EKSKLUZIVE/ Rrëfehet Skënder Gega: Zemrën e kam sërish te klubi i kuq, ja pse ika nga Partizani

Nov 6, 2019 | 8:13
SHPËRNDAJE

Një karrierë e nisur në fillimvitet ’80, është duke u plotësuar me të gjitha nderimet më të larta në sport. Jo vetëm ato nga fusha, me këpucët e kohës, rrobat, gjithashtu, pa marketingun e ditëve të sotme. Më tej, me tutën e trajnerit bën historinë, duke thyer tersin dhe zbrazëtinë e më se dy dekadave te Partizani. Së fundmi, i duhet të vishet me kostumin më të shtrenjtë të gardërobës.

ilir meta skender gega

Si një zotëri i vërtetë dhe fisnik, Skënder Gega paraqitet në poltronin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të marrë një nderim shtetëror: “Mjeshtri i Madh”. Me dekoratën në duar, i ka vërtetë virtytet e atij nderimi edhe në daljen para medias. E ka të vështirë të pranojë të japë një intervistë, por nuk refuzon, në respekt të punës së gjithkujt. Edhe të vetë medias. “Nuk kam çfarë të them”, nis ai fjalën, si për të mos dalë nga vetja, pavarësisht historisë që ka bërë në harkun e 12 apo pak më shumë muajve.

Ekskluzivisht për “Panorama Sport” me shumë diplomaci, Gega fokusohet vetëm tek e shkuara e tij me të kuqtë, pa dashur të cenojë askënd në aktualitet. Ai tregon sekretin e artë: Si i shmangu polemikat…, pse u largua dhe planet e tij për të ardhmen: “Këtë profesion kam, do vazhdoj të bëj punën time”, shprehet ndër të tjera ish-trajneri i Partizanit, në deklaratën e tij të parë pas largimit si kampion nga të kuqtë.

skender gega

Gega, një nderim i lartë shtetëror për ju nga Presidenti i Republikës. Çfarë do të thotë kjo në karrierën tuaj?

Ndjehem jashtëzakonisht krenar dhe i respektuar. Patjetër që njeriu në sport, si në çdo profesion të jetës, po të mos ketë bashkëpunim, s’mund të jetë i suksesshëm. Unë personalisht kam pasur fatin që të stërvitem nga trajnerë me vlera njerëzore, por edhe profesionale. Gjithashtu, kam luajtur përkrah shumë figurave, lojtarë me shumë vlerë që kanë bërë historinë në Shqipëri. Gjithashtu, kam trajnuar lojtarë që më kanë bërë të ndihem krenar dhe i lumtur. Kështu që çdo gjë është e plotësuar.

A është ky viti më i suksesshëm në karrierë profesionalisht?

Absolutisht! Besoj se ishte një vit i mrekullueshëm, falë punës, përkushtimit, ndihmës, bashkëpunimit me klubin Partizani, lojtarët dhe u arrit ajo që u arrit. Gjë e cila ishte ëndërr për mua e për të gjithë tifozët dhe dashamirësit e Partizanit dhe të sportit. Besoj se ka qenë një vit shumë, shumë i mirë. Gjë e cila vetëm më nxit që të punoj më shumë për të arritur suksese të tjera.

Pse u larguat?

Është thjeshtë një vendim imi personal që kam marrë.

skender gega

Si ikët nga aty?

Ishte momenti për t’u shkëputur. Jam larguar me gjërat dhe kujtimet më të mira.

A keni marrë oferta gjatë kësaj periudhe?

Tani për tani jam në bisedime. Ky është zanati ynë. Besoj se shumë shpejt do të filloj një sfidë të re. Megjithatë, mendja dhe zemra ka qenë te Partizani. Vetëm i uroj të mira dhe mbarësi. Asgjë tjetër.

Si ju duket Partizani këtë vit, teksa ka pasur jo pak polemika, në staf apo edhe me grupin e lojtarëve?

Patjetër që e kam ndjekur. Është hipokrizi të them që unë nuk e ndjek, pasi jetova një vit më të. Kam punuar dhe kaluam ditë apo orë të mira. Por edhe të vështira. Jam interesuar 24 orë që ai klub të ecë mirë. Është skuadra ku unë jam rritur.

OLSI TUJANI

(INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”)

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura