Ekskluzive/ Gjergj Leka: E vërteta e Parashqevisë, Theodhorit dhe këngëtareve që mbështeteshin nga Sigurimi

Aug 24, 2015 | 8:22
SHPËRNDAJE

Një rrëfim pa dorashka nga kantautori i njohur Gjergj Leka. Për herë të parë ai flet për të kaluarën e tij dhe të kolegëve. Intrigat mes këngëtareve, spiunimet, përplasjet, por edhe fjalët e mira dhe ndihma që i ka ardhur nga disa të tjera, siç është, për shembull, Vaçe Zela. 

gjergj lekaNjë këngëtare gjigante, por që, për të mbytur emocionet, i duhej të rrëkëllente alkool, para se të dilte në skenë. Kantautori shpjegon me detaje edhe skemën se si funksiononte dikur pjesëmarrja në festival dhe si ndaheshin çmimet, ku, sipas tij, Parashqevi Simaku dhe Lindita Theodhori ishin “ujkonjat” që bënin ligjin.

Ndërkaq, pengu i kantautorit është Arta Babaramo, një zë i mrekullueshëm që e veshën shpejt me rroba ushtrie. Kush, si, pse etj., mësojeni në pjesën e parë të intervistës së Gjergj Lekës për gazetën “Panorama”.

Lindita Theodhori
Lindita Theodhori
Shtatë herë i përjashtuar nga shkolla, i dënuar herë me punë prodhuese e herë me ndalim këngësh, i rriskuar me burg dhe në fund, i arratisur nga Shqipëria.

Ky është Gjergj Leka dhe t’i thuash rebel këtij, nuk i ke thënë asgjë. Ai është “nona e rebelizmit”. Është nga ata artistë që kokëkrisja e ka ndëshkuar në karrierë dhe në privatësi, por edhe i ka shpëtuar jetën. Kantautorin e takojmë në një bahçe-lokal pranë Liqenit të Thatë, ku sapo është futur në shtëpinë e re. Biseda nis spontanisht, ashtu siç zhvillohet edhe e gjithë intervista për gazetën “Panorama”.

Është hera e parë që Gjergj Leka tregon për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Një rrëfim pa dorashka, ku ngjarjet dhe personazhet nga vitet ’70-‘90 vijnë të paretushuar e censuruar, krejt ndryshe nga ato intervistat që të velin në lavdërime e komplimente për miqtë apo edhe për armiqtë. Megjithatë, edhe Gjergji ruan ca sekrete të kolegëve; për dikë se ka ndërruar jetë, për dikë tjetër se është shumë sëmurë, e për dikë sepse e ka skarcuar vetë jeta me vuajtje dhe nuk ia vlen ta trazosh më…

Parashqevi Simaku
Parashqevi Simaku
Por më tepër sesa intrigat, kurthet e spiunimet që i kanë bërë, ai përpiqet që të kujtojë njerëzit që e ndihmuan të mbijetojë, siç është, për shembull, Vaçe Zela. Një këngëtare gjigante, që, për të mbytur emocionet, i duhej të rrëkëllente alkool, para se të dilte në skenë. Është Vaçja ajo që i ka dhënë dorën disa herë, teksa koleget e rrëzonin, por edhe që i ka mësuar konjakun.

Ndërkaq, pengu i Gjergj Lekës është Arta Babaramo, një zë i mrekullueshëm që këngëtaret “big” e veshën shpejt me rroba ushtrie, para se t’i nxirrte jashtë loje me supertalentin e saj. “Në qoftë se i është ngrënë haku dikujt, ajo mban emrin Arta Babaramo”, thotë i bindur Gjergj Leka në pjesën e parë të intervistës, ku, ndër të tjera, shpjegon me detaje skemën se si funksiononte dikur pjesëmarrja në festivale dhe si ndaheshin çmimet, ku, sipas tij, Parashqevi Simaku dhe Lindita Theodhori ishin “ujkonjat” që bënin ligjin…

Nëse do t’i bënit një rezyme jetës suaj, çfarë do të nxirrnit në pah?

Që asnjë presje nuk do t’i hiqja jetës që kam bërë. Nëse do të bëja një rezyme të së kaluarës, përveçse i kam bërë keq vetes sime, si dhe familjes sime për shkak të sjelljes, askujt tjetër nuk i kam rënë më qafë. Nuk i kam bërë kurrë keq dikujt, siç ka ndodhur fatkeqësisht me shumë emra të tjerë nga arti shqiptar, që u kanë bërë keq kolegëve.

Për shembull, ndonjë emër konkret?

Lista është shumë e gjatë. Ishallah nuk po hapen shumë dosje.

Kë do të vinit në krye të listës?
Ka shumë artistë të mirë që kanë vuajtur në Shqipëri, shumë artistë që nuk ua kanë dhënë kurrë hakun, sepse kolegët e paaftë ua kanë marrë shpirtin. Se ishin të dashura të punonjësve të sigurimit, të drejtorit dhe shokut të drejtorit… Ishin gjithmonë treshe. Pse, çfarë kujton ti, se orgjitë kanë nisur me demokracinë? Jo, jo, kanë qenë që në kohën tonë…

Është bërë e zakonshme tashmë që flitet në mënyrë të përgjithshme…
Mos më provoko tani, lëre… Kanë bërë mëkatet e tyre edhe artistët, kanë folur më shumë sesa duhet, më kanë përmendur edhe mua personalisht.

Po personalisht kush ju ka përmendur?

Ti i do me emra e mbiemra?

Po, sepse edhe ju jeni personazh i kësaj interviste me emër e mbiemër…
Nuk i them se kanë familje, ca kanë ndërruar jetë. Ndërsa njëra shumë e rëndësishme për atë kohë, është edhe e sëmurë aty ku jeton. Është shumë sëmurë. Bëhet fjalë për një këngëtare shumë të madhe, që ka marrë madje dhe çmime nga këngët e mia…

E keni fjalën për Parashqevi Simakun, se ajo ka qenë këngëtare shumë e madhe dhe keni bërë këngë për të?

Unë nuk thashë gjë, ti e the…

A ka qenë e privilegjuar Parashqevi Simaku?

Më e privilegjuara. Sigurisht në vend të parë ka qenë e privilegjuar Vaçe Zela, më pas erdhi Parashqevia. Vaçja ka qenë “ministri më vete”. Madje Vaçja ishte mbi ministrinë. Ajo zgjidhte çfarë kënge të donte, ishte shumë e fuqishme.

Nga i vinte gjithë ajo fuqi Vaçes?

Sepse Vaçja nuk ishte thjesht një këngëtare, por ishte një këngëtare shumë e zgjuar. Vaçja, duke qenë jo e bukur, nuk e fitoi se “ia dha” dikujt. Se ishin ca të tjera që “e jepnin” dhe ishin të bukura, që të flasim troç tani. Vaçja e fitoi me zgjuarsinë e saj, duke ditur të mbante kontaktet e duhura dhe duke u bërë institucion. Bëhej çfarë deshte Vaçja, ishte shumë kapricioze në punë. Por Vaçja kishte nuhatje të lindur për këngë, ndërkohë që kishte emocione tejet të forta, para çdo daljeje në skenë. Po ju tregoj një sekret. Gjithnjë, para se të dilte në skenë, Vaçja shkonte më parë në banjë të urinonte dhe ankohej për dhimbje barku të tmerrshme, aq emocione të forta kishte. Ndaj pinte ponç, para se të dilte, disa gota rresht, dhe publiku nuk e kuptoi kurrë as që pinte, por as i kuptoi ndonjëherë emocionet e forta të saj. Vaçja është rast unik që dinte të ruante veten para publikut.

Keni pasur ndonjë bashkëpunim me Vaçen?
Po, kam pasur, por më parë po ju tregoj diçka tjetër. Vaçja ka qenë në konvikt me tezen time, Zhuliana Jorganxhi. Sjell rastin të kujtoj këtu diçka jashtë këngës. Kur m’u dogj njëherë dora nga fishekzjarrët, Vaçja më leu me salcë domatesh në konvikt. Nejse, kur unë nisa hapat e parë drejt muzikës, Vaçja ka ndjekur karrierën time, sepse, siç thashë, më njihte edhe nga tezja. Ajo më ka mbrojtur kur më gjykonin e ndëshkonin të tjerët, disa herë. Ndërkaq, i kam bërë disa orkestracione këngësh dhe konjakun e kam mësuar nga Vaçja. Ndërsa çfarë më ka bërë përshtypje, ka qenë vdekja e saj. Në ditën e mortit të asaj këngëtareje gjigante, po jepnin vlerësime për Vaçen nëpër media pikërisht ata që janë munduar ta shkatërrojnë, që i kanë bërë të 99-tat pas krahëve, pavarësisht nëse ia dilnin apo jo. Duke qenë se i njihja, më vinte neveri se si mund të flisnin fjalët e fundit për Vaçen, të njëjtët artistë që u përpoqën një jetë për ta fundosur…

Cilat kanë qenë rivalet më të forta si këngëtare?

Kanë qenë ato që kishin të dashurin ose mikun më të fortë.

Jam e detyruar që sërish t’ju lutem të flisni më konkretisht…

Historikisht dy më të rrezikshmet kanë qenë Parashqevi Simaku dhe Lindita Theodhori. Përveç Vaçes, që e shpjegova më lart që ishte tjetër gjë, Parashqevia dhe Lindita zgjidhnin këngët që dëshironin ato, bëhej ç’donin ato.

Si arritën të kishin kaq liri?

A thua me aftësi?

A thua me aftësi, është edhe pyetja ime?

Kishte shumë më të mira sesa ato.

Por Parashqevia ka fituar disa festivale…

Po të them që kishte këngëtare shumë më të mira sesa Parashqevia.

Si arriti Parashqevia të ngjitej në skenën e festivaleve, nga çfarë “background”-i muzikor? Nga erdhi…?

Erdhi nga Kavaja, por nuk do të doja të jepja detaje, se nuk ka ardhur në ndonjë mënyrë shumë të bukur. Po lante rrobat pranë një pusi dhe kam rastisur atje, ndaj e di mirë si ka ardhur. Po pinin ca atje pranë pusit dhe e sollën në Tiranë, pastaj na çoi ajo te pusi. Na e bëri gropën sa mundi. Që ta shpjegoj më saktë dhe në mënyrë të përgjithshme: Kemi pasur këngëtare të zgjuara, këngëtare finoke dhe këngëtare kurva. Kurvat morën fund shumë shpejt, sepse e morën vesh të gjithë se ça ishin dhe i lanë. E kuptoni menjëherë për kë e kam fjalën, se kurvat këngëtare sado të famshme ishin asokohe, u zhdukën nga qarkullimi shpejt, pasi ndërroi sistemi. Fituan këngëtaret finoke dhe të zgjuara.

Cilat ishin finoket?

Disa nga qytetet afër Tiranës. Përgjithësisht ato e bënë publikun për vete dhe nuk u duhej as miku dhe as dashnori.

Po të zgjuarat?

Disa këngëtare nga Veriu që i kënduan Enverit e partisë dhe nuk ishte nevoja të bënin as finoken dhe as kurvën. Femra e meshkuj nga Veriu e zgjidhën me këtë metodë. Ndërsa po të ishe nga Gjirokastra, kishe mbaruar punë me të gjitha, edhe i/e paaftë të ishe, prapë të hapeshin dyert.

Është folur për një këngë të Parashqevi Simakut, që jua ka lënë në mes para festivalit, pak ditë para se të largohej nga Shqipëria. Cila është ajo?

Unë kam orkestruar disa këngë për Parashqevinë, por ky rast duhet të jetë një lapsus, pasi unë kam ikur nga Shqipëria para asaj.

Kur ikët ju?
Pasi kam mbaruar recitalin e Mira Konçit, unë kam ikur.

Si ndodhi?
Morëm vizat për një aktivitet në Zvicër “te vllaznit kosovarë” dhe unë me grupin nuk u kthyem më. Vetëm Mira Konçi erdhi në Shqipëri.

A nuk e penalizuan Mira Konçin?
Jo, Mirën nuk e ngacmuan, ajo ishte fëmijë asokohe. Me familjen time u morën ca, por atëherë ishte fundi i sistemit. Gjithsesi bëri bujë si ngjarje. Mira bëri shumë mirë që u kthye se ishte shumë e urtë dhe pa llafe. Më ka ardhur shumë mirë që më pas ajo u lidh me Shpëtimin, u martuan më pas etj. Ka qenë dhe mbetet zonjë!

Ka një debat mes artistësh nëse ka pasur apo jo zë Parashqevia. Përtej mendimit tuaj për vlerat njerëzore të saj, a ka qenë e aftë Parashqevia në muzikë?

Jooooo, sado person negativ që ka qenë, nuk mund t’i thuash e paaftë. Parashqevia nuk ishte më e mira në këngë, i është dhënë më shumë sesa meritonte, më shumë sesa merrnin të tjerat që ishin të afta, por jo se ishte e paaftë.

Na bëni dot një krahasim me një të aftë, por që nuk merrte dot më shumë se Parashqevia?

Për shembull, Irma Libohova. Pas Vaçes, zëri më i mirë mbeti Irma. Por të dyja këto nuk ishin fotomodele, siç ishte Parashqevia apo ndonjë tjetër. Dhe, në fund të fundit, Irma Libohova, pa miq e dashnorë dhe me Kason me mustaqe për burrë, ia doli. Irma nuk i zgjidhte këngët, merrte çfarë i jepnin, por i interpretonte me shumë fuqi, me gjithë shpirt. Ndërsa “ujkonjat” që bënin ligjin, si Parashqevia e Lindita Theodhori, zgjidhnin këngët dhe vendosnin veton. Mbaj mend këngën e Pirro Çakos, asnjë nuk po e orkestronte. Bëhet fjalë për këngën “E duam lumturinë”. Unë isha sëmurë, me temperaturë shumë të lartë për disa ditë. Festivali mbyllej gjithnjë një muaj e gjysmë përpara, jo si tani. Pastaj nuk lëvizte asgjë, deri ditën kur shfaqeshin në ekran. Por e di ti se kur është orkestruar kënga “E duam lumturinë”? Vetëm një natë para festivalit. Le ta dëshmojë edhe Pirro Çako këtë, por e ka thënë edhe ai njëherë në një media. Ngjarja ka ndodhur kështu: Më erdhi për vizitë Gaqo Çako, babai i Pirros, ai ishte koleg me nënën time, Rozin. Ishte edhe Pirro në shtëpinë time. Pirro më tregoi këngën, ndërsa i binte pianos. E dëgjova Pirron dhe i thashë: “Eja nesër në orën 06:30 të mëngjesit që të marrësh këngën”. Ishin vetëm 24 orë përpara natës së parë të festivalit, ndërkohë që, siç thashë, renditja e këngëve për në festival mbyllej një muaj e gjysmë para. Duke pirë gjithë natën konjak, e bëra këngën dhe ia çova në orën 06:30 të mëngjesit. Ia dorëzova dhe i thashë: “Merre çmimin e parë të këngës, ta gëzosh”. Ashtu ndodhi, kënga fitoi çmimin e parë në festival. Pra, Parashqevia ishte e përkëdhelura e artit shqiptar. Sigurisht edhe ajo pati armiqtë e saj dhe mendoj se kjo qe arsyeja përse ajo nuk u kthye dot më të bënte karrierë në Shqipëri. Sepse njëherë që tentoi, ia mbyllën dyert të gjithë ish-kolegët. Përveç meje, këto muhabete i di edhe Luan Zhegu, por ai asnjëherë nuk hap gojë as normalisht, e jo më për të treguar se çfarë bëhej atëherë. I dinë edhe disa të tjerë, por që kanë vdekur apo janë dhe vetë të përfshirë.

Nëse do të bënin një listë për këngëtaret më të mira, për shembull, nga viti 1970 deri në vitin 1990. Cilat do të vendosnit aty?

Po them dy dhe jo tre. Vaçe Zela dhe Arta Babaramo, që e veshën ushtarake për ta hequr qafe.

Si e hoqën qafe Arta Babaramon?

E çuan të këndonte në ushtri ata të mëdhenjtë e të mëdhajat, pasi ia kishin frikën shumë, se mund t’i nxirrte jashtë loje me supertalentin e saj. Arta ishte person shumë dinjitoz, pa miq e benefite të tjera. Arta Babaramo ishte zë i mrekullueshëm, është pengu më i madh që kam si artist. Në qoftë se i është ngrënë haku dikujt, ajo mban emrin Arta Babaramo. Askush nuk ia dha dorën, ishte konkurrente shumë e fortë, ndaj i veshën një rrobë ushtarake dhe e çuan të këndonte në Ansamblin e Ushtrisë. Aty doli në pension dhe Arta nuk hapi kurrë gojë. Ishte njeri shumë i thjeshtë, asaj i është bërë një padrejtësi e paparë.
(vijon nesër)

ELISABETA ILLNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura