klima e biznesit, sipas raportit të “Doing Busines 2020”, është përkeqësuar dhe indeksi i perceptimit të korrupsionit në vend është rritur ndjeshëm.Meta-ne-durres-termeti

Cilat mendoni se do jenë efektet ekonomike dhe sociale të shtuara pas tërmetit?

Efektet negative në ngadalësimin e rritjes ekonomike të vitit 2019 do të kenë pasoja, të cilat do të transmetohen dhe gjatë tremujorit të parë dhe të dytë të vitit 2020. Dëmeve direkte si, shkatërrimi i ndërtesave, infrastrukturës publike, pajisjeve dhe inventarit, i është shtuar dhe humbja indirekte si ndërprerja e prodhimit, stanjacioni i biznesit të shërbimeve etj., si rezultat i humbjes së vlerës së shtuar të produkteve dhe shërbimeve të parealizuara. Sektorët më të prekshëm janë sektori i shërbimeve si: hotelieri, imobiliare, të tregtisë dhe shërbimeve publike, sektori i fasonerisë dhe sektori i ndërtimit. Duhet të kemi një vëmendje për humbjet e biznesit të vogël, sektor i cili punëson një masë të konsiderueshme punonjësish dhe është prekur më shumë nga dëmet e tërmetit. Humbjet dhe ndërprerja do të reflektohen në ulje të ndjeshme të të ardhurave buxhetore. Ndërsa një risk i shtuar mund të jetë ngadalësimi i kredisë në ekonomi ndaj biznesit dhe individëve. Efektet sociale do të jenë edhe më të rënda, duke konsideruar numrin e lartë të personave të pastrehë, mungesën e shërbimeve publike, të trajtimit mjekësor dhe social të personave në nevojë, thellimi i varfërisë, humbja e vendeve të punës, si dhe efektet psikologjike.

Nëse do duhet të presim një rimëkëmbje ekonomike, nga se mendoni se do të varet ajo?

Rimëkëmbja ekonomike do të varet nga vlerësimi sa më i shpejtë i dëmeve dhe humbjeve, përcaktimi i kategorive të dëmeve, hartimi i një strategjie të rindërtimit dhe sigurimi në kohë i fondeve të nevojshme për financimin e kostove të rindërtimit, si dhe mbështetjes së aktivitetit ekonomik. Rimëkëmbja ekonomike do të kërkojë burime për të financuar rindërtimin e infrastrukturës publike dhe private të dëmtuar, të mbështetjes financiare sociale të familjeve të prekura dhe atyre në nevojë, të kompensimit të humbjeve nga ndërprerja e aktivitetit prodhues dhe të shërbimeve, si dhe trajtimi shëndetësor dhe psikologjik i personave të dëmtuar.TERMETI-720x415

Cilat duhet të jenë mënyrat e financimit të nevojave të rimëkëmbjes ekonomike?

Rimëkëmbja ekonomike, mbas një tërmeti të këtij niveli, do të jetë e kushtueshme, një ndërmarrje komplekse dhe sigurisht që do të kërkojë bashkëpunimin e të gjithë aktorëve ekonomikë dhe politikë, institucioneve qeverisëse, sektorit privat, organizatave joqeveritare dhe individëve.

Burimet financiare duhet të mbulojnë: – Shpenzime për nevojat emergjente; – Ndërtimi dhe riparimi i banesave; – Ndërtimi dhe riparimi i infrastrukturës publike, spitale, shkolla etj; – Shpenzime për mbështetjen sociale të familjeve të dëmtuara nga tërmeti; – Shpenzime për mbështetjen ekonomike dhe fiskale nga humbjet e shkaktuara; Në mungesën e një programi kombëtar të sigurimit, financimi i nevojave do të duhet të vijë kryesisht nga qeveria qendrore dhe lokale, si dhe donatorët e brendshëm dhe të huaj. Financimi nga burimet e brendshme i jep më shumë kredibilitet angazhimit të institucioneve qeverisëse kundrejt qytetarëve dhe donatorëve. Mënyrat e financimit të nevojave mund të jenë: – Rialokimi i disa shpenzimeve të planifikuara për vitin 2020 për fondin e emergjencës; – Rialokimi i disa investimeve publike të financuara direkt apo dhe në formën e projekteve PPP, të cilat mund të gjykohen që nuk kanë karakter emergjent; – Rialokimi i huave me terma të buta nga Banka Botërore për nevojat e emergjencës. – Mbështetje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar; – Mbështetje nga Bashkimi Europian; – Donacione nga donatorë të brendshëm dhe të huaj; – Kontributi nga organizimi i konferencës së donatorëve me qëllim të sigurimit të fondeve shtesë si në vlerë apo dhe në natyrë, nga donatorë të ndryshëm që do të duhet të ftohen si : – Donacione nga Asistenca Europiane e Emergjencave; – Donacione nga organizatat e Kombeve të Bashkuara; – Organizatat humanitare; – Donacione në formën e ndihmës bilaterale.

Cila do të ishte mënyra më e mirë që të mblidheshin sa më shumë fonde në funksion të tejkalimit të pasojave të tërmetit?

E rëndësishme është që sigurimi maksimal i fondeve do të kërkojë: (i) një konsensus të gjerë politik (ii) një besim mbi angazhimin real të institucioneve shqiptare për rimëkëmbjen ekonomike (iii) sigurimin e shpejtë të fondeve për arsye të emergjencave të tjera që mund të shfaqen. Për të pasur konferencë të donatorëve të suksesshme do të duhet:

– Përgatitja dhe hartimi i një dokumentacioni të plotë me vlerësime realiste të dëmeve dhe humbjeve të shkaktuara nga tërmeti;

– Ndarja sipas kategorive e dëmeve të shkaktuara, si dhe prioritetet e mbulimit të nevojave;

– Hartimi i një strategjie të besueshme të rindërtimit në kohë dhe të detajuar sipas prioriteteve;

– Nevojën e një konsensusi të institucioneve qeverisëse, partive politike si dhe organizatave joqeveritare;

– Angazhimin financiar, në radhë të parë i qeverisë, i miratuar me ligj mbi fondet e rindërtimit që do të vihen në dispozicion;

– Struktura ekzekutive transparente dhe që gëzojnë një besim në zbatimin e strategjisë së miratuar dhe përdorimit të fondeve;

– Përgatitjen me transparencë të një raporti të përditësuar të fondeve të dhuruara nga donatorët në vlerë dhe në natyrë;

– Mundësisht, mbledhjen e fondeve dhe transferimin e tyre në një llogari të vetme të Qeverisë;

– Përgatitjen e një plani të rindërtimit sipas një kalendari transparent dhe raportimin e zbatimit të tij;

– Përgatitjen me transparencë të procesit të prokurimit dhe shpenzimeve të fondeve për rimëkëmbjen ekonomike dhe rezultateve të arritura;

– Ngritjen e një komisioni për auditimin dhe vlerësimin e përdorimit të fondeve të rimëkëmbjes.

Qeveria pretendon se ka një projekt rindërtimi, a keni besim në menaxhimin eficient të fondeve?

Shqetësimet duhet të lidhen në radhë të parë me transparencën dhe angazhimin qeverisës në drejtim të mbledhjes së fondeve, si dhe përdorimit të tyre. Shqetësim serioz është përgatitja për konferencën e donatorëve sepse nuk është se ne kemi një eksperiencë të madhe në këtë drejtim. Ajo që do të vlerësohet nga donatorët do të jetë vlerësimi real i dëmeve, angazhimi i besueshëm i qeverisë shqiptare për maksimizimin e kontributit të saj të brendshëm dhe nevojat që mbeten për t’u kërkuar, si dhe një strategji e rindërtimit e besueshme me një konsensus të plotë. Në një klimë të rënduar nga rritja e korrupsionit dhe ulja e besimit ndaj performancës së qeverisë, duhet që donatorëve dhe qytetarëve t’u jepet mundësia e një transparence në mënyrën se si do të vendosen prioritetet për të adresuar dëmet dhe humbjet, por dhe se si do të administrohen këto fonde. Është e rëndësishme që të kuptohet se dëmet do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë dhe të huaj. Qeveria nuk paguan. Qeveria vlerëson nevojat, ndërton strategjinë dhe menaxhon fondet në bazë të prioriteteve. Sa më e gatshme të jetë qeveria për transparencë dhe llogaridhënie në menaxhim, aq më i suksesshëm do të jetë ky proces i rindërtimit dhe i rikuperimit të pasojave nga tërmeti./PANORAMA.al

 

 *Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura