EKSKLUZIVE/ “Shkarkimi im nisi që në gusht”, rrëfimi i Ard Memës: Solla 3 lojtarë, duhej të isha më i egër (E PLOTË)

Nov 20, 2019 | 23:45
SHPËRNDAJE

Rrëfehet Ardian Mema! Ish-trajneri i Tiranës deri para takimit me Luftëtarin vendos që të flasë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke zbuluar çdo të fshehtë të 379 ditëve të tij si bardheblu.

ardian memaa

Trajneri tregon se si ndërtoi ekipin në verë, cilët janë lojtarët që ka sjellë dhe si nisën thashethemet për një largim të mundshëm që në gusht. Çfarë ndodhi me Halilin dhe a ka pasur puç ndaj tij nga brenda ekipit për një largim të tij nga skuadra? Jo vetëm kaq, por Mema zbulon se mund të kishte bërë mirë gjatë aventurës së tij si bardheblu, ndonëse rrethanat dhe zemërgjerësia e tij u morën si dobësi nga lojtarë të caktuar, por edhe nga të tjerët.

Është i bindur se me të në krye skuadra kishte shumë mundësi të shpallej kampione pas 11 vitesh, por nga ana tjetër uron Julian Ahmatajn për punën e re. Sigurisht, nga i jashtëm ka gjëra që ia kanë vrarë syrin dhe nuk ngurron t’i thotë, pa cenuar trajnerin aktual të Tiranës. Në fund, dy fjalë për tifozët, që premton se do t’ua shpërblejë një ditë…

Si është të qëndrosh pushim pas një viti pune intensive në drejtimin e Tiranës?

Ky pushim ndoshta ka qenë i nevojshëm. Megjithatë, shpresoj të mos kem pushime të gjata dhe dua t’i rikthehem sa më shpejt punës. Pushimi bën që njeriu të reflektojë. Të bëjë analizat e tij se çfarë ka shkuar mirë dhe çfarë ka shkuar keq, ku ka gabuar dhe ku ka bërë mirë. Le t’ia bëjmë qejfin vetes. Është pushim aktiv.

ardian memaa

Tani jeni larg Tiranës, por a e mendonit këtë ndarje? E kishit imagjinuar kështu…?

Nuk doja të ndahesha kështu. Si futbollist jam mësuar me trofe dhe gjithmonë jam munduar të jem fitues. Është normale që e kam peng që u ndava nga Tirana pa një trofe. Vjet shkuam deri në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe nuk ia dolëm. Do të kishte qenë një vit i suksesshëm, por fati nuk ishte në krahun tonë. Këtë vit e filluam mbarë, por patëm dy-tri momente ku nuk shkuam mirë. Ky fakt solli edhe ndarjen mes meje dhe klubit, por që në futboll është kështu. Disa mendojnë në një formë, disa ndryshe, por unë mendoj se nuk ka qenë momenti që të largohesha nga drejtimi i Tiranës. Ishte një moment “jo” dhe unë shpresoja që të jepja maksimumin tim në stolin e bardhebluve, për ta çuar Tiranën drejt trofeve. Ishte tepër herët largimi, sepse trendi i pikëve ishte normal dhe kjo duket nga tabela e klasifikimit. Na u ngatërruan planet me dy ndeshje. Sidomos barazimi në Vlorë ishte i rëndë dhe mua realisht më ka ardhur shumë keq që barazuam në fund si dhe takimin me Partizanin ku humbëm.

Që do të thotë…

Kemi bërë ndeshje shumë të mira, por edhe kemi gabuar shumë. Po kthehem një vit pas. Kur erdha, mora përsipër edhe problematikën që kishte Tirana. Edhe sivjet marr përgjegjësitë e mia. Duhet të jemi realistë. Çdo njeri të marrë përgjegjësitë që i takojnë dhe të analizojë atë që ka bërë mirë dhe keq, duke qenë i drejtë me të gjithë.

mEMA

Ndiheni i keqardhur që u larguat edhe pse ishit tri pikë larg kreut?

Keqardhja kjo ishte, megjithatë u krijua një situatë që edhe unë nuk po ndieja pozitat në ekip. Po kështu situata më kaloi disi nga kontrolli. Disa gjëra apo probleme vijnë duke u trashur gradualisht, pra se si trajneri duhet të menaxhojë të gjithë lojtarët. A do të jenë lojtarët të bindur? Flas për momentin kur trajneri ka pozitat jo të mira dhe se si duhet të veprojnë. Ndoshta ka qenë një situatë që mund ta kisha menaxhuar më mirë, megjithatë nuk doja eksperienca të këqija, për më tepër te Tirana. Ndarjet bëjnë edhe diçka tjetër, japin mundësi të tjera dhe të tjerëve. Në këtë rast ishte edhe një hapje krahu, jo vetëm vendimmarrja e presidentit.

Çfarë skuadre keni lënë?

Kam lënë një ekip me pozicion të mirë, ndryshe nga unë që mora një skuadër në vendet e fundit që kishte goxha problematikë. Padashur të cenoj askënd, kam lënë një ekip me lojë të mirë, me gola shumë, me administrim të mirë dhe goxha pikë. Ekipi ka akoma mundësi që të ngrihet dhe të marrë pikë. Shpresoj që trajneri aktual të bëjë një punë të mirë dhe ta çojë drejt fitoreve.

halili mema

Ju pak më parë thatë që më shpëtoi situata. Ishte mosmenaxhim i mirë i grupit, i individëve të caktuar apo moskontroll i të ashtuquajturve, senatorëve?

Po e nis nga fundi. Nuk ka pasur “senatorë”, por njerëz që duhet të bëjnë punën, ashtu siç mendoj se kam bërë edhe unë. Nuk e kam ndier asnjëherë veten “dikushi” edhe pse drejtoja Tiranën. Shpresoja të isha i thjeshtë dhe modest me lojtarët, median dhe tifozët, për të bërë mirë punën. Shpeshherë ndodh që të rrëshqasë situata. Në një moment, futbollisti mund të mos të të bindet, apo mjegullnajat e largimit para ikjes sime. Janë situata që të shqetësojnë. Ka edhe lojtarë që kanë qejfmbetje me trajnerin dhe ai moment shfrytëzohet. Ka nga ata që japin maksimumin e tyre, sikurse ka edhe lojtarë të tjerë që duan apo donin të ikte trajneri, por për këtë që them nuk jam i sigurt. Për këta futbollistë, pavarësisht se si trajneri ka situatën apo si është gjendja, ata duhet të bëjnë maksimumin.

Skuadra që keni lënë, a është ajo që kishit në mendje ditën që rinovuat me Tiranën?

Ne e kemi bërë bashkërisht merkaton. Presidenti, trajneri dhe shefi i klubit. Pra, Refik Halili, Ardian Mema dhe Arbi Laçi. Të tre kemi punuar shumë. Qershori ka qenë një muaj shumë intensiv për ne, pasi Shqipëria nuk është se ka ndonjë treg të madh ku ka lojtarë të pafundmë. Ne zgjodhëm ata që menduam më të mirët. Unë personalisht kam marrë tre lojtarë: Torasën, Kalenë dhe Dungën. Të tjerët janë propozuar nga klubi Tirana. Këtu fus Osmanin, Bathën, Vangjelin e me radhë. Kemi biseduar dhe kemi rënë dakord që të vinin në ekip. Jam i bindur se kemi bërë shumë mirë, pasi janë futbollistë cilësorë. Ky grup lojtarësh mundet të bëjë më shumë se çfarë kanë bërë deri më sot. Nëse fokusohen edhe më shumë, me thjeshtësi mund të bëjnë akoma më shumë dhe të jenë pjesë e kreut gjatë gjithë kampionatit. Në fund, thjeshtësia, kërkesa, lëvizshmëria, përqendrimi të bëjnë të dalësh kampion. Nuk ka diferenca të dukshme nga ekipi në ekip, duke filluar që nga kualitetet dhe kjo të reflektohet në fushën e lojës. Pak a shumë kampionati ka qenë me lënie pikësh nga të gjithë me ekipet e vogla. Trendi i kampionatit është që çdo skuadër, nga java në javë mund të dalë kampione. E rëndësishme ta mbajë kreun. Tirana ka kualitete dhe duhet ta mbajnë kreun.

ardian mema

A jeni treguar më i mirë se ç’duhet me lojtarët në skuadër?

Unë jam rritur nga prindërit me dashuri dhe jo me diktaturë apo dhunë. Egërsia nuk është diçka që zgjidh gjë, por përkeqëson situatat dhe kështu e kam parë edhe unë. Nuk do të ndryshoja gjë, por shpresoj që të gjithë të kenë bërë analizë në vetvete, ashtu siç kam bërë edhe unë. Të jenë më të kujdesshëm dhe të bëjnë gjërat ashtu siç duhet. Nuk më pëlqen të jem diktator apo të vë diktatin tim te futbollistët. E thashë, diktati nuk është në filozofinë time. Ti do të familjarizohesh dhe nuk është e mirë, ndonëse e rëndësishme është që edhe në këto momente të përdoret logjika. Kam kërkuar nga ata që ta kthenin këtë mirësi, ama në Shqipëri jemi dhe duhet të jesh ndonjëherë pak i egër.

Çfarë do të bënit ndryshe në këtë vit që punuat te Tirana?

Shpeshherë ia bëj vetes këtë pyetje. Duhet të kisha bërë disa punë ndryshe, por nuk është rasti për t’i thënë. Kjo ka të bëjë me stërvitjen dhe përgatitjen e ndeshjes. Jo se kanë munguar, sepse e dinë mirë të gjithë. Duhet të kisha punuar më mirë me lojtarët si raport. Kjo është një eksperiencë dhe në një ekip tjetër gjërat do t’i shoh ndryshe. Unë dua të fitojë argumenti dhe jo të kthehemi njerëz problematikë dhe të mendonim negativisht. Është çështje detajesh. Te Tirana shpresoja që të bëja shumë më tepër. Vjet ishte punë fantastike, por në fund rezultantja është që duhet të kisha qenë më këmbëngulës.

ardian mema

Në derbi e kuptuat që marrëdhënia me Tiranën ishte thyer?

Nuk ka ndodhur në derbi, ndonëse Partizani ishte kulminanti. Ka qenë një moment në fazën përgatitore gjatë verës. Me dy javë stërvitje ishim në Maqedoni. Luanim në një fushë të keqe, gjyqtarin e kishim kundër, por lojtarët bënë maksimumin dhe u paraqitën mirë. Po flisja në telefon me familjen, por më thoshin që kur të vish në Tiranë do të të largojnë. Thashë se nuk ka mundësi, pasi trajneri nuk largohet gjatë verës. Kjo ishte thyerja e parë. Ishte nivel thashethemi, që rezultoi serioz. Më pas ishte ndeshja me Flamurtarin ku u fol në çdo moment që trajneri mund të ikte. Pas Partizanit doja të ikja vetë, sepse u ndjeva keq. Ekipi po shprehej mirë, por patëm problemet e zakonshme që gjatë këtij viti më kanë stresuar. Ua kam thënë edhe lojtarëve që golat, të cilët pëson Tirana, një ekip normal i merr në portë, një herë në dy muaj. Ia vura fatit, vetes dhe thashë që isha i dënuar. Kam dëgjuar shumë fjalë, pasi çdo bisedë del. I kam konsideruar nivel fjalësh dhe asgjë më shumë, ndonëse shprehja popullore: “Ku ka zë, s’është pa gjë”, i shkoi mirë kësaj situate. E gjithë kjo tymnajë apo thashethem ka ndikuar te raporti im me futbollistët.

Cili nga lojtarët ju ka surprizuar dhe zhgënjyer më shumë?

Me djemtë që kam punuar një vit kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera dhe gjej rastin t’i falënderoj për atë që kanë dhënë në fushën e lojës. Nuk ka individ që më ka zhgënjyer. Ka pasur momente që jam zhgënjyer. Golat që ka pësuar Tirana kanë qenë zhgënjimet e mia. Si djem dhe lojtarë janë të mirë dhe kanë sakrifikuar. Nuk shoh askënd me negativitet, por me pozitivitet. Kemi pasur edhe një lloj afrimiteti në momente të vështira, atëherë kur duhet të ishim shokë. Të pish kafe me ndonjë futbollist apo me futbollistët nuk është asgjë, por normale.

Si e njihni veten, për modern apo klasik?

Qesh… E kuptoj përse më pyesni, por deklaratën nuk e kam dëgjuar, ndonëse ma thanë. Të gjithëve dhe personit në fjalë (Idriz Bathës, shënim i O.A.), i sugjeroj që para se të flasë për dikë, apo të bëjë krahasime trajner me trajner, të bëjë mirë që si fillim të bëjë analizën e vetes. Pra të shohë një herë veten dhe më pas të merret me të tjerët. Po e kaloj me sportivitet. Nuk merrem dhe nuk ia vlen të merresh.

ardian mema

E keni parë Tiranën këto tri javë?

Po, e kam parë. Më vjen pak çudi me disa që duhet të jenë më dashamirës dhe më realë në jetë dhe në punë. Dëgjova që thoshin se u duk dora e trajnerit me një ditë stërvitje. Në televizor dikush tha që kjo ishte fitorja e Ardit. Kur ikën nuk merr merita se çfarë po ndodh. Me Julin kam folur. E kam uruar për punën e re, por që dy ditët e para nuk mund të thuash që u duk dora e trajnerit, prandaj fitoi Tirana. Nuk e kam me Julin (Ahmatajn). Më ka uruar dhe e kam uruar, por e kam me të tjerët.

Keni diçka për tifozët…?

E vetmja gjë që më mungon dhe do të më mungojë është puna e përditshme te Tirana dhe tifozët. Nuk di si t’ua shlyej. Për mua kanë qenë krenaria ime më e madhe. E them me shumë emocion. Kanë qenë shumë dashamirës dhe dua që një ditë t’ua shpërblej, por dua që sot t’i falënderoj publikisht. Janë njerëzit më të mirë. Tifozët janë aseti numër një i klubit Tirana. Kisha raporte të mira, edhe pse rezultatet nuk ishin nga më të mirat.

Cila ishte nata më e errët e Ardit te Tirana?

Nata më e vështirë ka qenë pragndeshja me Laçin. Udhëtonim në Laç dhe pas 90 minutave fituam 1-3 dhe praktikisht shpëtuam. Nuk ishte vetëm ajo natë, por gjithë java. Gjithsesi, nata më e vështirë e jetës sime ishte ajo pragndeshje Laçi. Nuk kam fjetur, sepse me disfatë Tirana binte për herë të dytë nga kategoria dhe unë do ta çoja në ferr. Do të isha njeriu… Ishte e tmerrshme dhe nuk e përshkruaj dot me fjalë. Falënderoj Zotin për rezultatin, pos punës që kishim bërë. Nuk do t’i harroj kurrë. Kam folur edhe me stafin dhe drejtuesit e klubit.

Halili tha se kush nuk e mban presionin, të largohet. Kaq presion ka Tirana?

Tirana për mua është imazh. Këtu futet presioni i imazhit që është i dukshëm në çdo moment. Për Tiranën flitet gjatë gjithë kohës dhe je në qendër të vëmendjes. Kjo është pjesa që preka më lart, se njerëzit duhet të marrin përgjegjësi më shumë mbi vete dhe jo të vijnë te Tirana, qoftë edhe Ardian Mema, vetëm për të punuar apo marrë rrogën. Tirana është imazh, është histori e madhe dhe djersë e pafundme e hedhur në fushë. Nuk është çështje individi, por njerëzit duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe të kuptojnë se janë te Tirana dhe duhet të bëjnë punën siç duhet, duke marrë gjithë përgjegjësitë që u takojnë, pa u fshehur pas gishtit. Nuk po i drejtohem dikujt, por si fillim këshillë për veten time. Nëse i flet vetes me zë, atëherë le ta dëgjojnë dhe kuptojnë edhe të tjerët dhe ta varin “vath në vesh”. Kjo është një këshillë për lojtarët, të cilët janë aktorët kryesorë në këtë histori. Trajneri në një skuadër është 20 për qind dhe tani e di shumë mirë se ata që thoshin kishin të drejtë. Trajneri bën ato punët e tij, por futbollistët finalizojnë në fushë gjithçka. Ata kanë në dorë çdo gjë për gjatë 90 minutave. Përpos kësaj, te Tirana, duke filluar nga presidenti, trajneri, drejtori, lojtarët duhet të kenë një lloj përgjegjshmërie dhe jo të jenë nën presion. Flitet për presion, por unë nuk kam parë ndonjë presion të madh, veç pikëve dhe lojës që duhet të bënim.

Që do të thotë?

Tifozët e Tiranës presin jo vetëm pikët, por edhe lojën e skuadrës. Në stadium nuk të vjen një njeri që zhgënjehet nëse sheh një ekip që shënon një gol dhe më pas kthehet në mbrojtje apo luan për barazim. Tirana në historinë e saj ka pasur yje dhe yjet nuk mund të shquhen duke mos luajtur futboll.

Keni një këshillë për Ahmatajn?

Me Julin, para ndeshjes me Luftëtarin kam pasur një bisedë telefonike. Njihemi prej kohësh dhe si futbollist e kam pëlqyer shumë. Për sa i përket lojës, trajneri e di vetë se çfarë bën. Ka mënyrën e tij të lojës. I uroj fat, por nuk mund ta këshilloj për asgjë, ndonëse më duket i çuditshëm mosaktivizimi i Edon Hasanit. Më ka çuditur, sepse ai është nga lojtarët më të rëndësishëm në vitin e fundit. Vjet ishte golashënuesi. Edhe sivjet ka bërë mirë. Gjithsesi, futbolli është subjektiv, ka kundërshtitë e veta. Një trajner mund të mos aktivizojë edhe Mesin. Secili e di vetë, por e them dhe nuk e kam këshillë për trajnerin e skuadrës, më është dukur e çuditshme dhe kaq. Po bëj një krahasim me Kombëtaren shqiptare. Kemi vetëm 5-6 lojtarë të mirë dhe nuk kemi luksin të lëmë jashtë ndonjë. Në këto kushte duhet të përshtatet trajneri me skuadrën që ka. E njëjta gjë edhe me ekipin, duhet të marrësh maksimumin me atë që ke, pasi kohën e ke të limituar.

Si u ndatë me presidentin?

U ndamë normalisht. U ndamë sipas fjalës që i dhamë njëri-tjetrit ditën e parë që diskutuam për këtë çështje. Marrëveshja ishte dytësore, sepse edhe unë nuk po ndihesha mirë. Si palë u ndamë miqësisht, por do ta shoh këtë javë si tifoz në Korçë, pasi kam punuar me të dyja ekipet.

Projektet e reja?

Po shoh opsione jashtë shtetit. Shpresoj që të bëhet diçka.

Cila skuadër e fiton titullin?

Unë shpresoj Tirana, por gara është e hapur dhe le ta fitojë më i miri dhe ai që do të besojë deri në fund.

Me ju në stol ishit i bindur se Tirana do ta fitonte titullin?

Tirana ka bërë lojëra shumë të mira që të japin garanci. Të them të vërtetën, para kampionatit të gjithë thonë: do të dalim kampionë. Unë nuk jam nga ata që premtojnë kot, por flas me këmbë në tokë. Dua të jem realist, sepse me deklarata del edhe kampion bote. Gjithsesi, me numra me 90-95 për qind isha i bindur se dilnim kampionë.

OLSI AVDIAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura