Ekskluzive/ “Qava në zyrën e Ramiz Alisë për të kënduar në Festival”

Sep 13, 2015 | 11:57
SHPËRNDAJE

Është ndër këngëtaret e rralla aktive në muzikë, pavarësisht dekadave që ka në skenë. Myfarete Laze e ka nisur këngën në bankat e shkollës fillore, për të triumfuar me disa çmime në festivalet e fëmijëve dhe më tej në RTSH, për t’i rezistuar me sukses edhe sot e kësaj dite tregut të vështirë me “play back” e këngëtare erotike. Skena nuk e lodh kurrë, madje e mban gjallë, por teksa vitet shkojnë, ajo gjithnjë e më tepër po kultivon te vetja filantropinë.

Myfarete Laze
Myfarete Laze
Ndaj një pjesë të rëndësishme të ditës ia zë bamirësia, të cilën e ka kombinuar edhe me punën që ka si specialiste pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku koordinon projektet artistike të shoqatave, institucioneve të ndryshme etj., për të burgosurit. Ishte Myfaretja që për herë të parë futi trendin e ekspozitave në burgje, të punimeve artizanale, formoi grupe këngëtaresh dhe valltarësh atje, realizoi shfaqje teatrale etj.

Vite më parë, Myfaretes iu dha një post i lartë në Ministrinë e Kulturës, por ajo “e shkëmbeu” me rolin e “terapistes së artit” pranë burgjeve, vetëm e vetëm pse ndihej mirë shpirtërisht. “Nuk më duhej rroga e lartë, as posti që kisha, ndërkohë që nuk kontribuoja dot direkt te njerëzit në nevojë, që të ndihesha mirë edhe vetë. Ndërsa puna që kam aktualisht më mbush shpirtërisht”, thotë Myfarete Laze, teksa nisim një bisedë të gjatë për gazetën “Panorama”.

Një rrëfim për të mos u humbur, që nis nga pushkatimi i gjyshit – “njolla e biografisë” që e përndoqi më pas pjesën tjetër të familjes, internimi nga Jugu në Shkodër, ndëshkimi që ra mbi Myfareten vetë si fëmijë, por edhe pengesat në karrierë teksa rritej.

Po cilët ishin njerëzit që e ndihmuan apo bashkëpunuar me atë ndër vite, si ka qenë jeta artistike në 17 festivalet e dikurshme që ka marrë pjesë dhe një krahasim ditët e sotshme? Myfarete Laze tregon ekskluzivisht në “Panorama” për veten dhe për disa kolege të saj, që janë përmendur jo pak së fundmi, si: Vaçe Zela, Parashqevi Simaku, Lindita Theodhori, Arta Babaramo etj…

Si ka qenë rrugëtimi juaj artistik?

Rruga e jetës artistike asht’ e gjatë. Kam marrë pjesë vonë në Festivalin e RTSH-së, nëse do të kemi parasysh se unë kam nisur rrugën e këngës që në klasën e dytë fillore.

U bëra pjesë e “korit të fatosave” në Shtëpinë e Pionierit, falë përkujdesit të mësues Lec Balca, që në zbuloi talentin fëminor (kështu quheshin në fëmijërinë tonë), ndërkohë që në klasën e tretë konkurrova me dy këngë. Njëra ishte solo, kompozim i Leonard Dedës dhe fitoi çmimin e tretë, dhe tjera ishte një duet me Frederik Ndocin, kompozim i Xhavit Ujkanit dhe fitoi çmimin e parë.

E mbaj mend si sot, kënga quhej “Beni, Mira dhe reçeli”. Më pas, çdo vit merrja pjesë në festivalet lokale dhe kombëtare, deri në mbarim të klasës së 8-të, ku kam fituar 12 çmime.

Por, pavarësisht çmimeve, mua nuk më lejonin që të hyja në shkollën e mesme “Prenk Jakova” dhe as motrën time në universitet.

Për çfarë arsyeje?

Për arsye biografie. Gjyshi im Mile Xhafo Laze, u pushkatua menjëherë pas marrjes së pushtetit. Që atëherë nisën pasojat për familjen tonë.

Babai im nuk gjente dot punë. Im atë u pushua për herë të tretë nga puna, në 1972 dhe nga çdo punë shtetërore, dhe vdiq pa vënë firmë në bordero për 13 vjet rresht. Ai vdiq në vitin 1985, ishte shumë i ri.

Ne si familje u zhvendosem në Shkodër, nga Saranda. Ishte fat se falë qytetarisë e shpirtit artdashës të banorëve të këtij qyteti, ndërhyrjes së Bilal Parrucës, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës, që hyri garant për familjen time ngaqë isha rritur me këngën e aktivitete të ndryshme artistike dhe spikatjes së talentit tim, arrita të futem në shkollën e mesme “Prenk Jakova”, ndërsa motra në universitet për Gjuhë-Letërsi, pasi më parë i ishte mohuar e drejta. Kjo asht’ qytetaria shkodrane dhe shpirti i tyre për jabanxhinjtë.

Po thoni që mezi arritët të hynit në gjimnaz, për shkak të “biografisë së keqe”. Atëherë si ia dolët mbanë që të merrnit pjesë në Festivalin e RTSH-së?
Unë e doja këngën dhe bëja çmos që të isha pjesë e festivaleve të këngës qytetare shkodrane, ku kam fituar 7 çmime si: çmim të parë me Zef Çobën “Besa bes’, kala e fortë”, çmim të dytë me Pjetër Gacin, të tretë me Adil Ujkashun, Xhavit Ujkanin, Kolec Gajtanin etj. Por festivali në RTSH ishte aktiviteti kulmor i këngës dhe konkurrenca dhe këngëtarët pjesëmarrës kalonin në konkurse, ishin me personalitet vokal secili.

Po si të shkoja, si të futesha, me kë? S’kisha të njohur, vetëm aktivitetet e çmimet e merituara dakord, po biografia?! Por ja, një ditë im vëlla takon Osman Mulën. Dihet kush është fisi Mula, një fis këngëtarësh, artistësh, plot vitalitet. Ai i thotë vëllait tim: “Pse nuk e sjell Myfareten në Festival”? “Po ja”- i thotë vëllai, – ti e din se kemi problemin e biografisë”. “Bjere njëherë, mbase e kalojmë fazën e parë. Pastaj po kaloi në të tjerat, s’i dihet”, i thotë Osman Mula.

Vëllai im vjen e më thotë se si qëndronte puna. Unë menjëherë nuk ngurrova, madje i thashë “nisemi sa më shpejt”. Shkuam në Tiranë dhe paraqitemi aty ku bëheshin pranimet pranë Radiotelevizionit. Unë bëra kërkesën dhe konkurrova në konkursin përzgjedhës. Më kaluan në provat e para dhe më caktuan këngën. Do këndoja një këngë të Enver Shëngjergjit “Nën kurorën e ullirit”, me Lindita Theodhorin. Në të njëjtin festival m’u besua kënga “Shoqet tona ilegale”, që e kishte edhe Vaçe Zela. 

Si ishte të konkurroje së bashku me Vaçe Zelën?
Shpesh ma drejtojnë këtë pyetje, ajo ishte idhulli im. U përzgjodha për të kënduar këngën “Shoqet ilegale” nga Agim Prodani, babai i këngës së lehtë shqiptare. Kur nisëm provat kishte dhe dy javë të fillonte festivali, pasi këngën e la Gaqo Çako, se kjo këngë ishte kompozuar për Vaçen e Gaqon.

Fillova provat, ishte fazë e njohjes vokale me profesor Gimin, akoma nuk ishte vendosur nëse do ta këndoja. Filluam të bënim provat në shtëpinë e të madhit Agim Prodani. Ai kishte aty studion, pianon dhe aty zhvillonim provat. Kur shkova ditën e parë, rrija e ndrojtur. Në shtëpi ishin Agimi me Zhuliana Jorganxhi, poete, Alqi Kareco, orkestrues.

Në fillim rrija si e hutuar, ky bashkëpunim fliste për një shkallë profesionale më shumë nga sa isha mësuar. Ishin shumë të përkushtuar, shkollimi im vokal, impostime nga mësues Ferit Bala, që po më ndihmonte në notat e larta. Pas pak, shikoj që në drejtim tonë vjen me tabaka në duar ku kishte filxhan çaji një grua e bukur, elegante. Shtanga.

Ishte Anita Take, bashkëshortja e Agimit. Ajo ishte një tjetër befasi, por dhe një tjetër kënaqësi. Isha në një familje artistësh. Një familje gazmore, plot harmoni, plot fisnikëri. E shihja tek vinte dhe emocionohesha. E shikoja me bisht të syrit. Ajo më buzëqeshi dhe më ofroi filxhanin. U mrekullova nga ajo grua që, përveç zërit që e donte, e nderonte gjithë Shqipëria, ishte aq e thjeshtë, komunikuese dhe shumë mbështetje e siguri më falte prania e saj.

Nën këto emocione fillova të punoj. Në bisedë e sipër, Anita Take tha se do vijë dhe Vaçja. Fillova të dridhesha. Emocionet ishin të forta. Ajo vjen pas pak, ashtu energjike, plot vitalitet. Sa erdhi, u takua me të gjithë, më përqafoi dhe mua. Pasi bëri pyetjet e rastit tha: “Pa ta dëgjoj pak vajzën”. Unë u meka. Nuk kaloja dot pështymën. U preva në fytyrë. “Fillo”- më tha Agimi, por unë… Kisha shumë emocione. Zëri nuk më dilte. Agimi e kuptoi dhe i tha Vaçes dhe Anitës: “Shkoni nga dhoma tjetër”.

Kur ikën ato, sikur u qetësova. Fillova të këndoj. Zëri po më dilte i plotë. Këndova me shpirt. Sa mbarova, Agimi me Zhulianën duartrokitën. Pa mbaruar ata duartrokitjet, në dhomë futet Vaçja me Anitën. Ato të dyja më përqafuan. “Të lumtë!”- më tha Vaçja, -këndove shumë bukur”. Ishin çaste të paharruara… S’ishte kollaj dhe kjo ishte hyrja ime ne festival. Një hyrje dinjitoze që më dhuroi dy çmime, të parin “Shoqet ilegale” nga Agim Prodani dhe të tretin me Enver Shëngjergjin “Nën kurorën e ullirit”.

D.m.th. e kalove “testin” e këngës, ndërkohë “biografia e keqe” për pjesëmarrje në festival nuk t’u zbulua? 
Deri atë kohë, nuk më ishte përmendur fare puna e biografisë. Festivali zhvillohej tre net. Unë këndova dy net shumë mirë. Interpretimi im u pëlqye shumë, shumë. Isha shumë e gëzuar. Ne futeshim në sallën e festivalit dy orë para, se bënim grimin, rregulloheshim. Kur sapo do hyja në derën e pasme të sallës, roja më thotë se do kalosh te kjo dhoma tjetër dhe do të takosh Marash Hajatin, drejtorin e Televizionit. Shtanga! “E dija, ndodhi”, thashë me vete.

Dhe çfarë kishte ndodhur në fakt?
Kur shkova aty, drejtor Marashi, një burrë fisnik dhe autoritar, pasi më përshëndet me përzemërsi, më thotë se na pret Ramiz Alia në KQPPSH. Por mos u shqetëso. Ramizi më parë kishte marrë në telefon Çesk Zadenë dhe e kishte pyetur sesi kisha mundur të hyj në Festival. Pra, problemi ishte i mprehtë.

Nisemi direkt me makinën e tij për në KQ. Te dera, roja menjëherë i tha Marashit se: “Shoku Ramiz ju pret lart”. U ngjitëm me vrap. Në fillim hyri Marashi. Ai ndenji brenda rreth 5 minuta dhe pastaj doli. M’u afrua dhe më tha për çdo gjë thuaj s’di gjë. U preva e tëra. Fillova të dridhesha. S’e di sesi u futa brenda. Isha gati të më binte të fikët.

Sapo futem në zyrë, Ramizi më foli plot mirësjellje. S’u besoja syve se isha në zyrën e Ramiz Alisë. As e mendoja kurrë në jetë se do të shkelja në atë zyrë. Pasi më pyeti si i kisha nga shtëpia etj. më thotë: “Si munde të hysh në Festival?” -Po ja, shkova u paraqita për konkurrim, pasi vij nga Shkodra me një biografi të pasur me çmime e përfaqësime”.

Lotët më rridhnin vetiu. “Mirë, mos qaj. Ke një zë shumë të bukur dhe ke kënduar shumë mirë. Por ja, nga Konispoli dhe Saranda na kanë ardhur shumë letra për biografinë tënde” dhe më tregoi poshtë në dysheme një pirg me letra. S’dija ç’të flisja. Rrija si e hutuar. Ai e kuptoi gjendjen time dhe më thotë: “Do shkosh të këndosh. Këndo bukur”. Sa nuk fluturova nga gëzimi. “Nisu shpejt”- më tha.

Pas 20 minutash duhej të isha në skenë. Sa të shkoja sa të vishesha etj., duhej kohë. Sa dola në korridor, Marashi më mori për krahu dhe vrapuam si atletë. Nuk e di kur hyra në sallë si u vesha dhe çfarë vesha. Por çdo gjë u bë fluturimthi. Dikujt i mora këpucët, dikujt tjetër karficën apo ku di unë. Një minutë para se të përmendej emri im, isha gati ashtu e gjysmuar. Këndova me tërë forcën e shpirtit. Kur mbarova, duartrokitjet nuk kishin të mbaruar. Qava nga gëzimi. Kisha realizuar ëndrrën më të madhe të jetës.

Realizove ëndrrën e pjesëmarrjes, por edhe e tejkalove, sepse fitove çmim të parë…dhe të tretë…
Por, më e madhja ishte se Vaçja donte të dilte me mua në skenë. Donte të këndonte bashkë me mua këngën fituese, por mua nuk më lanë. Ajo dhe u nevrikos. Ishte një këngëtare e madhe, i ndrittë shpirti aty ku është. Ajo më ka dhënë fuqinë më të madhe në atë skenë, në momentet më të vështira të jetës, po mos të donte Vaçja të pranonte të këndonte me një fëmijë… Pa ndihmën e saj, ëndrra ime ende do të ishte në sirtar. Pastaj në vite çmime kam marrë me kompozimet e Limos Dizdarit, Tish Daija, Flamur Shehu, Kujtim Laro, Hajk Zaharian, Enver Shëngjergji dhe së bashku nuk iu ndamë zonës së çmimeve.

A ju kanë hequr ndonjëherë vëmendjen për ndonjë këngë “jashtë kornizave”, ose se keni lëvizur më shumë se ç’duhet në skenë?
Jo, unë jam ruajtur, këngët kalonin në komisione, pak për vibraton, pasi iu dukej franceze. Ajo kohë ka pasur kufizimet e veta, kjo dihet. Ne kemi pasur kompozitorë të mrekullueshëm. Krijimtaria për ta ishte shpirt. Na kanë dhënë shpirt, jo vetëm kompozimin. Bashkëpunimi me ta ka qenë një shkollë e madhe. Poetët si Xhevahir Spahiu, Zhuljana Jorganxhi, Agim Doçi, Jorgo Papingji, Betim Muço, Gaqo Apostoli etj., kanë ditur të luajnë kaq bukur me fjalën.

Kanë ditur ta sjellin poezinë për dashurinë në atë formë që ato jetojnë edhe sot. Një vlerë e madhe është e kompozitorit, poetëve që e kanë sjellë aq bukur, por edhe e jona që e kemi kënduar me shpirt. Në Shqipëri nuk ka një shkollë të lartë për muzikën e lehtë ose muzikën zbavitëse. Ndaj për ne, një shkollë e madhe ka qenë brezi paraardhës, por një shkollë e madhe ka qenë puna në piano me kompozitorët dhe poetët.

Kompozitori, këngëtari, orkestruesi dhe poeti në atë kohë ishin një. Ndoshta në prova gjenerale orkestra ishte e vetëdijshme dhe nuk i binte fort, por lehtë që të kaloheshin disa gjëra pa gjurmë, që mos të hiqej kënga në këto prova. Mandej, kur kalonte provat gjenerale, kalonte në publik dhe s’kishte çfarë të bëhej më. Gjatë gjithë jetës artistike kam bashkëpunuar me kompozitorët dhe poetët më të mirë shqiptarë, si dhe këngëtarët VIP të kohës.

Elisabeta Ilnica

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura