EKSKLUZIVE/ “Teqja ka gjobë, nuk fal asnjë”, shpërthen Gjici: Dua 3 fitore radhazi ose do të…

Feb 22, 2020 | 8:31
SHPËRNDAJE

Kukësi humbi një ndeshje të cilën ishte duke e fituar deri në minutën e 85. Pak minuta i ndanë nënkampionët nga shkëputja ndaj rivalit kryesor, Tiranës, por ishin pikërisht dy golat e Bathës e Torasës që bën rokadë në rezultatin e ndeshjes, por edhe rezultatin në tabelën e renditjes. Kukësi kalon në vend të dytë mbas Tiranës me minus dy pikë.Safet Gjici

Një humbje që ka tronditur ambientin verilindor për mënyrën se si erdhi. Pothuajse i njëjti fenomen ndodhi dhe ndaj Bylisit një javë më parë, ku Kukësi për 20 sekonda nga përfundimi i takimit u barazua. E nëse ka një njeri të zhgënjyer për këto rezultate ai është pikërisht presidenti i Kukësit, Safet Gjici, i cili në një deklaratë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport” ka shprehur haptazi mërzinë për rezultatin dhe i zhgënjyer ai ka dhënë një ultimatum për skuadrën, 9 pikë në 3 ndeshjet e radhës ose nuk do të pyesë më për kurrkënd, gjoba të tmerrshme do të ketë për gjithë ekipin: “Kam dhënë urdhër të prerë që tri ndeshjet e radhës të fitojnë ose ndryshe të gjithë gjoba të tmerrshme do të kenë nga klubi.

Kanë dy ndeshje që i kanë humbur duke nënvlerësuar situatat që krijohen. Është e pafalshme, po shkatërrojnë investimin e klubit. Gjithashtu, lojtari Teqja ka gjobë. Tashmë dua 9 pikë në tri ndeshje, nuk ka rrugë tjetër. Nuk fal më asnjë dhe kurrë më aty. I kam duruar pa fund deri tani, është çmenduri që të humbësh pesë pikë në dy ndeshje që i kishin të fituara. Është e pafalshme të humbasësh 5 pikë në dy ndeshje. Të gjitha kushtet klubi ua ka plotësuar këtyre, korrekt me çdo gjë. Nuk i fal më, më kanë mërzitur jashtë mase”, tha fillimisht kreu i klubit.safet gjici

TËRHEQJA E EKIPIT

Në 10 minutat e fundit të ndeshjes ekipi verilindor u tërhoq mbrapa për të mbrojtur rezultatin, por kjo llogari nuk doli për mirë te Kukësi pasi ekipi u ndëshkua me dy gola: “Nuk dua të merrem fare me anën teknike e taktike dhe zëvendësimet, sepse paguan klubi staf teknik dhe specialistët të gjykojnë për këto aspekte. Unë dua titullin dhe duke filluar 9 pikë në tri ndeshje rresht, kaq, përndryshe do ta shikojnë ata dhe stafi. S’merrem më fare me ta, më kanë mërzitur dhe më kanë lodhur shumë”, u shpreh presidenti.

BATUTA

Në fund të deklaratës së tij presidenti Gjici nuk ngurroi të bëjë një batutë për ekipin dhe pjesëtarët e tij, të cilët e konsiderojnë veten gjeneralë, por në fund dalin nga fusha si ushtarë të rraskapitur: “Hiqen si gjeneralë dhe kur dalin nga fusha, dalin si ushtarë të rraskapitur, nuk i fal më, pikë”, përfundoi i zhgënjyer presidenti i Kukësit, Safet Gjici, i cili mbas investimeve të bëra kërkon titullin kampion

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura