EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: U quajtën sabotatorë të ekonomisë se eksportuan sherebele, si bënte tregti me SHBA-në ministri Kiço Ngjela

Jan 5, 2019 | 19:39
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ

Në procesin e Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit, dy krerët e “grupit armiqësor për sabotim në ekonomi”, nuk është përmendur emri i Mehmet Shehut, ish-Kryeministrit të kohës që mbante përgjegjësinë kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit. I shpëton si padashur ky detaj në bisedë Rrapi Minos, zyrtarit që përfaqësoi akuzën në atë proces të frikshëm, por ndihet disi ngushtë kur i kërkojmë të shpjegojë si mbeti dorëjashtë kreu i qeverisë, kur gjysma e kabinetit penalizohej për krimin e sabotimit me pasoja të jashtëzakonshme në ekonomi.

Rrapi Mino duke rrëfyer për “Panorama”
Rrapi Mino duke rrëfyer për “Panorama”

“Në dosjet e grupeve të hetimit, që drejtoheshin nga Kadri Hazbiu dhe Feçorr Shehu, justifikohet ai, nuk figuronte asnjë rresht për Mehmet Shehun. Ndoshta ngaqë atëherë ai ishte figura numër dy e shtetit pas Enverit. Ndoshta për ndonjë arsye tjetër. Gjithsesi, historia e tij do zbulohej më vonë në procesin pas vetëvrasjes në ‘81-shin”. Përtej këtij episodi, në vijim të rrëfimit për gazetën “Panorama”, ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme risjell të tjera aspekte nga procesi gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për dënimin e grupit “armik e antiparti të sabotatorëve në ekonomi”, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, i zhvilluar me dyer të mbyllura nga data 3 deri më 17 maj 1977.

Nga tërësia e akuzave pafund që janë konsumuar në atë përballje të pazakontë, Rrapi Mino kujton provat e pakontestueshme, sipas tij, për përpjekjet e Abdyl Këllezit e Koço Theodhosit për decentralizimin e sektorit ekonomik dhe praktikat “antishtetërore” të Kiço Ngjelës e Vasil Katit për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare me vendet borgjeze dhe SHBA-në. E teksa u rikthehet këtyre momenteve, ai ndihet në paqe me veten, pasi siç tregon, të dënuarit VIP i kanë pranuar haptazi akuzat e adresuara prej tij.

Po çfarë kujton tjetër nga ai proces ish-kreu i akuzës dhe si e argumenton faktin që aktakuza e firmosur prej tij në fund të procesit ishte një “copy- past” e denoncimit që kishte bërë për ta Plenumi i Shtatë dhe i Tetë i KQsë së Partisë, vetëm pak ditë para se t’i arrestonin… 

Për çfarë akuzoheshin Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi?

Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati akuzoheshin për veprimtari armiqësore në lidhje me agjenturat e huaja për sabotim në fushën e ekonomisë dhe të vijës së Partisë në marrëdhëniet me Jugosllavinë, me vendet perëndimore, me firmat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për futjen e metodave decentralizuese-vetadministruese në ekonomi etj. Pak a shumë, këto ishin drejtimet kryesore të akuzës ndaj tyre.

Këtë akuzë ua kishte bërë Plenumi i Shtatë dhe i Tetë i KQ-së, pse duhej t’ua komunikonit ju?

Vërtet që akuza e Komitetit Qendror që kishte mbajtur qëndrim të rreptë ndaj tyre fokusohej rreth këtyre argumenteve, por ne detyroheshim ligjërisht për ta vërtetuar në pikëpamje juridike me materiale, me dokumente, me të dhëna nga shpjegimet e vetë të pandehurve, dëshmitarëve, me prova komprometuese të siguruara në rrugë operative nga organet e Sigurimit etj.

Në çfarë faktesh e provash vërtetohej fajësia e tyre për sabotim të vijës së Partisë në ekonomi dhe për aplikimin e administrimit jugosllav?

Pa dyshim që provat dhe argumentet ishin të shumta e të gjithanshme, por më kryesorja ishte orientimi i Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit për decentralizimin nga qendra të ndërmarrjeve të mëdha dhe me karakter kombëtar. Kjo praktikë fillimisht ishte aplikuar me Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës dhe të Gazit, e cila ishte kthyer në një organizëm të decentralizuar, që ushtronte kompetenca të pakufizuara, duke u kthyer në një lloj “ministrie” brenda Ministrisë së Industrisë dhe Minierave.

Në vijim, me ndikimin e të pandehurve, në shembullin e Drejtorisë së Naftës, ata krijuan Drejtorinë e Kromit në Burrel dhe Bakrit në Rrëshen, Drejtorinë Qendrore të Uzinave Mekanike të Bujqësisë në Durrës, Drejtorinë e Përgjithshme të Peshkut etj., duke futur në to metodat e vetadministrimit, shkëputjen e tyre nga drejtimi i centralizuar, shmangien e kontrollit nga ministritë përkatëse dhe kontrollit bankar etj.

Nxjerrja jashtë sistemit, pra nga varësia e dikastereve qendrore dhe dhënia e të drejtave dhe kompetencave të plota, kishin krijuar kushte që këto drejtori dhe degë të krijonin instrumente ekonomike, financiare, teknike, teknologjike dhe operative, secila për llogari të vetën jashtë kontekstit të ekonomisë kombëtare dhe legjislacionit, që e rregullonte atë me akte normative, duke u bërë një lloj shteti brenda shtetit. Po kështu, ata akuzoheshin se në bashkëpunim me agjenturat e huaja kishin shkelur politikën shtetërore në marrëdhëniet tregtare me vendet perëndimore, kjo sidomos me firmat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës…

Prokurori Rrapi Mino dhe Abdyl Kellezi gjate gjyqit
Prokurori Rrapi Mino dhe Abdyl Kellezi gjate gjyqit

Tregti me SHBA në atë kohë?!…

Me sa më kujtohet, materiali i paraqitur nga grupi i hetimit, që mbështetej në përfundimet e Kontrollit të Shtetit në ndërmarrjet e Tregtisë së Jashtme, i penalizonte të pandehurit për tregti me Jugosllavinë në kundërshtim me orientimet e qeverisë, por edhe me disa firma perëndimore, ku përmendej edhe biznesi amerikan. Mbaj mend se bëhej fjalë për eksportim të sherbelës në SHBA, që më vonë rieksportohej në shtetin e Izraelit.

Çfarë përgjegjësie kishte për këtë Abdyl Këllezi, që ishte zëvendëskryeministër dhe Koço Theodhosi, që drejtonte Ministrinë e Energjetikës?

Në këtë rast, pra në çështjen e marrëdhënieve tregtare me Jugosllavinë dhe kompanitë amerikane, Abdyli dhe Koçoja nuk kishin përgjegjësi të drejtpërdrejtë, por si pjesë e “grupit sabotues në ekonomi”. Përgjegjësia kryesore binte mbi Kiço Ngjelën dhe Vasil Katin, i pari ministër i Tregtisë dhe i dyti zëvendës i tij. Gjithçka që ishte realizuar në tregtinë me vendet perëndimore, ishte orientuar nga këta të fundit. Në proces, ky aspekt u analizua me hollësi, me shumë prova, dokumente autentike dhe dëshmi të patjetërsueshme.

Si reagoi Kiço Ngjela dhe Vasil Kati përballë këtyre akuzave? 

Ata e pranuan në thelb akuzën, por u shprehën se ishin veçoritë e zhvillimit ekonomik të vendit që i kishin detyruar për të zhvilluar këto marrëdhënie, që binin ndesh me politikën zyrtare të shtetit. Nuk pati asnjë tentativë prej tyre për t’iu shmangur përgjegjësisë. Veçanërisht Kiço Ngjela u ndal gjatë në justifikimin e zgjerimit të tregtisë me Jugosllavinë.

Në shpjegimet e tij, rritja e eksporteve me Jugosllavinë, kishte të bënte me leverdinë ekonomike, sidomos përsa i përkiste eksportit të kromit të zonës së Tropojës, për të cilin në atë kohë nuk kishte treg. Një tjetër argument për këtë servirej prej ish- ministrit përfitimi që kishte Kosova nga shkëmbimi i mallrave midis dy vendeve. Po ashtu, Kiçoja këmbëngulte se jo vetëm kemi eksportuar, por edhe kemi importuar nga Jugosllavia mallra që gjetkë mund t’i merrnim me çmime të larta dhe me valutë në dorë.

VIJON

* Intervistë ekskluzive për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi i plotë ose i pjesshëm për publikim në print ose online.

 

Mund të lexoni gjithashtu pjesët e kaluara

(Kliko mbi titullin)

1- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi për herë të parë i ish-Kryeprokurorit të Enverit: Ju tregoj qelinë sekrete ku ju hidheshin prangat byroistëve brenda Komitetit Qendror

2- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Beqir Balluku darka me qengja të therur, faktet për degjenerimin moral të gjeneralëve

3- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit: Puna në zyrën sekrete me letrat e Enverit, si shpëtoi gazetari nga burgimi

4- EKSKLUZIVE/ Ish-kryeprokurori i Enverit: Ju rrëfej takimin e parë me Kadri Hazbiun në qeli me porosinë e Hoxhës, pse ankohej për tortura

5- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Lidhja vëllazërore mes Kadri Hazbiut dhe Aranit Çelës, si e dënoi më pas me pushkatim

6-EKSKLUZIVE/ Ish-kryeprokurori i Enverit rrëfen takimet me Kadri Hazbiun në burg: E mbanin në kashtë e dërrasë që të mos…

7- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Kafet në mesnatë të Fiqirete Shehut, pse gjyqi i grupit të Hazbiut u bë në Burgun 313

8-  EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Si tentuan Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu të shmangnin skuadrën e pushkatimit

9- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Ç’më tha Kadri Hazbiu kur i dhashë urdhrin e pushkatimit në qeli

10 – EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Si u ngritën akuzat ndaj Abdyl Këllezit, Kiço Ngjelës dhe Koço Theodhosit

11.  EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit: Përplasja e parë e ‘puçistëve’ të Ekonomisë me Enverin, si i drejtoi Kadri Hazbiu hetimet

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura