EKSKLUZIVE/ “Të rimblidhemi për ta kujtuar historinë kuqezi”, Skela kundër Muratit: Reja i duhuri, më bind

Jan 18, 2020 | 14:08
SHPËRNDAJE

Karriera me 100 ndeshje në Serinë A janë pasqyra më e mirë e një karriere të suksesshme për trajnerin Edi Reja, por të dëgjosh një ishkuqezi si Edvin Murati, atëherë vihesh në dyshim nëse rinovimi katërvjeçar është apo jo i duhuri. E teksa kuqezinjtë e brezit të viteve 2000 u ribashkuan, Ervin Skela ndan krejt një mendim tjetër.

skela bogdani

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-fantazisti kuqezi e “konfirmon” italianin 74-vjeçar, vetëm me CV-në që ka si dhe bën analizën pse është i duhuri për ekipin përfaqësues. Gjithashtu, Skela tregon emocionet në ndeshjen e legjendave, kthen përgjigje për kritikat e listës si dhe tregon hapur ambiciet e tij: “Dua të bëhem trajner. Nëse vjen momenti i duhur, edhe i Shqipërisë, me të cilën kam kontribuuar edhe si kapiten”, është shprehur ndër të tjera Skela.

 Skela, si e keni parë Kombëtaren në edicionin që u mbyll?

Me të mirat dhe të këqijat. Pas shkarkimit të Panuçit, ne e dimë të gjithë që me të dhe pas ikjes së De Biazit patëm një ecuri jo të mirë. Por, duhet të dimë edhe diçka tjetër, që me arritjen në Europian, tanimë për Shqipërinë, pritshmëria çdo herë është edhe më e madhe.

Si e keni parë Shqipërinë nën drejtimin e Rejës?

Me ardhjen e Rejës në fillim funksionuan shumë gjëra mirë.

Cila ka qenë ndeshja më e mirë, sipas jush?

Për mua, ndeshja në Turqi, edhe pse e humbëm. Por, ndodh që janë ata çelësat kryesorë që mungojnë, ai 2%- shi final që ta japin edhe rrugën, si edhe na e dhanë në Europian.

Si e gjykoni vendimin për të rinovuar edhe për 4 vite?

Me vendosjen e trajnerit Reja edhe për katër vite, unë mendoj se është bërë edhe një plan, jo vetëm për edicionin e Botërorit. Në njohurinë time, duke ditur që vetëm vendi i parë kualifikohet direkt, atëherë mund të jetë shumë i vështirë. Kështu që, mendohet për Europianin. Prandaj them se i është dhënë trajnerit kjo periudhë katërvjeçare, që ai ta përgatisë skuadrën për në Europian.

Në këtë logjikë, a është Reja i duhuri për këtë projekt, nisur edhe nga vetë mosha e tij 74-vjeçare? Me gjithë respektin për të…

Reja ka bërë gjërat mirë. I duhuri? Ai është me një CV jashtëzakonisht shumë të pasur. Për ato ndeshje që ka zhvilluar, ka një ide, një linjë dhe një koncept të cilin do ta ndjekë gjithmonë. Edhe në ndeshjet që kemi parë, ashtu ka luajtur, me modulin e vet. Të presim dhe të shohim kur të arrijë suksesin.ervin skela

A është skema e duhur për Shqipërinë 3-5-2-shi?

Jam shumë larg për të folur këtë. Them edhe që mund të bëjë shumë skema, por them edhe që nuk e di sepse varet nga lojtarët, gjendja e tyre dhe forma që kanë në çdo grumbullim. Unë them se kryesore është që Reja ka një ide të tijën për lojën dhe ai do të grumbullojë edhe lojtarët në bazë të saj. Pra, për karakteristikat që kanë, ai do ta çojë deri në fund bindjen e tij për lojën.

A ka pak “Skela” te ndonjë lojtar shqiptar deri tani?

Kjo pyetje më është bërë që tetë vite më parë. Nuk di ç’të them, në fakt, sepse kohët ndryshojnë. Me këtë dua të them që mbase 10-shat ose organizatorët tipikë nuk janë më aq shumë të kërkuar sot.

Çfarë ndjesie ishte për ju që të riktheheshit për të luajtur në “Qemal Stafën”, tashmë të tjetërsuar?

Normale që ishte një ndjesi shumë e mirë. Të vish në Shqipëri dhe të luash në një stadium modern. Pa u bërë edhe shumë modest, por me shumë sinqeritet e them që do të kisha shumë dëshirë që të kishim edhe ne një stadium të tillë në kohën kur kemi luajtur ne.

Do të bënte dallim cilësor?

Jam i bindur që po! Jam i bindur që të paktën gjashtë apo shtatë pikë ne do t’i kishim ekstra në grup. Referuar tifozllëkut, ambientit dhe gjithçka që ofron ky impiant.

OLSI TUJANI

INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura