EKSKLUZIVE/ “S’duam marrëdhënie me SHBA dhe BS” -Zbardhet dokumenti sekret për bisedimet Tiranë-Bon në maj ’84! Çfarë thoshte Enver Hoxha për Gjermaninë

Aug 11, 2022 | 15:10
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ “Duhet të këmbëngulim për vendosjen e marrëdhënieve me Republikën Federale të Gjermanisë. Kjo është më shumë se kurrë në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Enver Hoxha-bisedimet-Bon-SHBA

Ky ka qenë qëndrimi i Enver Hoxhës gjatë shqyrtimit të bisedimeve të para shqiptaro-gjermane për vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe të ndërprera qysh pas Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë se një deklaratë politike ka qenë një bindje e padiskutueshme, që parakuptonte përballimin e gjendjes së rëndë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën.

Gazeta “Panorama” ka mundur të sigurojë dokumentin e mbledhjes së Sekretariatit të KQ të PPSH, në të cilin u diskutuan rezultatet e bisedimeve të para me autoritetet gjermane të mbajtura në Bon, në maj të vitit 1984.

Pasi Ramiz Alia i njohu të pranishmit me problemet dhe rezultatet e këtyre bisedimeve, që për palën shqiptare janë drejtuar nga Sofokli Lazëri, në atë kohë zyrtar i lartë në KQ, u diskutua për mënyrën e reagimit për të kapërcyer vështirësitë në vendosjen e këtyre marrëdhënieve, që vlerësoheshin të rëndësishme e të domosdoshme.

Siç del nga zbardhja e këtij dokumenti, të dyja palët janë shprehur të gatshme për këtë akt zyrtar dhe kanë shkëmbyer mendime për ta përshpejtuar procedurën e finalizimit të tij.

E vetmja vështirësi që është parashtruar në bisedimet e Bonit ka qenë kthimi i dëmshpërblimeve të luftës për vendin tonë. Po si u përvijua më tej dialogu i parë shqiptaro-gjerman?

Cili ishte qëndrimi i zyrtarëve të Bonit për detyrimet që rridhnin nga Lufta e Dytë Botërore? Pse hezitonin gjermanët për të kthyer reparacionet për Shqipërinë, ndërkohë që ua kishin kthyer Jugosllavisë, Izraelit, Polonisë dhe disa vendeve të tjera?

Si e vlerësonte udhëheqja e lartë komuniste raportin e diplomatëve, që kishin negociuar në Bon për vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe?

DOKUMENTI

MBLEDHJE E SEKRETAREVE TE KOMITETIT QENDROR TE PARTISE

4 MAJ 1984

(Bërë në sallën e çlodhjes së aparatit të KQ të Partisë) Në mbledhje u diskutua:

I. Për bisedimet e zhvilluara në Bon lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Republikës Federale Gjermane.

II. Për disa probleme ekonomike të ditës.

III. Të ndryshme.

Morën pjesë shokët Enver Hoxha e Ramiz Alia, si dhe shokët Adil Çarçani e Hekuran Isai.

PER BISEDIMET E ZHVILLUARA NE BON LIDHUR ME VENDOSJEN E MARREDHENIEVE DIPLOMATIKE MIDIS SHQIPERISE DHE REPUBLIKES FEDERALE GJERMANE.

ramizi

SHOKU RAMIZ ALIA: T’ju informoj një çikë, shoku Enver, për bisedimet që bëri shoku Sofo Lazri me funksionarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të RF Gjermane në Bon, lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.

SHOKU ENVER HOXHA: E si vajti ai atje?

SHOKU RAMIZ ALIA: Në përgjithësi mirë. E kishin pritur në mënyrë shumë korrekte, shumë mirë. Me Sofon kishte biseduar një nga zëvendësministrat e Punëve të Kashtme që mbulonte Drejtoritë e Marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik e me vendet e tjera të Lindjes, si dhe me sigurimin evropian e Berlinin perëndimor. Në mbledhje kishin marrë pjesë edhe nja dy a tre drejtorë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe një referent për Shqipërinë. Pastaj e kishte takuar sekretari i shtetit, që duket është zëvendësi i Gensherit… Bisedimet ishin zhvilluar kështu: Në fillim kishte folur zëvendësministri gjerman me terma të përgjithshme dhe për të përshëndetur ardhjen e Sofos, nja tri faqe gjë me të shkruar. E kishte vlerësuar shumë faktin që qeveria jonë e kishte pranuar ftesën e tyre për t’u takuar dhe që dërguam një përfaqësuesin tonë në Bon. Kishte thënë gjithashtu se “ne i kemi ndjekur me interes zhvillimet dhe politikën shqiptare”.

Për sa i përket Gjermanisë, kishte shpjeguar, ajo ka nxjerrë mësime nga historia, nga e kaluara. “Gjermania, kishte deklaruar ai, ka qenë vatër lufte këto dekadat e fundit. Tashti ju sigurojmë se ajo ndjek një politikë të paqes” etj., etj. Ai kishte vlerësuar marrëdhëniet e miqësisë me Shqipërinë dhe kishte thënë se “mendojmë që janë krijuar kushtet për të ecur më tej në këtë fushë”. Me kaq e kishte lënë ai bisedën. Pasi mbaroi zëvendësministri gjerman, Sofoja kishte paraqitur pikëpamjen tonë. “E kam pak të gjatë”, tha Sofoja në fillim, në fakt kishte nja 10 faqe të shkruara, “prandaj ju lutem kini durim të më dëgjoni” dhe ia këndoi të tëra ç’kishte për të thënë.

Fjala e Sofos ishte në planin politik, ashtu siç porositët ju shoku Enver, po në fund ua tha edhe atë që midis nesh ka edhe probleme, siç është ai i dëmshpërblimeve, që duhet të diskutohen. Pasi kishte mbaruar Sofoja, gjermani kishte reaguar, si të thuash, pozitivisht, veçanërisht për vlerësimet politike. Bile i kishte thënë “ne kemi konsideratë të madhe për qëndrimin tuaj shumë korrekt lidhur me problemin gjerman” etj. Pastaj Sofoja kishte vazhduar: “Ju shprehët qëndrimin tuaj dhe ne tonin, a nuk i hapim tani kartat, drejt?

Siç e shikoni, nga konsiderata juaj e nga konsiderata jonë nuk del asnjë pengesë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, midis dy vendeve tona, por midis nesh, siç thashë, ekziston një problem, çështja e dëmshpërblimeve… Ju këtë e quani ndryshe, ne e quajmë dëmshpërblim. Kjo s’ka rëndësi, është thjesht problem emërtimi. Rëndësi ka të gjenden rrugët e zgjidhjes së tij. Për të tjerët rrugëzgjidhje ju keni gjetur, i tha Sofoja. Jugosllavisë, për shembull i keni dhënë, Izraelit, po ashtu.

Pra, përveç Shqipërisë, s’ka mbetur shtet pa marrë. Fakt është që të dyja palët, ju dhe ata keni mbetur të kënaqur, shtypi i këtyre vendeve, revistat, botimet që bëjnë nuk ngrenë më çështjen e dëmshpërblimeve. Pse? Sepse problemi është zgjidhur. Se si e keni zgjidhur atë, është puna juaj”. Gjermanët kishin filluar të justifikohen jo nuk kemi dhënë dëmshpërblime, sepse nga pengon Traktati i Londrës etj.

Sofoja u kishte thënë që Traktatin e Londrës kot e ngrini, sepse kush e ka nënshkruar atë? E keni nënshkruar ju, anglezët dhe francezët. Mirëpo, qysh kur një traktat i nënshkruar nga tre-katër shtete merret normë ndërkombëtare? Një gjë e tillë nuk ekziston as në historinë e diplomacisë botërore dhe as gjëkundi tjetër. Ne nuk e njohim atë, me atë ju nuk mund të paraqiteni për diskutime me ne. Pas kësaj ndërhyrjeje gjermani e kishte mbyllur muhabetin.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Organizata e Kombeve të Bashkuara merr vendime dhe askush nuk i zbaton.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, tamam ashtu i kishte thënë edhe Sofoja, marrin Kombet e Bashkuara vendime dhe s’u imponohen dot të tjerëve, jo më dy-tre vende. Prandaj ky Traktati është juaji, ç’kini bërë ju në mes tuaj, është punë për ju, me Shqipërinë nuk keni bërë gjë. Gjermanët nuk kishin folur më gjatë. Pas kësaj kishin filluar të tregojnë si e kanë zgjidhur këtë problem me të tjerët, Jugosllavisë, kishin thënë ata i kemi dhënë kredi. Sofoja u ishte përgjigjur, që kjo është e vërtetë, i dhatë kredi dhe pas kësaj Titoja erdhi këtu, në Bon, ku deklaroi se Jugosllavia heq dorë nga dëmshpërblimet.

Prandaj le ta bisedojmë më shtruar edhe këtë, se për këtë punë kemi ardhur këtu. Pse Titoja, tha ashtu? Sepse mbeti i kënaqur nga ajo që i dhatë. Tani ju e quajtët atë kredi. Mirë quajeni si të doni, kjo është puna juaj, çështja është që Titoja nga ai çast hoqi dorë nga dëmshpërblimet dhe kjo dihet publikisht. Po ja, kishin thënë gjermanët, Jugosllavisë i dhamë kredi me afat shlyerje për 20 vjet se ajo ishte në situatë të vështirë, donim ta ndihmonim! “Po shpresoni vallë t’i merrni këto para pas 20 vjetëve”, i pyeti Sofoja? Ata të tërë ia kishin dhënë të qeshurit.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Doli se nuk i kanë dhënë kredi, por ia kanë dhënë si dëmshpërblime.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pastaj ju i keni dhënë para, u tha Sofoja jo vetëm Jugosllavisë, po edhe Polonisë.

SHOKU ENVER HOXHA: Edhe Izraelit.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po edhe Izraelit. Ata kishin ngulur këmbë se të gjithëve u kanë dhënë “në formë kredie”. Sofoja këtij qëndrimi iu ishte përgjigjur, duke u thënë, kur pohoj që u keni dhënë para, me këtë nuk them që ta na jepni edhe neve kredi. Jo, ne nuk pranojmë kredi. Kushtetuta jonë na e ndalon këtë po kjo do të thotë që ju keni gjetur një formë për të paguar dëmshpërblimet. Me ata keni gjetur formës e pagesës me kredi, me ne gjeni një formë tjetër.

Megjithëkëtë, gjermanët kishin ngulur këmbë në të vetën që s’paguajnë dëmshpërblime etj…etj. Bisedimet, shoku Enver, zgjatën 10 orë me ndërprerje. Ato filluan nga ora 10 e mëngjesit dhe vazhduan deri në orën 10 të darkës. Kur arriti koha e drekës “hajde vemi të hamë bukë”, kishin propozuar gjermanët, po edhe atje në tavolinë vazhdonin të flisnin për këto probleme. Pastaj gjysmë ore pushim pas buke u shtruan përsëri në bisedime. Kur arriti koha e darkës, e thirrën të hanin darkë dhe prapë bisedime bënë derisa i mbyllën në orën 10.

Bisedimet, pra, i bënë me ndërprerje, por ndërprerjet i bënë tamam në mënyrë diplomatike, kur ngecnin në ndonjë çështje. Kur Sofoja u foli për mospranim nga ana jonë të Traktatit të Londrës dhe u tha se ai është një traktat i firmuar nga tre vende, kurse ju, gjermanët doni ta bëni normë ndërkombëtare, kjo nuk vlen, se po të jetë kështu, atëherë do të bëhet gjullurdi në botë, ata kishin ngecur, s’kishin thënë asgjë, veç zëvendësministri që drejtonte bisedimet me palën gjermane e ndërpreu bisedën duke bërë ftesën: vemi tashti se na pret sekretari i shtetit”.

Kur u takua me këtë, ky në fillim pyeti se deri ku kishin arritur bisedimet. Zëvendësministri në sy të Sofos u kishte shpjeguar si e kishin shtruar shqiptarët çështjen dhe si e kishin shtruar gjermanët. Sekretari i Shtetit në fjalën e vet kishte thënë: Ne mendojmë që duhet gjetur një modus vivendi, një arranzhëma. Vetëm them një gjë, që vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona do të krijojë kushte për favore ekonomike për Shqipërinë.

Në hollësira ai nuk ishte futur. Pasi kishin mbaruar me sekretarin e Shtetit, zëvendësministri i kishte thënë Sofos: “Para se të shkojmë në bisedime, të të them dhe unë nja tri gjëra që i kam ngarkesë”. “Mirë”, iu përgjigj Sofoja, “m’i thuaj”. (Kjo bisedë është bëtë tetë a tetë, vetëm për vetëm, në frëngjisht). E para, megjithëse e mora përgjigjen nga deklarata që bëre me të shkruar, meqë ma kanë ngarkuar si detyrë, do të ta them: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë kontakte me Shqipërinë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Sofoja iu përgjigj se e kish thënë me shkrim, po e them tani edhe me gojë: Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as kemi pasur as do të kemi kurrë marrëdhënie diplomatike, sepse ata dhe Bashkimin Sovjetik i konsiderojmë armiq të popullit tonë, të paqes etj.., etj. E kam të qartë, i tha gjermani, po jua thashë, meqë ma kanë ngarkuar që tua them këtë.

E dyta, dimë që ambasadori francez duhet të ketë vajtur në Ministrinë tuaj të Punëve të Jashtme për të shtruar çështjen e arit që keni me anglezët. Dua të di cili është mendimi juaj? Sofoja i tha: “Unë nuk jam në dijeni të tërë këtij problemi, sepse ambasadori francez vajti në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme dhe bëri propozimin që dini, ato ditë unë u nisa për këtu. Por një gjë di, që në propozimin francez nuk përfshihet çështja e interesave të arit tonë dhe pa i paguar ato, ky problem nuk mund të zgjidhet. Ky është mendimi im i tha Sofoja, sepse konkretisht këtë punë e di Ministria e Punëve të Jashtme, e cila është duke e studiuar çështjen”. Po, vazhdoi gjermani, në qoftë se do të zgjidhet çështja e interesave, do të ketë pengesa nga ana juaj për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Anglinë?

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, nuk do të ketë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Sofoja iu përgjigj që Anglinë ne nuk e fusim në kategorinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Sovjetik, veçse me të ne kemi këtë problem të pazgjidhur. Po u zgjidh ky krijohen kushte për normalizimin e marrëdhënieve. Tashti të vijmë tek e treta kish thënë gjermani, te kjo jona, unë i vuri në dukje ai propozoj të bëjmë një komunikatë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona dhe njëkohësisht të nënshkruajmë një protokoll, ku të themi që “menjëherë pas vendosjes së këtyre marrëdhënieve pala shqiptare vazhdon të ngrejë çështjen e dëmshpërblimeve, kurse pala gjermane, zotohet të diskutojë mbi këtë çështje, duke shfaqur pikëpamjet e veta”.

Sofoja i ka thënë “ta studiojmë këtë çështje, se nuk mund të vendos unë për këtë”. Atëherë mirë, ia priti gjermani, e lëmë me kaq. Me një fjalë ky ishte njëfarë, si të thuash, lëshimi nga ana e gjermanëve për të vazhduar bisedimet. Por, me interes ishte mënyra se si e kishte formuluar ai çështjen e përmbajtjes së protokollit: “Ju do të flisni për dëmshpërblimet, ne do të shpjegojmë pozitën gjermane”. Në vazhdim të bisedimeve mori pastaj pjesë edhe drejtori i Drejtorisë Ekonomike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, që merret me marrëdhëniet ekonomike të Gjermanisë Perëndimore me vendet e tjera.

Ai kish thënë se bisedimet me jugosllavët për këto çështje kishin vazhduar dy vjet dhe kishte përsëritur historinë e mëparshme, domethënë çështjen e dhënies kredi. Pastaj kish vënë në dukje që, për sa u përket marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, “ne mendojmë se mund të krijohen kushte për t’i bërë lehtësi ekonomike Shqipërisë”, dhe për këto lehtësi ata praktikojnë disa forma pune. Cilat janë këto forma që përdorin ata, rreth të cilave, në fakt vërtiten gjermanët? E para. Ne, tha ai, mund të çlirojmë nga doganat eksportin gjerman ndaj Shqipërisë. Në rastin konkret, Shqipëria do të fitojë deri në 20 për qind të vlerës së mallrave.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Çdo malli që ne importojmë, ata i vënë taksë doganore.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo është një rrugë që, siç tha ai, Gjermania e përdor për vendet në zhvillim. Këtë formë, pra, mund ta përdorë edhe me ne. E dyta: Qeveria gjermane jep sigurim për eksport të objekteve të ndryshme. Domethënë, shpjegoi ai, në qoftë se ju blini një objekt në Gjermani, shteti ynë çel kredinë, garanton firmën gjermane për investimet që do të bëjë e që paguhen në fund, me mbarimin e objektit. E treta. Me polakët, të cilëve u kanë dhënë kredi për dëmshpërblimet, kanë zbatuar një formë tjetër lehtësie ekonomike. Kanë investuar për prodhimin e gazit nga qymyret.

Për këtë, tha gjermani, kemi bërë një marrëveshje me ta, që një pjesë e këtij gazi për një periudhë kohe të na e japin neve me çmime sipas vleftës së koniunkturës. Pra, investimi është yni, objekti bëhet pronë e polakëve, por me kusht që për disa vjet ata të na furnizojnë me gaz. Këto forma lehtësish ekonomike kishte përmendur ai, me një fjalë duke bërë aluzion, që edhe ju mund të përdorni forma të tilla lehtësish ekonomike…

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura