EKSKLUZIVE/ “Shqipëri, guxo në sulm”, receta e Bogdanit: Duhet kolauduar mesfusha, në Europian mbështes…

Jun 13, 2021 | 13:13
SHPËRNDAJE

Si dje pesë vite më parë, Shqipëria dëgjonte himnin e saj nga stadiumi në Francë, duke qenë mes më të mirave të Europës. Ish-bomberi i Kombëtares, i pranishëm në stafin teknik të skuadrës së drejtuar nga De Biazi, komenton ecurinë e ndeshjeve të fundit të Kombëtares, objektivat si dhe çfarë duhet bërë për t’i arritur ata.

BOGDANI

Erjon Bogdani, për “Panorama Sport”, flet për rekordin e tij me 18 gola, përshëndet Cikalleshin dhe analizon manovrën sulmuese të Kombëtares, me atë që ka parë, dhe ato që duhen përmirësuar ende. “Bogu” bën thirrje se Shqipëria duhet që të guxojë më shumë dhe të gjejë mënyrën për të shfrytëzuar edhe cilësitë e sulmuesve, por mbi të gjitha për të krijuar më tepër aksione të rrezikshme.

Bogdani, pesë vite më parë, më 11 qershor 2016, Shqipëria luajti për herë të parë në Europian. Çfarë kujtoni dhe si ishte ndjesia?

Kampionati Europian në Francë, për mendimin tim, ishte pika më e lartë që ka arritur futbolli shqiptar ndër vite. Ishte hera e parë që ne merrnim pjesë në një eveniment të tillë. Për mua ishte një ndjesi e jashtëzakonshme, sepse nuk arrita dot që të shkoja si futbollist dhe u prezantova si staf teknik, si trajner.

Sa u përket kujtimeve dhe ndjesive, do të thosha që ishte fantastike. Uroj dhe shpresoj shumë që një ditë, edhe ky grup aktual i Kombëtares t’ia dalë për të shkuar sërish në Europian apo, pse jo, edhe në Botëror. Është diçka e veçantë dhe është objektivi kryesor që duhet ta kenë lojtarët që luajnë me Kombëtaren.

A keni ndonjë peng për çfarë nuk shkoi si duhet në Europian? Ndoshta ndonjë episod si ai me Gashin ndaj Zvicrës apo ndoshta ndeshje si ajo me Francën për golat e pësuar në fund?

Peng, pfff (mendohet…) nuk kujtoj. Sidomos për ndeshjen me Francën, në të cilën them se kemi luajtur shumë mirë. Edhe ndaj Zvicrës. Të tria ndeshjet i kemi luajtur shumë mirë, në mënyrë perfekte. Pengu më i madh imi nga Europiani është se me 3 pikë mund edhe të kalonim grupin, siç kaloi Portugalia, dhe pastaj fitoi Europianin. Me ndeshjet që zhvilluam dhe me grupin ë kishim, po të kalonim, mund të kishim, pse jo, edhe shanset për një kualifikim historik më tej.

Për cilën skuadër bëni tifo në “Euro 2020” dhe cilën shihni si favorite?

Nuk është se jam tamam-tamam tifoz me një skuadër, por e simpatizoj Italinë. Për sa u përket favoriteve, them se janë disa, mes të cilave Franca, Belgjika, Anglia dhe Italia.

Bogdani, sipas jush, çfarë fitoi Shqipëria në këto dy miqësore?

E kam shumë të vështirë të them se çfarë fituam, sepse është një pyetje që mund t’i përgjigjet shumë mirë trajneri. Megjithatë, portieri Selmani luajti shumë mirë në të dyja ndeshjet, edhe pse në portë ne kemi konkurrencë shumë të madhe, me portierët Berisha dhe Strakosha. Tanimë shtohet edhe Selmani.

Çfarë patë diçka që ju pëlqeu në këto dy teste?

Kam parë portierin Selmani si dhe golin e Cikalleshit ndaj Çekisë, që ishte një eurogol. Po një gjë që nuk ju pëlqeu apo që nuk shkoi si duhet? Kemi luajtur kundër dy ekipeve që janë të forta. Ajo që dua të theksoj është se kjo kombëtare duhet të punojë më mirë nga mesfusha dhe në sulm. E them këtë, sepse edhe golat kjo Kombëtare përgjithësisht i ka bërë në mënyrë individuale nga cilësitë personale të lojtarëve.

Kjo është absolutisht diçka pozitive, që tregon se sulmuesit që ne kemi mund të zgjidhin ndeshjet në mënyrë të tillë me veprime individuale. Unë mendoj se përveç këtyre veprimeve që bën secili lojtar në sulm, duhet edhe një kolaudim shumë herë më i mirë midis mesfushorëve dhe sulmuesve. E them këtë, sepse duhet të jetë një manovër e ndërtuar më mirë, siç e kemi pasur më herët në ndeshjet e kaluara.

Për këtë që ju thoni, për kolaudimin e manovrës mes mesfushës dhe sulmit, mos ndoshta gabimi është që përgjithësisht Kombëtarja ka në formacion 3 shkatërrues (Bare, Gjasula, Ramadani, Abrashi etj.)?

Ato që thashë janë thjesht gjëra që unë i kam konstatuar. Për mendimin tim, në mesfushë duhet të punojmë më shumë për të vertikalizuar më shumë drejt sulmuesve tanë. Sepse, me Anglinë, Uellsin apo Çekinë kjo gjë ra shumë në sy, pavarësisht faktit se këto skuadra kanë lojtarë shumë të mirë dhe diktojnë.

Me sa kemi parë në këto dy miqësore apo deri tani në 3 ndeshjet e para kualifikuese, sa shanse ka që Shqipëria të bëjë mirë ndaj Hungarisë dhe Polonisë për të marrë vend të dytë apo të tretë?

Është shumë e vështirë që të parashikohen ndeshjet që në këtë moment, pa ditur si do të jetë Kombëtarja, lojtarët, forma e tyre etj. Megjithatë, unë mendoj se nëse duam që të pretendojmë, duhet të guxojmë të bëjmë më shumë në fazën sulmuese. Sepse, këto që përmendni ju janë skuadra cilësore që kanë lojtarë shumë të mirë, sidomos në repartin e sulmit. Vijnë me një bagazh të madh golash.

Polonia vjen me një si Levandovski, me Milik, Zielinski etj., siç edhe te Hungaria ka elementë shumë cilësorë. E vetmja gjë që e them me siguri, është se në këto dy ndeshje apo në secilën që do të luajmë në vazhdim, do të duhet patjetër që të krijojmë më shumë raste.

Sa e vështirë është për t’iu afruar rekordit tuaj me 18 gola në Kombëtare?

Cikalleshi arriti 11 të tillë, e shihni si të mundshëm që mund t’ju afrohet apo ta thyejë këtë rekord? Bogdani special (Qesh…). Dihet që kam qenë special, sepse karriera ime flet për këtë gjë.

Kam luajtur për 15 vjet në Itali dhe Serinë A të dikurshme, që ka qenë kampionati më i fortë në botë. Për Cikalleshin kam respekt dhe shpresoj që të bëjë më të mirën për Kombëtaren shqiptare, sepse ka kualitet dhe sakrifikohet shumë për skuadrën.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura