EKSKLUZIVE/ “Telushi problemi i Partizanit, por janë për titull”, flet Trashi: U shtanga kur kuptova se të kuqve…

Sep 22, 2020 | 8:30
SHPËRNDAJE

Lorenc Trashi është një nga humbjet e mëdha që ka pësuar Partizani në merkaton verës sa i përket organikës, ndonëse klubi përfitoi 250 mijë euro nga shitja e tij. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi i të kuqve tregon peripecitë dhe ambientimin te skuadra e AL Qadsia në Kuvajt, ku sipas tij, temperaturat e larta përbëjnë problem.

tRASHI586

Ai pohon se është shtangur nga bllokimi i merkatos së Partizanit, por ka besim se me grupin aktual dhe me trajnerin Ilir Daja, që ka bërë mirë ku ka qenë, të kuqtë i shikon në betejën për titull, përkrah katër skuadrave të tjera. Trashi flet me superlativa për Hakajn dhe ka besim se do ta plotësojë largimin e tij, ndërsa problem shikon gjetjen e zëvendësuesit të Telushit, por edhe për atë ka besim te Daja se do të gjejë një zgjidhje. Në fund 28-vjeçari flet edhe për Kombëtaren, që e konsideron një ëndërr të realizuar dhe pohon se kalimi i tij në Kuvajt nuk do të jetë problem për thirrjen në vijim nga kuqezinjtë.

Lorenc, si po ju shkon aventura në Kuvajt dhe si po shkon ambientimi me klubin e ri?

Aventura në Kuvajt po shkon mirë. Jam bashkuar me grupin. Stafi dhe lojtarët më kanë pritur shumë mirë dhe besoj se çdo gjë do të shkojë për mbarë.

Mund të na tregoni si po përballeni me realitetin e ri dhe cilat janë vështirësitë më të mëdha për ju?

Me thënë të drejtën, si çdo person që shkon për herë të parë në një vend të huaj, vështirësitë janë, pasi nuk e njeh vendin, nuk di ku të dalësh, ku të shkosh. Ndaj këto kanë qenë vështirësitë e vetme në fillim. Sigurisht edhe temperaturat e larta këtu janë një problem.

Si e kaloni kohën e lirë dhe a keni pasur ndonjë problem sa i përket ushqimit në Kuvajt, duke ditur se vini nga një kuzhinë ndryshe?

Kohën e lirë e kaloj totalisht me bashkëshorten time. Bëj stërvitje dhe mundohem të pushoj pas përgatitjeve. Më pas dalim për një kafe, apo bëjmë ndonjë xhiro dhe kështu mundohemi ta kalojmë kohën. Kurse për ushqimin nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Kam vënë re që ka ushqime të mira edhe ato çka më pëlqejnë mund t’i gjej lehtësisht (qesh)…

trashi romero

Ta nisim nga Partizani. A u shtangët kur mësuat lajmin e bllokimit të merkatos?

Me thënë të drejtën, u shtanga dhe u mërzita shumë sepse kisha 6 vjet aty dhe nuk kishte ndodhur diçka e tillë. Por kam besim se çdo gjë do të normalizohet, pasi Partizani jam i bindur që nuk ka faj në këtë histori se çdo gjë ka qenë në rregull. Shpresoj që shumë shpejt t’i lirohet merkatoja dhe klubi të bëjë përforcimet që do.

Ekipi ka trajner të ri. Çfarë mund të bëjë Ilir Daja me këtë grup?

Ilir Daja është një trajner që ia dimë vlerat të gjithë. Ai ka bërë shumë mirë në çdo ekip ku ka qenë. Madje ka drejtuar edhe ekipe në vështirësi të ndryshme dhe sërish ka bërë shumë mirë. Unë kam shumë besim që trajneri Ilir Daja do të bëjë mjaft mirë edhe te Partizani.

Sa e kushtëzon fakti trajnerin që nuk bën dot përforcime?

Normalisht një trajner i ri kur vjen në ekip ka nevojë për përforcimet dhe preferencat e veta që t’i afrojë në skuadër. Kështu që ky është një problem i madh jo vetëm për trajnerin Daja, por siç e thashë më lart, kam besim se çdo gjë do të shkojë mirë.

trashi telushi

Nga ekipi jeni larguar ju dhe Telushi, ku për shkak të bllokimit të merkatos klubi nuk mund të plotësojë boshllëkun. A mendoni se Hakaj do të plotësojë vendin tuaj, pasi tani shikohet titullar?

Unë mendoj se ekipin nuk e bëjnë vetëm dy veta, e bën i gjithë grupi. Gjithsesi, them se Partizani i ka bazat, ka djem me eksperiencë brenda edhe që kanë kohë që luajnë bashkë me njëri-tjetrin. Sa i përket Hakajt, ai është i përkryer në atë rol, por e kanë penalizuar pak dëmtimet. Ai tani po luan dhe e kam ndjekur në dy ndeshje dhe e them me plot bindje që ka për të bërë një sezon shumë të mirë. Hakaj ka shumë vlera brenda, si djalë dhe si lojtar. Unë e vlerësoj shumë si lojtar, sepse pak a shumë kemi të njëjtat cilësi dhe dëshirë për të luajtur në atë pozicion.

Kush mendoni se mund ta plotësojë nga grupi vendin e lënë bosh nga Telushi, aq më shumë që trajneri po eksperimenton shumë në përshtatje lojtarësh në fazën mbrojtëse, ku janë edhe mangësitë?

Unë mendoj se një lojtar si Telushi është shumë e vështirë që ta zëvendësosh. Vlerat e Telushit dihen, nuk është nevoja t’i përmend unë sepse ka dhënë shumë për kampionatin shqiptar. Kam përshtypjen që në rolin e Telushit do të ketë më shumë probleme ekipi, sepse nuk shikoj një numër 6 tipik në radhët e Partizanit. Por shpresoj dhe besoj se profesor Daja do të gjejë dikë që ta përshtatë në atë pozicion.

ILIR CARA

IMTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura