EKSKLUZIVE/ Takoi Dukën dhe Ramën në Tiranë, ish-fituesi i Tripletës me Interin kandidat për stolin e Shqipërisë (PRAPASKENAT)

Nov 10, 2022 | 8:44
SHPËRNDAJE

Kombëtarja shqiptare luajti dje miqësoren e parë për këtë muaj ndaj Katarit në Spanjë, në drejtimin e Edi Rejës, që me shumë mundësi i kanë mbetur edhe dy ndeshje në stolin kuqezi, atë me Italinë në 16 nëntor dhe tri ditë më vonë me Armeninë.

KAMBIASO (1)

“Panorama Sport” mëson se një tjetër emër i ri ka dalë në skenë për të marrë “timonin” e Shqipërisë.

Bëhet fjalë për Esteban Kambiason, ish-lojtarin e Interit dhe kombëtares argjentinase.

Gazeta mëson se Kambiaso është kandidati potencial për stolin kuqezi, teksa pak ditë më parë ka mbërritur në Shqipëri dhe “Panorama Sport” siguroi edhe pamjet ku ish-mesfushori ka pozuar në Tiranë.

PRAPASKENAT

Me italianin Edi Reja, i cili është edhe në muajin e fundit të kontratës, FSHF po punon për të gjetur një zëvendësues, edhe pse ndarja me 77-vjeçarin pritet të bëhet pas miqësoreve me Italinë dhe Armeninë.

Ndërkohë, nga ana tjetër, përveç Marko Xhampaolos, i cili po ashtu është një pistë, në skenë ka dalë edhe emri i Esteban Kambiasos.

Mësohet se fituesi i tripletës së famshme me Interin ka darkuar me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe ka pasur edhe një bisedë për këtë gjë.

Madje argjentinasi ka qenë në takim edhe me kryeministrin e vendit Edi Rama. Edhe pse akoma nuk kemi asgjë zyrtare, Kambiaso është një nga kandidatët potencialë për të udhëhequr Shqipërinë në rrugën e kualifikueseve të Europianit, të cilat do të nisin vitin e ardhshëm.

KAMBIASO

Argjentinasi e mbylli me futbollin e luajtur pesë vite më parë, kur aktivizohej për Olimpiakosin në Greqi, ndërkohë karriera e tij është tek Interi, ku qëndroi për 10 vite nga 2004 deri në 2014. Ai ka veshur edhe fanellën e Real Madridit, Lestërit apo River Plejtit dhe Independiente në Argjentinë. Fitues i tripletës së famshme me Interin dhe pesë kampionate në Serinë A.

Kambiaso aktualisht është 42 vjeç, ndërkohë sapo la futbollin përfundoi edhe kursin e trajnerit në Koverçano.

Ai e nisi duke stërvitur ekipe të reja në Serinë C dhe më pas roli i tij i fundit si drejtues është kur në 2018-ën hyri në stafin teknik të Zhoze Nestor Pekerman, trajnerit të Kolumbisë, për Botërorin e vitit 2018.

Nga maji në shtator, aventura e tij te Kolumbia përfundoi shpejt, me largimin e Pekerman.

KAMBIASO (1)

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura