EKSKLUZIVE/ ”Sigurimi fle gjumë!”- Zbardhet ditari sekret i Enver Hoxhës: Feçorri me fshehu fejesën e Skënderit me vajzën e Qazim Turdiut! Bashkimi dhe Marieta bëjnë punë të papëlqyera me ambasadën…

Nov 4, 2021 | 20:42
SHPËRNDAJE

Dokumenti-Enveri-Ditari-sekret-fejesa-djali-Mehmet-Shehu-takimi-fecorr-shehu-prapaskenat1Gazeta Panorama.al publikon sot numrin e tretë të ditarit të ish-diktatorit Enver Hoxha, i cili ka mbajtur shënime me shkrim dore për takimet sekrete me Mehmet Shehun, Fiqirete Shehun dhe Feçorr Shehun, lidhur me fejesën e Skenderit me vajzën e Qazim Turdiut.

Vijon nga numri i kaluar (LEXO KETU)

Enveri ishte shumë i interesuar të dijë gjithçka për fejesën e djalit të Mehmetit. Më 21 shtator, pas tri takimeve radhazi me Mehmetin dhe pasi ishte bindur se ky i fundit do të prishte fejesën, Enveri thërret në zyrë, Feçorr Shehun, ish-ministrin e Brendshëm. Takimi zgjat rreth 30 minuta dhe gjatë gjithë kohës Feçorri pranon se ka bërë gabime lidhur me fejesën.

Enveri në ditarin e tij ka shënuar të gjitha reagimet e ish-ministrit të Brendshëm dhe mendimin e tij për të. Në këtë pjesë të ditarit zbulohet hapur se përse sigurimi i shtetit nuk kishte guxim të bënte raporte lidhur me këtë fejesë, shfajësimet e Feçorrit dhe aktiviteti i djalit tjetër të Mehmetit me përfaqësues të ambasadës franceze.

Pse ish-ministri i Brendshëm nuk e kishte lajmëruar Mehmetin për lëvizjet e familjes së tij dhe çfarë do të bënte ky i fundit në rast se do t’i ndodhte një gjë e tillë. I gjithë takimi ka një frymë të fortë presioni. Shfajësimet e Feçorrit e bëjnë ish-ministrin disi qesharak. Sidoqoftë, ish-diktatori e cilëson Feçorr Shehun si një njeri mediokër dhe të “paaftë” për postin e ministrit.

Enveri hedh dyshime për punën e sigurimit të shtetit dhe ngarkon me pak faj edhe Feçorr Shehun kur i thotë se heshtja e tij mund të dëmtojë partinë. Kjo është letra e fundit e ditarit-dorëshkrim të Enverit lidhur me fejesën e djalit të Mehmetit.

Gazeta Panorama.al publikoi edhe dorëshkrimin origjinal të Enverit për tri takimet me Mehmetin. Në datat 11, 12 dhe 13 shtator 1981. Të tri takimet kishin të njëjtin mesazh, të prishej fejesa dhe të fajësohej e gjithë familja Shehu për lejimin e saj.

Enver-Hoxha-Mehmet-Shehu-Kadri-Hazbiu-Bato-Karafili-Feçor-Shehu-Veli-Llakaj-Nazar-Berberi-Llambi-Gegprifti-Maliq-Sadushi-Raqi-Iftica-Agron-Tafa-Ali-Vukatana-Xhule-Çiraku-dhe-Gafur-Çuçi.-1980

Takimi në zyrë me Ministrin e Brendshëm, Feçorr Shehun

Thirra Feçor Shehun dhe bëra disa pyetje në lidhje me fejesën e djalit të Mehmet Shehut. “A di ai se çfarë po flet opinioni për Mehmetin për këtë fejesë”? Mu përgjigj se nuk dinte gjë. I them,” si është e mundur që ti të na raportosh për një parullë armiqësore, që një kulak në Beladisht flet kundër nesh dhe nuk di për këtë gjë që zien e tërë Tirana”? Nuk dinte si të përgjigjej, ose me fshihte të vërtetën se nuk e dinte, ose e dinte dhe nuk donte të më thoshte se ishte ai fajtor ose Sigurimi i Tiranës fle. Ose, i them Feçorrit, kanë frikë të flasin se çështja është e lidhur me Mehmetin.

“Po ti”-i them-“nuk të vjen Sigurimi i Tiranës të të raportojë dhe ti a i pyet për gjendjen”? Më tha se nuk dinte gjë. “Atëherë”-i thashë-“nëse ju nuk dini gjë, Sigurimi fle”. Unë them se dinte. “Në rast se e dini dhe nuk raportoni, ju e bëni se keni frikë meqë kjo ka lidhje me Mehmetin, ju harroni se dëmtohet Partia. Kur ty të kërkoi Mehmeti biografinë e Turdiut, pse nuk ia dhe edhe gruas së tij”? Më tha se Mehmeti do të fejonte djalin me vajzën e Turdiut dhe më tha të mos ia thoja çëshjten Sigurimit. Nuk vajta deri te gruaja e profesor Turdiut, por kur me kërkoi komplet biografinë ia dhashë.

E pyes Feçorrin; “Kur të kërkoi Mehmeti këshillën tënde se si do të veproje nëse do të ndodheshe ti në kazanin e tij, ç’do të bëje? Përgjigjen tënde e di se ma tha Mehmeti, por po të pyes ty, sikur të të ngjasë ty kjo dhe nëse pyesje Mehmetin dhe ai të këshillonte ta fejoje djalin me vajzën e Turdiut, ç’përgjigje do t’i jepje Mehmetit”? Feçori m’u përgjigj se nuk do ta bëja këtë krushqi. Atëherë, i them; “Pse nuk i the Mehmetit se nuk duhet ta bënte këtë krushqi”?

-Feçorri: “Gabim. Gabim i madh nga ana i ime”. “Kur Mehmeti e bëri këtë fejesë, pse ti nuk erdhe të më informoje mua? Ministria e Brendshme nuk është e Mehmet Shehut, por është një organ i Partisë, këtë mos e harro!”. Feçorri; “Gabim, gabim i madh, por mendova se Mehmeti kishte biseduar me ju”, më tha Feçorri. “D.m.th., ti ke menduar”-i them unë-“se do ia aprovoja këtë gabim Mehmetit dhe do të isha dakord me këtë faj politik të tij”? “Jo, nuk e mendoj kurrë një gjë të tillë”, më tha.

“Po atëherë, pse nuk erdhe të më vije në korrent dhe unë e marr vesh nga rruga”? Ja, si ngjau. Mehmeti as nuk pyeti dhe as nuk tha për fejesën e djalit. Unë e ndalova këtë veprim shumë të gabuar, por ishte vonë kur unë e mora vesh. Feçorri; “Gabim, shumë gabim i madh nga ana ime. Ministria e Brendshme nuk është familje, i them, dhe të tilla gjëra s’duhet të ngjasin”. “Si urdhëron, si urdhëron”,-më tha.

Këto si urdhëronet nuk më pëlqejnë fare, i thaç. Atëherë, e pyes për djalin tjetër të Mehmetit, Bashkimin dhe të shoqen e tij Marietën. “A flitet jashtë, se kam dëgjuar që bëjnë gjëra të papëlqyera”?. “Përveç të tjerave që dihen”- më tha-“se bashkohen në “Dajti”, në hotelet e turistëve e të huajve në Durrës me diplomatë të huaj dhe turistë”.

Dokumenti-Enveri-Ditari-sekret-fejesa-djali-Mehmet-Shehu-takimi-fecorr-shehu-prapaskenat-Panorama

I pyes; “si bashkohen, çfarë bëjnë, ç’i lidh me ta”? Po shtrëngohej dhe me zor tha: “Po ja, pinë, ndezin cigare dhe bisedojnë. Por çfarë bisedojnë, ne nuk mund ta dimë”.

“A i keni vënë në kontroll të vëzhgimit njerëzit e ambasadave të huaja”?

“Po i kemi”-më tha. “Pse nuk i bie në sy vajtja e tyre dhe sidomos e pjesëtarëve të familjeve të Mehmetit ose të ndonjë shoku tjetër, që nuk i lidh fare ndonjë punë me ta, e që nuk janë takuar zyrtarisht nga organet shtetërore, ju nuk shqetësoheni”?

“Po”- më tha-“na bie në sy dhe Bashkimi me të shoqen e tij, tërhiqet nga ambasada franceze”. “Keni shkuar t’ia thoni Mehmetit këto”? -e pyes. “Jo” më tha. “Po kur do t’ia thoni, kur të na bëhet ndonjë gjë e keqe? Ç’po bëni kështu”? Shfajësime të zakonshme, parullat e njohura “kam bërë gabime, s’do bëj më, do t’i shërbej partisë etj. etj”.

Mendimi im për të. Jo fort i pjekur, mendjemadh, jo me përvojë, besim më shumë te njerëzit e udhëheqjes dhe jo të mendojë si duhet se udhëheqësit duhet të zbatojnë më mirë nga të gjithë normat e Partisë. Veçanërisht këtë çështje e kuptojnë me fallsifitet të sëmurë, me besim ndaj Mehmetit, i cili sipas tij nuk mund të gabonte kurrë, megjithëse e dinte biografinë që kishin Turditë dhe pse e kërkonte biografinë e Turdiut, Mehmeti. Besoj se ky gabim do t’i bëhet mësim, në rast se e kupton thellë”.

fecor shehu

Biografia e vajzës së profesor Turdiut 

Indiferent gjatë okupacionit, por edhe pro Ballit.
Babai i profesorit;

Avokat i kriminelëve të luftës që gjykuam. U fut në burg dhe u pushkatua.

Vëllai i profesorit: Ballist i poshtër, i deklaruar nga ne kriminel lufte, në listë.

Një vëlla tjetër: S’deshi të kthehej në Atdhe nga Jugosllavia kur u kthyen të gjithë studentët. Braktisi Atdheun për Jugosllavinë.

Nëna e vajzës: Familje e Pipës nga pasanikët e Shkodrës

Një vëlla i saj pushkatuar nga ne si armik politik.

Një vëlla tjetër i arratisur pasi doli nga burgu.

Një motër e arratisur jashtë për çështje politike.

Një motër imorale, metres e një tregtari durrsak i pasur: Manushi.

Vëllai Arshi Pipa, udhëheqës i shquar i emigracionit, tradhtar në Amerikë.

Një ose dy motra të tjera imorale

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU:  EKSKLUZIVE/ “Ti dhe Fiqireti keni bërë faj të rëndë! Djali yt ka bërë skandale të tjera”- Zbardhet ditari sekret i Enver Hoxhës, takimi e fshehtë me Mehmet Shehun! Propozoi tri variante për prishjen e fejesës me Silva Tudiun

 “Mehmet Shehu qau për fejesën e djalit!”- Zbulohet ditari sekret i Enver Hoxhës! Prapaskenat e takimit në vilën e ish-diktatorit: Tirana ziente për krushqinë me Turdijtë, Lilua më tha…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura