EKSKLUZIVE/ Tavo shpërthen ndaj Likës: Nuk është trajner, çdo qindarkë e ka në bankë

Jun 23, 2018 | 10:56
SHPËRNDAJE

Pretendimet e Hasan Likës për rroga dhe bonuse të pamarra, kanë revoltuar dje presidentin e Luftëtarit, Grigor Tavo. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, kreu i klubit gjirokastrit ka shpërthyer ndaj ish-trajnerit. “Lika kërkon të prishë imazhin e klubit, por e konfirmoi se nuk është trajner. Cilindo klub që të marrë, ka për ta zhytur. Luftëtari kalon çdo qindarkë për rrogat në bankë dhe Lika ka marrë çfarë ka nënshkruar në kontratë. Për bonusin e Europës duhet të presë korrikun”, theksoi presidenti Tavo.

lika-dhe-tavo

Zoti Tavo, ish-trajneri Hasan Lika ka bërë një padi në FSHF për mosrespektim të kontratës nga klubi i Luftëtarit… ?

Jam i habitur me sjelljen e Likës. Për fat të mirë, klubi i Luftëtarit çdo qindarkë për rrogat e kalon me bankë. Ne jemi të gatshëm të vendosim në dispozicion të gjithë dokumentet e bankës për lojtarët dhe trajnerët. Nuk është profesionale që në këtë moment ish-trajneri ynë kërkon të prishë imazhin e klubit. Nuk e kuptoj për çfarë arsye e bën?! Nëse pretendon rrogat, i ka në bankë. S’mund të lejoj të disinformohet opinioni në një moment të shkëlqyer për skuadrën. Rrogat janë derdhur të gjitha dhe këtë e dinë në klub. Janë 42 veta që paguhen çdo muaj, të gjithë të ndërgjegjshëm për datën kur paguhen dhe për ndonjë vonesë të vogël. Nëse unë nuk do të isha korrekt, atëherë ju garantoj se Luftëtari nuk do të ishte një histori suksesi.

OK, por Lika pretendon për bonuse të pamarra, qoftë për qëndrimin në Superiore, ashtu edhe për kualifikimin në Kupat e Europës?

Nuk është mirë t’i kujtoj se premion e mbijetesës e ka marrë në darkën e fundit festive, para se ekipi të shpërndahej. Sa u përket bonuseve për Kupat e Europës, ai e di mirë që shpërndahen në muajin korrik. Jemi ende në qershor dhe shpërblim kanë për të marrë edhe lojtarët, jo vetëm Lika. Ai tani e bën këtë për të prishur imazhin e klubit, por me këto veprime tregon që vetëm trajner nuk është. Gjithsesi, unë i uroj të marrë drejtimin e një skuadre dhe ta çojë më lart se Luftëtarin.

INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT” 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura