EKSKLUZIVE/ Tamponë për 13 lojtarë të Luftëtarit, flet mjeku: Ju tregoj pse kryem testet…

May 19, 2020 | 22:04
SHPËRNDAJE

Te Luftëtari, pandemia e “COVID19” për fat të mirë s’ka prekur asnjë lojtar vendës apo jabanxhi. Gjithsesi, drejtuesit e Luftëtarit nuk janë mjaftuar apriori, teksa pas ditëve të gjata të karantinës para seancës stërvitore të orës 17:00 futbollistët kryen tamponët për koronavirus.

Tamponi luftetari

Arbër Mehmetllari gjatë testimit

Pa dyshim që kjo praktikë është risi në futbollin shqiptar, sepse asnjë skuadër tjetër nuk e ka rinisur punën duke zbatuar këtë protokoll, pasi dihet se ky lloj testimi ka koston e tij financiare.

Nisur nga fakti se një pjesë e bluzinjve vijnë nga zonat e kuqe, drejtuesit e shëndetit publik në Gjirokastër, nëpërmjet shefit të epidemiologjisë kaluan në “sitë” të gjithë lojtarët e pranishëm para seancës së parë zyrtare të pasdites së djeshme.

Tampon 2 luftetari

Sulmuesi Rimal Haxhiu duke u testuar

Lidhur me masat dhe rregullat e domosdoshme që duhen ndjekur para se futbolli të flasë në fushë, “Panorama Sport” i mori një prononcim Arenc Brahimit, shefit të shërbimit të epidemiologjisë së Gjirokastrës.

“Jeni vetë prezent dhe patë që u morën mostrat për të gjithë futbollistët dhe nesër (sot) pritet të dalin përgjigjet. Parë në këndvështrimin tonë, të gjithë futbollistët gëzonin shëndet të mirë, por gjithsesi duke qenë se një pjesë e lojtarëve vijnë nga zonat e kuqe, kryerja e analizave u bë sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe bashkëpunimit të ngushtë me klubin e Luftëtarit. Falënderoj drejtuesit e klubit duke filluar nga trajneri Neritan Novi, për gjuhën e mirëkuptimit, pasi këtu bëhet fjalë për jetë njerëzish dhe jo për futboll të luajtur në fushë.

futbollisti

Me këtë rast, përmes gazetës ‘Panorama Sport’ dëshiroj të bëj me dije se nëse zbatohen të gjitha masat dhe procedurat shëndetësore, gjithçka do të shkojë mirë”, u shpreh Brahimi. Mostrat e tamponëve i mori infermieri Fatjon Sherifi, ndërsa në krye të detyres ishin edhe pjestarët e stafit mjekësor të ekipit, me në krye, Juxhin Korbeci.

STËRVITJA- Menjëherë pas përfundimit të testeve mjekësore, marrjes së tamponëve, bluzinjtë nën urdhrat e dyshes Novi-Bistri nuk humbën kohë, teksa pas ushtrimeve të lehta me karakter aerobik nisën lojën me nga tri grupe lojtarësh, për të vijuar më tej me lojën e ndarë mes dy formacioneve. Në këtë seancë të parë binin në sy mungesat e katër futbollistëve. Fjala është për portierin Avernold Qyrani, Enes Isufi dhe dy të tjerët me banim në Greqi, Donald Açka dhe Andon Karabina. Të pranishëm në seancën e parë zyrtare pas ndërprerjes së kampionatit ishin edhe drejtori sportiv Artur Dadaj, si dhe drejtori teknik, Vangjel Çavo.
ENES ISUFI
Nga burime pranë klubit mësohet se shkodrani Enes Isufi nuk e ka kaluar akoma dëmtimin e pësuar gati dy muaj e gjysmë më parë, ndërkohë që portieri Avernold Qyarani për arsye shëndetësore mungoi në seancën e djeshme. Sakaq pritet të mësohet se kur do t’i bashkohen grupit Donald Açka dhe Andon Karabina, të cilët mbeten në pritje të hapjes së kufijve tokësore për të udhëtuar nga Greqia në drejtim të Gjirokastrës.

TOMOR SHEHU 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura