EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Ardi Memës: Shkarkimi im nga Tirana nisi që në… gusht

Nov 20, 2019 | 8:17
SHPËRNDAJE

Rrëfehet Ardian Mema! Ish-trajneri i Tiranës deri para takimit me Luftëtarin vendos që të flasë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke zbuluar çdo të fshehtë të 379 ditëve të tij si bardheblu. Trajneri tregon se si ndërtoi ekipin në verë, cilët janë lojtarët që ka sjellë dhe si nisën thashethemet për një largim të mundshëm që në gusht. 

ardian memaa

Çfarë ndodhi me Halilin dhe a ka pasur puç ndaj tij nga brenda ekipit për një largim të tij nga skuadra? Jo vetëm kaq, por Mema zbulon se mund të kishte bërë mirë gjatë aventurës së tij si bardheblu, ndonëse rrethanat dhe zemërgjerësia e tij u morën si dobësi nga lojtarë të caktuar, por edhe nga të tjerët.

Është i bindur se me të në krye skuadra kishte shumë mundësi të shpallej kampione pas 11 vitesh, por nga ana tjetër uron Julian Ahmatajn për punën e re. Sigurisht, nga i jashtëm ka gjëra që ia kanë vrarë syrin dhe nuk ngurron t’i thotë, pa cenuar trajnerin aktual të Tiranës. Në fund, dy fjalë për tifozët, që premton se do t’ua shpërblejë një ditë…

ardian memaa

Si është të qëndrosh pushim pas një viti pune intensive në drejtimin e Tiranës? 

Ky pushim ndoshta ka qenë i nevojshëm. Megjithatë, shpresoj të mos kem pushime të gjata dhe dua t’i rikthehem sa më shpejt punës. Pushimi bën që njeriu të reflektojë. Të bëjë analizat e tij se çfarë ka shkuar mirë dhe çfarë ka shkuar keq, ku ka gabuar dhe ku ka bërë mirë. Le t’ia bëjmë qejfin vetes. Është pushim aktiv.

Tani jeni larg Tiranës, por a e mendonit këtë ndarje? E kishit imagjinuar kështu…? 

Nuk doja të ndahesha kështu. Si futbollist jam mësuar me trofe dhe gjithmonë jam munduar të jem fitues. Është normale që e kam peng që u ndava nga Tirana pa një trofe. Vjet shkuam deri në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe nuk ia dolëm. Do të kishte qenë një vit i suksesshëm, por fati nuk ishte në krahun tonë. Këtë vit e filluam mbarë, por patëm dy-tri momente ku nuk shkuam mirë. Ky fakt solli edhe ndarjen mes meje dhe klubit, por që në futboll është kështu. Disa mendojnë në një formë, disa ndryshe,  por unë mendoj se nuk ka qenë momenti që të largohesha nga drejtimi i Tiranës. Ishte një moment “jo” dhe unë shpresoja që të jepja maksimumin tim në stolin e bardhebluve, për ta çuar Tiranën drejt trofeve. Ishte tepër herët largimi, sepse trendi i pikëve ishte normal dhe kjo duket nga tabela e klasifikimit. Na u ngatërruan planet me dy ndeshje. Sidomos barazimi në Vlorë ishte i rëndë dhe mua realisht më ka ardhur shumë keq që barazuam në fund si dhe takimin me Partizanin ku humbëm.

mEMA

Që do të thotë… 

Kemi bërë ndeshje shumë të mira, por edhe kemi gabuar shumë. Po kthehem një vit pas. Kur erdha, mora përsipër edhe problematikën që kishte Tirana. Edhe sivjet marr përgjegjësitë e mia. Duhet të jemi realistë. Çdo njeri të marrë përgjegjësitë që i takojnë dhe të analizojë atë që ka bërë mirë dhe keq, duke qenë i drejtë me të gjithë.

Ndiheni i keqardhur që u larguat edhe pse ishit tri pikë larg kreut? 

Keqardhja kjo ishte, megjithatë u krijua një situatë që edhe unë nuk po ndieja pozitat në ekip. Po kështu situata më kaloi disi nga kontrolli. Disa gjëra apo probleme vijnë duke u trashur gradualisht, pra se si trajneri duhet të menaxhojë të gjithë lojtarët. A do të jenë lojtarët të bindur? Flas për momentin kur trajneri ka pozitat jo të mira dhe se si duhet të veprojnë. Ndoshta ka qenë një situatë që mund ta kisha menaxhuar më mirë, megjithatë nuk doja eksperienca të këqija, për më tepër te Tirana. Ndarjet bëjnë edhe diçka tjetër, japin mundësi të tjera dhe të tjerëve. Në këtë rast ishte edhe një hapje krahu, jo vetëm vendimmarrja e presidentit

Në derbi e kuptuat që marrëdhënia me Tiranën ishte thyer? 

Nuk ka ndodhur në derbi, ndonëse Partizani ishte kulminanti. Ka qenë një moment në fazën përgatitore gjatë verës. Me dy javë stërvitje ishim në Maqedoni. Luanim në një fushë të keqe, gjyqtarin e kishim kundër, por lojtarët bënë maksimumin dhe u paraqitën mirë. Po flisja në telefon me familjen, por më thoshin që kur të vish në Tiranë do të të largojnë. Thashë se nuk ka mundësi, pasi trajneri nuk largohet gjatë verës. Kjo ishte thyerja e parë. Ishte nivel thashethemi, që rezultoi serioz. Më pas ishte ndeshja me Flamurtarin ku u fol në çdo moment që trajneri mund të ikte. Pas Partizanit doja të ikja vetë, sepse u ndjeva keq. Ekipi po shprehej mirë, por patëm problemet e zakonshme që gjatë këtij viti më kanë stresuar. Ua kam thënë edhe lojtarëve që golat, të cilët pëson Tirana, një ekip normal i merr në portë, një herë në dy muaj. Ia vura fatit, vetes dhe thashë që isha i dënuar. Kam dëgjuar shumë fjalë, pasi çdo bisedë del. I kam konsideruar nivel fjalësh dhe asgjë më shumë, ndonëse shprehja popullore: “Ku ka zë, s’është pa gjë”, i shkoi mirë kësaj situate. E gjithë kjo tymnajë apo thashethem ka ndikuar te raporti im me futbollistët.

OLSI AVDIAJ

(INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura