EKSKLUZIVE/ Rrëfehet Ilir Daja: U riktheva te Skënderbeu se kisha një “borxh”, më frymëzon Guardiola

Oct 22, 2019 | 8:40
SHPËRNDAJE

Titull kampion me Elbasanin, më pas me Dinamon dhe dy sezone të mrekullueshme te Skënderbeu, ku jo vetëm fitoi kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, por theu një rekord, pasi arriti të kalojë katër ture në Ligën e Europës, si askush më parë, duke futur për herë të dytë në fazën e grupeve korçarët.

daja

Ilir Daja mbushi të dielën 53 vjeç dhe pasi festoi me miqtë e tij më të ngushtë, pranoi të fliste ekskluzivisht për “Panorama Sport”, në një intervistë ndryshe, nga ëndrrat që ka, te trajnerët që e frymëzojnë dhe deri tek oferta e Shkëndijës së Tetovës.

Si është të jesh 53 vjeç?

Një jetë e tërë e kaluar në sport. Edhe po të kisha mundësi ta ndryshoja, do të bëja të njëjtën gjë, pasi është një profesion që e kam marrë që në moshën 10-vjeçare dhe sot e kësaj dite nuk jam shkëputur. Vazhdoj prej 25 vitesh trajnim me suksese e vështirësi, por i shpërblyer me rezultate dhe arritje të mira

Cili është pengu më i madh që keni dhe diçka që nëse do të ktheheshit pas në kohë do ta bënit më mirë?

Nuk kam shumë pengje, pasi gjithmonë me çdo ekip duke filluar nga moshat e vogla kam marrë kënaqësi. Peng, nëse mund të quhet i tillë, mbetet mosvijimësia e ciklit të suksesshëm me Skënderbeun për ta provuar në nivelin më të lartë. Pavarësisht se për aq sa kemi arritur mund të them pa më të voglin dyshim se mbetet arritje historike në futbollin shqiptar.

Daja

Cili trajner ju frymëzon në futbollin botëror?

Me periudha të ndryshme kam pasur frymëzim nga disa. Gjatë gjithë kohës kam dashur të jem vetvetja. Guardiola ka qenë gjithmonë një frymëzim për mua, por Klopin e pëlqej për stilin agresiv që përdor për të shkuar te porta.

Çfarë përgjigjeje do u jepnit atyre që mendojnë se Daja i është futur një aventure në këtë rikthim në Korçë?

I kam pasur qejf aventurat, por rikthimi në Korçë ishte një “borxh” që ia kisha këtij qyteti, pavarësisht se mbylla kontratën dhe kërkova motiv tjetër. Doja që edhe në këtë moment goxha të vështirë të isha prapë këtu, pasi të ofron kushte për të punuar i qetë dhe të marrësh maksimumin nga puna që bën.

Është e vërtetë që keni refuzuar Shkëndijën e Tetovës?

Dua të jem i vërtetë, pavarësisht se Shkëndija e ka trajnerin tani. Në momentin që Shkëndija largoi trajnerin, kam pasur ofertë, gjë që më ka bërë të hyj në bisedime. Por, duke parë se kisha një kontratë me Skënderbeun, marrëveshja ishte e vështirë.

LLAZI SARO

(INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura