EKSKLUZIVE/ Shtubina: Si më thanë pse luaj fort kundër Vllaznisë, ja përplasja në Shkodër

May 3, 2018 | 17:30
SHPËRNDAJE

Ish-kapiteni i Vllaznisë, Ndriçim Shtubina, aktualisht pjesë e Laçit, ka qenë një ndër të parët futbollistë që pas largimit nga Shkodra në verën e vitit të kaluar, parashikoi një të ardhme të zymtë në klubin kuqeblu edhe për sezonin 2017-2018. Në javën e fundit, Shtubina luajti si kundërshtar në “Loro Boriçi” me fanellën e Laçit, duke pasur jo pak përplasje në fushë pas pretendimit të një penalltie. Dje, shkodrani sqaroi për “Panorama Sport” të gjitha polemikat e asaj ndeshjeje.

shtubina

Ndriçim, keni qenë ndër të parët kur jeni larguar nga Vllaznia që keni deklaruar se klubi do të jetë për mbijetesë deri në fund…?

Kjo nuk ka patur lidhje me largimin tim, por me mënyrën se si po “gatuhej” sërish Vllaznia e sezonit 2017-2018. Në atë periudhë unë nuk shikoja se kjo Vllazni do të shkonte lart në tabelën e klasifikimit. Ishin shumë arsye që të çonin në një mendim të tillë.

Jeni sërish i këtij mendimi?

Ajo që kam thënë tani është realitet sepse Vllaznia është në pozita që ndihet e rrezikuar deri në fund të kampionatit. Për këtë më vjen shumë keq. Pavar- ësisht se luaj me një ekip tjetër, sigurisht që Vllaznia dhe Shkodra janë shtëpia ime. Vllaznia do të jetë deri në fund në luftë për mbijetesë, por shpresoj dhe besoj se skuadra ku kam derdhur aq shumë djersë, të mos bjerë nga kategoria. Unë e uroj me gjithë zemër një gjë të tillë, por e di mirë si unë dhe ato që janë pjesë e kësaj skuadre, që do të kenë një punë të madhe përpara për të siguruar qëndrimin në kategori. Vllaznia ka 5 takime të gjitha si finale më vete. Uroj që klubi të shpëtojë nga një katastrofë.

Në ndeshjen e fundit Vllaznia-Laçi, keni pretenduar për një 11-metërsh, ndërsa Gilman Lika ju ka tërhequr vëmendjen për simulim. Gjithashtu jeni vërshëllyer nga tifozëria shkodrane. I prisnit këto reagime?

Në radhë të parë, dua të theksoj se ne të gjithë jemi profesionistë. E duam Vllazninë, por të mos harrojmë që duam momentalisht atë skuadër ku shërbejmë si futbollist. Unë jam pjesë e Laçit në rastin konkret dhe “bukën” e ha në këtë klub. Nuk kam se si të mos luaj për këtë skuadër, qoftë edhe kundër Vllaznisë sepse për këtë paguhem.

A mund të na sqaroni çfarë ndodhi në fushë?

U ndjeva keq sepse disa lojtarë më kanë thënë gjatë lojës: “Çfarë ke që je duke luajtur kaq fort kundër nesh”. Si për ata dhe për të gjithë të tjerët, që ta marrin vesh, unë luaj për ekipin që jam dhe i bëj hyzmetin fanellës që vesh. Vllazninë e kam në zemër dhe nuk ma mohon asnjëri, por në fushë jemi ndryshe. Për sa i përket asaj përplasjeje që pata me disa lojtarë të Vllaznisë, dua që të them se aq sa unë kam luajtur me fanellën kuqeblu, ata nuk kanë shikuar ndeshje të Vllaznisë nga stadiumi. Prandaj, nuk kanë se si të më kërkonin shpjegime dhe të bënin skena në ato moment, qoftë edhe për të ndikuar te tifozëria. E ritheksoj se loja që bëra ndaj Vllaznisë, ka të bëjë me anën profesionale dhe me asgjë tjetër.

Laçi juaj është në finale të Kupës, por sa shpresoni se mund të kapni Europën përmes kampionatit?

Skuadra nuk ka mbyllur asgjë për sa i përket kampionatit. Ne duhet që të luajmë deri në momentin që matematika të na lejojë. Unë di të them se Shtubina do të luajë në çdo takim me atë grintë që kam paraqitur edhe ndaj Vllaznisë. Unë bëj punën time dhe i shërbej familjes sime.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura