EKSKLUZIVE/ Reagon Naim Qarri: Prisja më shumë pikë, ja pse e largova Devollin (E PLOTË)

Sep 4, 2018 | 21:30
SHPËRNDAJE

Presidenti i Kamzës, Naim Qarri, është i zhgënjyer për mënyrën se si kanë shkuar gjërat në dy ndeshjet e fundit, prandaj dhe vendosi të shkarkonte gjithë stafin teknik me në krye trajnerin Bledar Devolli. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Qarri tregoi arsyet pse mori këtë vendim të papritur, pas vetëm tri ndeshjeve kampionat. Ai theksoi se lojtarët kanë marrë paradhënie deri në muajit tetor dhe se pret shumë më tepër.

Devolli qarri

“Kam pasur rezerva për punën që ka bërë deri më tani Devolli. I keni parë tri ndeshjet e Kamzës? Sa herë kemi gjuajtur në portë, sa korne kemi marrë? Nuk më ka pëlqyer aspak loja. Që në ndeshjen e parë kam pasur kritika, pavarësisht se fituam. Unë jetoj me ekipin çdo minutë dhe e di shumë mirë se çfarë gjendjeje ka. Stafin e kam paralajmëruar që disa javë më parë, pasi ndoqa skuadrën. Ju thashë a keni bërë stërvitje apo jo? Sepse pashë gjendjen jo të mirë fizike.

OK, ndeshjen e parë e fituan. Pastaj ndaj Partizanit luajtën deri në minutën e 60-të, më pas s’kishte më futboll. E njëjta gjë ndodhi edhe me Teutën, ku në 30 minutat e fundit nuk ishim aspak mirë fizikisht. Si mund të vazhdojmë kështu?! Nuk ka asnjë justifikim, sepse 10 lojtarë të formacionit bazë e kanë zhvilluar të plotë fazën përgatitore. Vetëm Martinena i është bashkuar skuadrës me vonesë”, është shprehur fillimisht për gazetën kreu i klubit kamzali.

SYNIMET

I pyetur për kushtin që i kishte vënë ish-trajnerit Devolli, Qarri deklaroi se Kamza ka si synim primar vetëm mbijetesën në Kategorinë Superiore. “Trajnerin nuk e kam vendosur aspak në presion, i kam thënë që të bëjë futboll të bukur dhe të mbijetojmë në kategori. Nuk kam folur fare për objektiv Kupat e Europës. Në këto tri ndeshjet e para kam pritur 6 deri në 7 pikë, duke pasur parasysh skuadrën që kemi ndërtuar. Kam paguar lojtarët paradhënie deri në tetor, investimi është i madh.

U bëra 11 vjet që investoj dhe merrem me futboll, por Devolli nuk i ka dëgjuar këshillat e mia. Nuk kam çfarë të them më tepër”, përfundoi Qarri. Kjo është hera e tretë që Devolli largohet nga Kamza pa mbyllur mirë sezonin. Për trajnerin gjirokastrit ky ishte debutim në Superiore, pasi në të kaluarën ka drejtuar Kamzën, Luftëtarin dhe Bylisin në Kategorinë e Parë.

Jorgis Memo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura