EKSKLUZIVE/ “Përplasja e parë e ‘puçistëve’ të Ekonomisë me Enverin”, rrëfimi i ish-kryeprokurorit: Si i drejtoi Kadri Hazbiu hetimet. Kur u njohën me akuzën, pranuan gabimet, por…

| 14:11
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ 

I emëruar rishtas në krye të organit të akuzës, Rrapi Mino niste detyrën e re me firmën për pushkatimin e Abdyl Kllëzit dhe Koço Theodhosit. Ishin këta dy anëtarët e parë të Byrosë Politike, që “bekuan” me fatkeqësinë e tyre karrierën e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, që kaloi para skuadrës së ekzekutimit pjesën më të madhe të byroistëve, përjashtuar Hoxhën, Ramiz Alinë dhe ndonjë tjetër të pensionuar para kohe.

Procesi i bujshëm i të ashtuquajturit “Grup Armiqësor në Ekonomi”, vinte menjëherë pas atij të “Puçistëve” në ushtri. Njerëzit që kishte vënë në shënjestër këtë radhë Partia dhe lideri i saj ishin drejtuesit kryesorë të strukturave ekonomike të shtetit dhe shënjoheshin nga këta të fundit si shkaktarët kryesorë të krizës së rëndë, që kishte pllakosur ekonominë e vendit.

Rrapi Mino duke rrëfyer për “Panorama”
Rrapi Mino duke rrëfyer për “Panorama”

Pavarësisht distancës në kohë, Rrapi Mino, prokurori i këtij procesi, e ka ende të kthjellët historinë e asaj përballjeje të jashtëzakonshme, që iu desh ta finalizonte me vendimin fatal: dënim me vdekje, pushkatim për dy prej figurave më të shquara të ekonomisë shqiptare për kohën. Në vijim të rrëfimit për “Panorama”, ai tregon për herë të parë rrethanat si e ushtroi rolin e prokurorit në këtë proces kompleks e të vështirë, duke zbuluar shumë nga aspektet e panjohura të raporteve të tij me grupin e hetueseve, ish-zyrtarë të lartë të Sigurimit të Shtetit që i drejtonte nga afër Kadri Hazbiu, asokohe ministër i Brendshëm.

Si u shfrytëzuan materialet e Plenumit të 7-të dhe të 8-të të KQ-së të PPSH-së për formulimin e akuzës për Abdyl Këllezin, Korço Theodhosin e Kiço Ngjelën. Si u procedua me denoncimin e Enver Hoxhës që thoshte se këta kishin lidhje me agjenturat e huaja për sabotim në fushën e ekonomisë etj.

Sakaq, rrëfimi i ish-Kryeprokurorit për procesin në fjalë, fokusohet në lëndën e bollshme, siç pohon ai, që vërtetonte fajësinë e të pandehurve VIP, të cilët, gjithnjë sipas tij, kishin sabotuar me ndërgjegje vijën e Partisë në ekonomi, duke futur metodat decentralizuese e vetadministruese të tipit jugosllav, duke orientuar marrëdhëniet tregtare me vendet perëndimore e SHBA-në e duke shpërdoruar pa kriter valutën e thesarit të shtetit. Po çfarë zbulon tjetër nga ky proces maratonë njeriu që ka përfaqësuar akuzën e tmerrshme ndaj ish- drejtuesve të lartë të ekonomisë shqiptare… 

Ju keni drejtuar procesin ndaj Abdyl Këllezit, Kiço Ngjelës, Koço Theodhosit dhe pjesëtarëve të tjerë të të ashtuquajturit “grup armiqësor në ekonomi”. Përse u akuzuan ata dhe në çfarë rrethanash u zhvillua procesi ndaj tyre?

Abdyl Këllezi, ish anëtar i Byrosë Politike dhe kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit dhe Koço Theodhosi, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe ish-ministër i Industrisë së Rëndë dhe Minierave, fillimisht u goditën në pleniumin e shtatë të KQ-së, që u mbajt në maj të vitit 1975. Aty u përjashtuan nga KQ-ja dhe të gjitha funksionet shtetërore, duke u cilësuar armiq e sabotatorë në organizimin shtetëror dhe në ekonomi. Në këtë plenium u kritikua ashpër edhe Kiço Ngjela e Vasil Kati, respektivisht ish-ministri dhe zëvendësministri i Tregtisë së Jashtme për cenim të politikës së Partisë në sektorët që drejtonin dhe veprime të dëmshme në ushtrimin e funksioneve. Ky ishte momenti bazik nga nisi procesi penal, që zgjati disa muaj me radhë…

Pra, aktakuza ju erdhi e plotë nga Komiteti Qendror…

Ajo ishte qasja politike e çështjes, organet e drejtësisë duke u mbështetur në konkluzionet e saj ndërtuan procesin penal juridik që fillonte me hetimin, grumbullimin e provave, ballafaqimin me dëshmitarët dhe përfundonte me procesin gjyqësor…

Ju ndërkohë ishit Prokuror i Përgjithshëm dhe prokuror i çështjes…

Ashtu ka qenë. Rëndësia e çështjes sillte si nevojë përfaqësimin e akuzës nga kreu i Prokurorisë.

Po grupin e hetimit, kush e drejtonte?

Hetimi udhëhiqej drejtpërdrejt nga ministri i Brendshëm dhe zëvendësi i tij. Pra, nga Kadri Hazbiu dhe Feçorr Shehu. Ata miratonin planin hetimor në përgjithësi si grup, e në veçanti, për çdo të pandehur, ndiqnin hap pas hapi dinamikën e hetimeve dhe orientonin përpunimin e të dhënave. Kjo praktikë fillimisht ishte përdorur në procesin e Beqir Ballukut.

Me një fjalë, hetimet nuk i drejtonte institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme, por ministri i Brendshëm…?

Pavarësisht se rregulli e donte që hetimet t’i ndiqte Prokuroria si institucioni i akuzës, së paku teorikisht, kishte disa vite që me vendim të veçantë çështje të tilla që kishin për objekt zyrtarë të lartë, ish-anëtarë të Byrosë Politike, ministra, sekretarë të Parë të Komiteteve të Partisë së rretheve e funksionarë të këtij rangu, hetoheshin nga Sigurimi i Shtetit, nga Ministria e Brendshme, që kishte ngritur struktura të posaçme për këtë qëllim…

A ishte e ligjshme shmangia e Prokurorisë nga procesi i hetimeve?

E ligjshme e paligjshme, kjo ishte praktika…

Prokurori Rrapi Mino dhe Abdyl Kellezi gjate gjyqit
Prokurori Rrapi Mino dhe Abdyl Kellezi gjate gjyqit

Që do të thotë, se ligjvënësi nuk kishte besim tek organi i akuzës…

Ishte koha kur Sigurimi i Shtetit gëzonte besim absolut. Kjo ishte arsyeja që me hetimin e zyrtarëve të rëndësishëm merreshin oficerët e lartë të tij. Bile, një periudhë u bënë përpjekje të jashtëzakonshme për ta kthyer dhe Prokurorinë e Përgjithshme në vartësi të Ministrisë së Brendshme. Një gabim fatal ky, që do t’i kushtonte shumë rëndë shoqërisë…

Një shkelje e hapur kjo e Kushtetutës, apo jo?

E kam shprehur dhe atëherë që ky ishte një gabim parimor. Kanë folur edhe juristë të tjerë për këtë çështje, por mesa duket prevaloi gjykimi politik, sipas të cilit organet e Sigurimit qëndronin mbi të gjitha organet e tjera…

Ndiheshin të tunduara organet e drejtësisë nga kjo varësi paradoksale?

Nuk di si ta shpjegoj, por që e ndienim si parregullsi, kjo nuk diskutohej. Për organet e drejtësisë, fakti që tri organe të rëndësishme si Hetuesia, Sigurimi dhe Puna Operative ishin në komandën e Ministrisë së Brendshme dhe pjesë e saj, vlerësohej jo thjesht si një gabim parimor, por dhe si një pengesë serioze në ushtrimin e detyrës…

Kush e inicioi procedurën për ta kaluar Prokurorinë e Përgjithshme në vartësi të Ministrisë së Brendshme?

E propozoi Ministria e Brendshme me krerët e saj, me arsyetimin se me një Prokurori të pavarur, nuk mbyllej cikli i luftës kundër veprimtarisë armiqësore, pasi rrezikohej rrjedhja e informacionit sekret që sigurohej nga shërbimi i fshehtë. Sipas logjikës së tyre, vetëm ata që grumbullonin të dhënat në kanalet agjenturore mund të kryenin procesin e hetimeve dhe të procedonin me akuzën. Fatmirësisht, ky hap, megjithëse u debatua gjatë, nuk u realizua. Sidoqoftë, mbeti në fuqi gjysma e së keqes, vartësia e hetimit nga Sigurimi i Shtetit, që shmangte totalisht Prokurorinë nga procesi më i rëndësishëm i politikës penale, siç ishte hetimi…

Në rastin e Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit, kush ishin oficerët e Sigurimit që realizuan procesin e hetimit?

Përsa i përket çështjes në fjalë, u caktuan dy grupe hetimi. Njëri drejtohej nga Elham Gjika dhe tjetri nga Kristofor Mërtiro, dy oficerë të lartë këta të Sigurimit të Shtetit, që më parë kishin kryesuar hetimin e grupit të Beqir Ballukut dhe puçistëve në ushtri. Grupi i parë ndiqte çështjen e Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit dhe tjetri atë të Kiço Ngjelës dhe Vasil Katit. Në përfundim të hetimeve, ne u njohëm me rezultatet e tyre dhe përgatitëm aktakuzën…

Cila ishte akuza…

“Për veprimtari armiqësore e sabotuese në organizimin shtetëror dhe në ekonomi, në bashkëpunim me armiq të jashtëm”.

Në dosjen e procesit gjyqësor rezulton se ju, në cilësinë e Prokurorit të çështjes, ua keni komunikuar atë vetëm pesë ditë pas arrestimit. Si ka mundësi që konkluduat kaq shpejt për një çështje kaq komplekse?

Vërtet që ata kishin vetëm pak ditë që ishin ndaluar zyrtarisht në qeli, por procesi ndaj tyre kishte nisur disa muaj më parë, fill pas plenumit të KQ-së. Grupet e hetimit kishin siguruar tërësinë e provave që konfirmonin thelbin e akuzës.

Kush kishte urdhëruar për hetimin e tyre, kur akoma nuk ishte hapur procesi penal?

Urdhrin për fillimin e tyre e jepte ministri i Brendshëm. Ai ishte përgjegjësi kryesor në këto raste për tërë procesin e hetimeve. Prokuroria njoftohej për çeljen e tyre dhe vihej në lëvizje, kur vinte dosja hetimore. Nga shqyrtimi i saj pastaj, prokurori përpunonte aktakuzën dhe në rastin më të parë ua komunikonte atë të pandehurve. Në thelb, kjo ishte procedura.

Cili ishte reagimi i Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit, kur i njohët me akuzën?

Fillimisht, ata e kundërshtuan në mënyrë të prerë. Çdonjëri prej tyre pranonte se kishte bërë gabime në punë, por në asnjë mënyrë për qëllime armiqësore dhe sabotimi.

Për çfarë akuzoheshin Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi?

Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati akuzoheshin për veprimtari armiqësore në lidhje me agjenturat e huaja për sabotim në fushën e ekonomisë dhe të vijës së partisë në marrëdhëniet me Jugosllavinë, me vendet perëndimore, me firmat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për futjen e metodave decentralizuese-vetadministruese në ekonomi etj. Pak a shumë, këto ishin drejtimet kryesore të akuzës ndaj tyre.

Tatëpjeta e ekonomisë dhe përplasja e parë Hoxha-Këllezi

Përplasja e parë e Enver Hoxhës me Abdyl Këllezin dhe Koço Theodhosin, dy nga figurat më të shquara të ekonomisë, është shënuar në vitin 1973, pas shifrave të frikshme që bënte prezent për udhëheqjen e lartë një raport i rezervuar i grupit të ekspertëve të ekonomisë në KQ të PPSHsë.

Kriza rezultonte e rëndë, inflacioni i rritur ndjeshëm, po binte vazhdimisht qarkullimi monetar; para të reja hidheshin në treg, po nuk tërhiqeshin nga bankat, mungonin mallrat e konsumit të gjerë, produktet ushqimore, materialet e ndërtimit etj. Kriza kishte kapluar çdo sektor të ekonomisë dhe dita-ditës situata bëhej dhe më kritike. I shqetësuar tej mase për këtë, Hoxha thirri me urgjencë mbledhjen e Byrosë Politike. Ishte kjo një nga ngjarjet e jashtëzakonshme që u regjistrua përpara plenumit të qershorit të vitit 1973, ku u kryqëzuan Todi Lubonja, Fadil Paçrami dhe disa nga figurat e shquara të artit e kulturës.

Aty, kreu i regjimit, duke i vënë përpara Abdyl Këllezit “materialin e zi”, siç u vlerësua raporti i ekonomistëve të KQ-së, paralajmëroi furtunën që do vinte më vonë mbi bashkëpunëtorët e tij më të afërt që drejtonin sektorin e ekonomisë. Radha e goditjes së tyre shënoi përvijimin e eliminimeve shfarosëse të disa të ashtuquajtura grupe armiqësore. Pasi kishte kryqëzuar Todi Lubonjën e Fadil Paçramin me “grupin e kulturës” dhe kishte eliminuar Beqir Ballukun, Petrit Dumen dhe “kastën e puçistëve”, Hoxha ideoi fshesën e hekurt ndaj të ashtuquajturit “grupi armiqësor i ekonomisë”.

Jo rastësisht, në krye të tij vendosi dy nga figurat më të shquara të ekonomisë së asaj kohe: Koço Theodhosin dhe Abdyl Këllezin, me karrierë të pasur profesionale dhe shtetërore. Tashmë ata, bashkëpunëtorët besnikë që kreu i shtetit u kishte besuar për dekada me radhë sektorët më të rëndësishëm të jetës së vendit, u stigmatizuan në sabotatorë, agjentë e poliagjentë që u kishin shërbyer të huajve dhe kishin futur në kolaps ekonominë e Shqipërisë. Që këtej pastaj, Këllezi e Theodhosi bashkë me “grupin e famshëm të ekonomisë”, u bënë objekt i një procesi penal maratonë që i dënoi pamëshirshëm me vdekje, pushkatim.

* Intervistë ekskluzive për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi i plotë ose i pjesshëm për publikim në print ose online.

Mund të lexoni gjithashtu pjesët e kaluara

(Kliko mbi titullin)

1- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi për herë të parë i ish-Kryeprokurorit të Enverit: Ju tregoj qelinë sekrete ku ju hidheshin prangat byroistëve brenda Komitetit Qendror

2- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Beqir Balluku darka me qengja të therur, faktet për degjenerimin moral të gjeneralëve

3- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit: Puna në zyrën sekrete me letrat e Enverit, si shpëtoi gazetari nga burgimi

4- EKSKLUZIVE/ Ish-kryeprokurori i Enverit: Ju rrëfej takimin e parë me Kadri Hazbiun në qeli me porosinë e Hoxhës, pse ankohej për tortura

5- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Lidhja vëllazërore mes Kadri Hazbiut dhe Aranit Çelës, si e dënoi më pas me pushkatim

6-EKSKLUZIVE/ Ish-kryeprokurori i Enverit rrëfen takimet me Kadri Hazbiun në burg: E mbanin në kashtë e dërrasë që të mos…

7- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Kafet në mesnatë të Fiqirete Shehut, pse gjyqi i grupit të Hazbiut u bë në Burgun 313

8-  EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Si tentuan Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu të shmangnin skuadrën e pushkatimit

9- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Ç’më tha Kadri Hazbiu kur i dhashë urdhrin e pushkatimit në qeli

10 – EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Si u ngritën akuzat ndaj Abdyl Këllezit, Kiço Ngjelës dhe Koço Theodhosit

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.