EKSKLUZIVE/ Rrëfehet bashkëshortja e Gjokës: E pashë në ëndërr, vajza u trondit. Ja si e mora vesh lajmin

Feb 24, 2018 | 9:10
SHPËRNDAJE

Sulmi ndaj Ernest Gjokës ka tronditur futbollin shqiptar dje. Por, më shumë se gjithkush nga kjo ngjarje, sigurisht që është tronditur familja e tij, e cila jeton në kryeqytet. Ata kanë mbetur të tmerruar nga ky agresion dhe këtë e thotë vetë bashkëshortja e trajnerit në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”.

20621221_10155921773150101_7229984123204777702_n

Edit Lako ka parandierë gjithçka me një ëndërr dhe falënderon Zotin që lajmin nuk e mori vesh nga mediat, ku dominonin titujt: “Sulmohet me thikë trajneri i Vllaznisë”. Ajo është mbështetësja më e madhe e Gjokës, megjithatë zbulon se ia ka kërkuar që të kthehet menjëherë në shtëpi.

Zonja Edit, si e morët vesh lajmin për sulmin ndaj bashkëshortit tuaj?

Po flija në fakt dhe u zgjova nga një ëndërr të tmerrshme. Menjëherë mora Nestin në telefon, por më doli i zënë. U çudita realisht, pasi e di që është një situatë jo e mirë atje me njerëzit, me gazetarët. Kjo gjë më tensionoi dhe vazhdova të insistoja derisa e arrita. Zëri nuk m’u duk normal dhe aty më shpjegoi gjithçka kishte ndodhur. Në atë kohë ishte në polici. Për fat nuk e mora vesh lajmin nga mediat dhe portalet, pasi do të ishte e tmerrshme për mua të lexoja “sulmohet me thikë”.

A ju tregoi sesi ndodhi ngjarja?

Për fat, Nesti është mirë. Ngjarja ka ndodhur ashtu sikundër edhe është raportuar nga mediat. Dikush e ka sulmuar, i ka rënë në grusht dhe ai është vetëmbrojtur duke ia kthyer grushtin. Në atë çast ka nxjerrë thikën, por për fat ka qenë i shoqëruar me Gilman Likën. Gjithçka ka ndodhur kur po dilnin nga dushet, pra, pas stërvitjes.

Gjoka nuk njihet për një person konfliktual, ndaj pse mendoni që i ndodhi kjo?

E di për çfarë më vjen keq? Këtë nuk e them se është bashkëshorti im, por sepse Nesti është një njeri jashtëzakonisht i përkushtuar dhe më vjen keq që punon në një qytet të atillë, ku i kanë hapur probleme që nga dita e parë që ka filluar punën.

20745930_10155944880970101_8373760946753508329_o

Pak kohë më parë, trajneri i Vllaznisë ruhej edhe nga policia. Mos kanë lidhje ngjarjet?

Nuk di ta them, derisa as policia nuk e ka një informacion të tillë. Agresori është larguar dhe ende nuk është arrestuar. Nuk e di nëse kanë lidhje me rastin e parë apo është diçka tjetër.

Në dijeninë tuaj, a ka pasur ndonjë konflikt?

Absolutisht jo! Nuk ka asnjë konflikt. Ai vetëm ka marrë drejtimin e një skuadre dhe e ka organizuar sipas ideve dhe filozofisë së vet. Dikush mund të jetë i kënaqur dhe dikush jo, por jo sa të kalojë në një konflikt personal.

Po agresorin a e njihte?

Fare. Ka qenë me kapuç të zi, por dukej që ishte djalë i ri. Gjithçka mund të ketë zgajtur vetëm 10 sekonda, jo më shumë. Ai nuk e ka pritur që Nesti t’i kundërpërgjigjej me grusht dhe nga frika ka nxjerrë thikën dhe ka ikur.

Pse kaq terren i vështirë Shkodra, pasi në Vlorë dhe në Kukës nuk ka pasur kurrë ndonjë situatë të tillë?

Nuk e di çfarë të them, mbase vjen prej faktit që është ekip bashkie apo ndonjë problemi të brendshëm. Nesti është prurje e re në Shkodër, ndaj nuk di shumë për atë ambient. Ndoshta mund të jetë edhe një rast i veçuar për ndonjë gjë koti. Nuk mund të them më shumë, pasi në të vërtetë nuk e di çfarë ka ndodhur. Por, më vjen keq që një qytet si Shkodra, me aq kulturë, të përjetojë situata kaq të tmerrshme dhe të “prodhojë” lajme të tilla.

Gjoka4-470x2901-470x290

Vajzën si e qetësuat pas kësaj ngjarjeje?

Filloi që të qante dhe më thoshte “Të lutem mam, thuaji babit që të kthehet. Ç’janë këto gjëra…”. Ishte shumë e shqetësuar, megjithatë tashmë situata u kthye deri diku në normalitet. Por, momentet e para ishin të rënda, nuk po mblidhja dot veten. Nuk arrij dot ta kuptoj se si mund të dhunohet një person në krye të detyrës dhe, mbi të gjitha, një punonjës i shtetit, pasi Vllaznia është pronë e bashkisë.

Nuk e konceptoj, pasi ai është një njeri që ka gëzuar respektin e të gjithëve. Sigurisht që jo të gjithë të duan, pasi dikush ka preferencat e veta. Futbolli në fund të fundit është vetëm një lojë dhe gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin, ndaj u tmerrova. Gjëja e parë që i thashë, ishte “Ernest, merr gjërat dhe eja në shtëpi. I ke hyrë një sfide që është shumë e fortë për ty”.

Mendoni se do t’ju bindet?

Nuk ma do mendja, pasi kur ai i futet një gjëje, nuk ka kthim pas. Ai ka një pasion dhe një sedër të jashtëzakonshme për punën e vet. Më merr tani dhe më thotë “Qetë- sohu! Qetësohu!”.

Më shumë mendjen e ka te ju…

Po, tek unë dhe te goca. Tani jam e qetë, por qëparë vetëm qaja. Tani e mblodha veten.

Prisni që ta shihni shpejt, meqenëse është kërkuar edhe shtyrja e ndeshjes?

Tani e lexova që është kërkuar shtyrja e ndeshjes nga bashkia dhe klubi, por nuk e di nëse do të vijë sot (dje) apo jo, pasi është ende në polici dhe kallëzimi ka procedurat e veta.

gjoka2-470x366-1-470x366

E menduat që të merrni direkt makinën dhe të niseshit për në Shkodër?

Është vajza në mes dhe u stepa, e mendova dy herë. Por, nëse do të isha vetëm, do e kisha bërë.

Në Shkodër keni shkuar ndonjëherë, i keni ndjekur ndeshjet nga stadiumi?

Është shumë e çuditshme në fakt, por kam shkruar vetëm një herë në ndeshjen e parë. Nesti gjithmonë më ka kërkuar që të shkoj, madje edhe sot (dje) në mëngjes më tha që tw nisesha nga Tirana nesër (sot) për në Gjirokastër që të shikoja ndeshjen. “Aman jo” i thashë, ndërkohë që kur ishte në Vlorë, ikja jo vetëm çdo fundjavë, por edhe çdo dy-tre ditë. Atje nuk më bëhet që të shkoj, për shkak të situatës së tensionuar.

E marr orë e sekondë në telefon dhe, kur më thotë “jam duke ngrënë darkë”, unë direkt i them “thuaji zv.trajnerit që të të shoqërojë në shtëpi”. Me këtë dua të them që jam shumë e merakosur sepse e kuptoj situatën që është aty. Në fund të gjithçkaje, çfarë mund të thoni…? Faleminderit Zotit që është mirë dhe u mbyll me kaq! Edhe tani më tha që “nuk lëviz”. Megjithatë, meraku im më bëri që të insistoja dhe t’i thosha “Të lutem mendohu mirë. Në fund të fundit askush nuk qan për ty, por vetëm gruaja dhe fëmija yt”.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura