Ekskluzive/ Rrëfimi i Matilda Makoçit për filmin e ri: Si u binda t’i rikthehesha pas shumë vitesh kinematografisë (e plotë)

Jul 3, 2017 | 13:47
SHPËRNDAJE

Duke parë pikturat e Adriana Puleshit në Facebook, në një pikë, ashensori elektronik mbërriti te një fotografi e vjetër e pas saj, dy-tri skica, njëra pas tjetrës. Portreti i Matilda Makoçit në skica ishte po aq i qartë sa në fotografi. Njëra prej skicave ishte në profil, tjetra në shpinë.

19650508_10212292031228796_220924235_o
Adriana Puleshi dhe Matilda Makoçi, dikur dhe sot

Autori i skicës duhet të jetë shumë i afërt me portretin që të jetë në gjendje t’i shndërrojë edhe flokët e shpinën në sy! Megjithëse vetëm një gjendje që mund të ishte e kujtdo, ishte kaq e qartë që ishte Matilda Makoçi… Dje, në takimin që kisha lënë me Makoçin, ishte edhe Adi. Ishte thuajse e panevojshme t’i pyesje “po ju, ç’ju ka bërë bashkë?!”. Kujtova skicat, fotografinë e vjetër dhe me kujtimet që më treguan të dyja, gati u realizua një nga ato pikturat me ngjyra të forta e të vendosura të Adi Puleshit.

19648306_10212292034828886_386615607_o
Adriana Puleshi dhe Matilda Makoçi, dikur dhe sot

Biseda rreth miqësisë së të dyjave, që ka nisur që kur ishin 10 vjeçe, të dyja në klasë të katërt, ishte e paparashikuar. Ishim takuar të flisnim për filmin e ri artistik me të cilin Matilda Makoçi shpreson të shfaqet sërish në ekran dhe përfunduam rrugicave të dikurshme të “Myslym Shyrit”, me kujtimet e Adit dhe Matit. Që nga ato të hershmet që tani u kujtohen vetëm si hije e deri te vitet e bukura të Akademisë së Arteve, kur Matilda Makoçi ishte në vëmendjen e të gjithëve.

matilda

“Kemi qenë të tria bashkë kur operatori Ilia Tërpini e pa për herë të parë Matin e më pas e zgjodhi që ta përfshinte në film. Bashkë me ne ishte edhe një shoqe tjetër. Sa pamë sytë e Ilias që treguan vëmendje, sepse e njihnim dhe e dinim se për çfarë ishte ‘në kërkim’, u pozicionuam të tria, secila me shpresën që do të zgjidhej. Në fakt, të tria e dinim që e zgjedhura ishte Mati, por na pëlqente të silleshim siç diktonte mosha dhe dëshirat e kohës”, kujton Puleshi nga koha kur Makoçi sapo nisi kinematografinë.

Bukurinë e atyre viteve të aktores ne e kemi parë të gjithë në ekran, por janë një gjë krejt tjetër pëshpërimat e të gjithë djemve të Tiranës, nëpër rrugë, kur kalonin vajzat e arteve, dhe një tjetër përshtypjet e atij që e ka parë vetëm në film. “Në fillim na shijonte kjo gjë, edhe pse komplimentet ishin të gjitha për Matin, ne të gjitha përfshiheshim nga kjo gjendje e re që e kishte futur grupin tonë: dalja e Matit në filma. Ngacmimet në rrugë u bënë një gjë e zakonshme. Ajo ishte e dashur dhe ndalonte për të gjithë…”.

13043388_10208458841084178_4999356252878501694_n
Adriana Puleshi dhe Matilda Makoçi, dikur dhe sot

Dy shoqet, përveçse (ose, pikërisht sepse) ndiqnin të njëjtën shkollë, ishin edhe komshie. Kujt nuk i kujtohen ato përcjelljet e dikurshme, vajtje-ardhje, të shoqeve darkave? Sa mbërrinin te dera e shtëpisë së njërës, ktheheshin mbrapsht për të bërë të njëjtën rrugë. Kështu biseda nuk mbaronte asnjëherë, sidomos për ato që kishin mbi vete sytë e të gjithëve! Në kohën kur pjesa tjetër e popullsisë flinte bashkë me ëndrrën që propagandonte Shqipëria e lumtur komuniste, Adi Puleshi pikturonte nudo. Nga ana tjetër, Mati dashurohej me një piktor. A kishte se si t’u mbaronin fjalët vajzave të “Myslym Shyrit”?! Tani janë të dyja më të heshtura, por duken thuajse 20 vjeç kur kujtojnë se si Mati e detyroi Adin të shkonte pas saj në Politeknikum, e mandej të shkonin po bashkë në Akademi, paç ka se në degë të ndryshme.”Kur përshkoja korridoret për të shkuar në klasën time, kaloja sa e sa klasa aktrimi. Njëri bërtiste, tjetri përsëriste tekste… kur shkoja në klasë isha e karikuar me gjendjen e aktorëve”, tregon Adi për vitet e Akademisë.

Nëpër të gjitha këto kujtime të papritura, nuk se ishte e padukshme keqardhja e Matilda Makoçit për të gjitha vitet që ndanin realitetin nga koha e të qeshurave të forta e sukseseve të mëdha. “Kanë qenë kohë të bukura, por kanë kaluar kaq shumë vite prej atëherë. Duhet të pranojmë dhe mësohemi me realitetin e kohën që jetojmë”, thotë Mati duke na kujtuar kështu edhe qëllimin e takimit, filmin e ri me të cilin do të dalë sërish si aktore.

13000188_10208458837804096_1631708837764733417_n
Matilda Makoçi në skicat e Adriana Puleshit

PROJEKTI PËR FILMIN E RI DHE RISHFAQJA E MAKOÇIT PAS TAKIMIT ME NATASHA BEGËN

Ishte në një aktivitet të piktores Natasha Bega, kur aktorja Matilda Makoçi u rishfaq në publik pas shumë vitesh largimi. Lexoi aty disa poezi të piktores-autore, duke u ndjerë afër interpretimit. Nga ky takim i disa muajve më parë, që ishte më shumë i organizuar për miqtë, u mendua se edhe ato të dyja ishin mikesha që e kishin marrë bashkë vendimin për të organizuar një aktivitet kulturor. Mirëpo, nuk ishte kështu. Matilda Makoçi ka vetëm pak muaj që njihet me Natasha Begën dhe ka qenë e gjitha prej rastësisë së mirë, që nga takimi i tyre i parë e deri te projekti aktual që të dyja kanë, për të realizuar një film.

“Ishte rastësi takimi me Tashën, madje ishte pikërisht Adi në mes dhe arsyeja e takimit tonë. Bashkë me tim vëlla shkuam në studion e Natashës për të parë pikturat dhe aty u ndjeva menjëherë mirë. Nuk ishim takuar më parë, por ishte si të njiheshim prej kohësh. U morëm vesh menjëherë dhe Natasha, pas takimeve të para, më propozoi të organizonim një natë kulturore ku unë të lexoja prej poezive të saj. E pranova menjëherë, edhe pse në raste të mëparshme nuk kishte ndodhur kështu. Kam pasur edhe propozime të tjera më parë, por nuk kam pranuar, nuk jam ndierë njësoj si në këtë rast”, mikesha e saj që është gjithnjë afër, Adriana Puleshi, kujton se në kohë të ndryshme, vazhdimisht i kanë propozuar për bashkëpunime, por në rrethana të caktuara nuk i ka pranuar.

Mirëpo, këtë herë që ishte e gatshme dëshira, nuk janë fondet! Filmi, megjithëse ka tashmë gati skenarin, kostumet, vendin ku do të xhirohet e gjithçka tjetër i duhet, nuk ka ende paratë! Bashkëpunëtoret mikesha shpresojnë që të sigurojnë diçka deri në shtator, në mënyrë që vjeshta të jetë për të xhiruar. “Për mua është më mirë që u shty pak realizimi i filmit. Sado që isha e mbushur me emocione të bukura, kisha nevojë për kohë që të rifitoj sigurinë. Besoj që në shtator do të ndihem më e qetë dhe do të jem më gati”, tregon Makoçi.

Ndërkaq, nuk do të mungojë, sa herë të jepet rasti, në skenat e improvizuara për fëmijët që ngrihen së fundi te Pazari i Ri. Ashtu siç bëri pak ditë më parë, ashtu shpreson të vijojë me angazhime të njëpasnjëshme. “E pëlqej shumë këtë angazhim sepse më pëlqejnë fëmijët. Është bukur të punosh me ta e për ta”. Sidoqoftë, këto ngelen angazhime të vogla e të përkohshme. Ai që do të rikthejë Matildën në ekran është filmi që do ta sjellë në moshën që ka. Natasha nuk zbuloi shumë detaje rreth tij, por na tregoi se në qendër është një histori dashurie me shumë dinamika. “Kam zgjedhur edhe aktorët, tani duhet të gjejmë përkrahësit financiarë, në mënyrë që gjërat të përfundojnë mirë”, thotë Bega.

12985444_10208458838204106_4881522968149898528_n

ALI PASHA PËRMES EROSIT

Piktorja dhe shkrimtarja Natasha Bega, pak kohë më parë, është shfaqur me një performancë artistike, krejt të ndryshme nga ato që jemi mësuar të shohim. Me “Erosin e Ali Pashë Tepelenës”, në projektin e saj ka përfshirë edhe aktoren e mirënjohur Matilda Makoçi. Një rikthim ky pas shumë vitesh mungesë, por që ka marrë vëmendjen e publikut menjëherë, sepse skenografia dhe koreografia e Natasha Begës ishte plotësuar me interpretimin e poezive nga aktorja Matilda Makoçi. Ekspozita “Harem” erdhi si vijim i “Erosit të Ali Pashës” dhe prezantoi 23 piktura, yoga dhe vargje të shkruara prej Begës. Ndërsa dihet se çmenduritë e piktores Bega arrijnë deri në surpriza të paimagjinueshme gjatë performancave të saj, mbetet ende për t’u parë nëse pjesë e tyre do të jetë edhe artistja Makoçi. “Një ditë erdhi Matilda me të ëmën, u gjend mes pikturave dhe disa poezive, pasi unë kam publikuar 9 libra. Aty u ngjiz ylli dhe lindi dëshira e mirë për të bërë diçka bashkë.

Tematika e kësaj ekspozite ishte njeriu pa kohë, ngazëllimi i njeriut, sepse ajo që ka rëndësi është, përpos kohës, se si është njeriu tani. Në qendër të kësaj ekspozite isha unë, ishe ti, jemi të gjithë ne, qoftë edhe një milingonë e vogël që kalon aty pranë.

5

PËR CA PËRRALLA TE PAZARI I RI

Matilda Makoçi ka qenë pjesëmarrëse në një aktivitet artistik të organizuar në Pazarin e Ri në Tiranë. Prej më shumë se një viti ajo është bërë pjesë e aktiviteteve kulturore dhe sociale. Këtë herë është pjesëmarrëse në aktivitetin e ekspozitës “Markata e artit” të organizuar nga Natasha Bega. Ekspozita ndenji për disa ditë në Pazarin e Ri, ndërsa pritet që të zëvendësohet me piktura të artistëve të tjerë. “Botën do ta ndryshojë ARTI dhe Gruaja”, thotë piktorja Natasha Bega. Ajo ka organizuar për fëmijët një panel përrallor me kafshët e pyllit e të xhunglës. I ka veshur ata si në një teatër dhe protagoniste ka zgjedhur aktoren e mirënjohur Matilda Makoçi. Kjo e fundit, pas çeljes së ekspozitës, ulet që t’u rrëfej fëmijëve përrallen e “Lejlekut ëndërrimtar”. Të dyja gratë artiste dinë çfarë duan fëmijët për të kaluar një ditë të mrekullueshme. Pasi kanë veshur veshjet festive, ata e ndjekin gjithë kureshtje aktoren mit të viteve ’80. E shkëputur prej vitesh nga jeta artiske, Matilda Makoçi ka premtuar rikthimin në jetën artistike dhe po e bën këtë gradualisht.

 

ANI JAUPAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura