EKSKLUZIVE/ “Pse s’ngacmoi francezi vajzën time apo të Ramizit?!”-  Enveri sulmon Mehmetin: Nëna e nuses së djalit tënd s’ka moral të mirë! Shehu: S’më mbetet gjë, veç ta ndaj nga…

Nov 20, 2021 | 15:59
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha Mehmet Shehu-procesverbali-Ramiz Alia kërkonte ta kthente gabimin e Mehmet Shehut në një luftë politike kundër tij dhe familjes së tij. Në të gjitha ndërhyrjet e debatit që zbardhet sot për herë të parë nga Gazeta Panorama.al në mbledhjen e Byrosë Politike, Ramiz Alia akuzonte ashpër se veprimet që kreu Mehmet Shehu duke lejuar fejesën e djalit, do ta rrezikonin rëndë Partinë.

Në mbledhjen e 17-18 dhjetorit 1981, edhe anëtarët e tjerë të Byrosë mbajtën krahun e Alisë kundër Mehmetit. Vetë Enveri, i lëkundur, i ka ashpëruar akuzat ndaj kryeministrit më jetë gjatë të komunizmit. Në batutat që do të botohen sot për herë të parë dalin qartë synimet e mbledhjes. Enveri e sulmon Mehmetin deri në pikën e pranimit të faljeve të tij, por akuzat e të tjerëve janë të qarta.

Vazhdojnë pyetjet se përse nusja e djalit shoqërohet me një francez, ose pse francezi kërkon shoqëri nga nusja e Mehmetit dhe jo e anëtarëve të tjerë të Byrosë. Gjatë kësaj mbledhje u krijuan insinuata se shtetasit e huaj kërkon diçka nga familja Shehu. Mehmeti përgjigjet: “S’më mbetet gjë, veç ta ndaj nusen nga djali”.

Por gjatë diskutimeve kanë vazhduar akuzat për fejesën me Turditë dhe batutat negative të Alisë, “kjo ngjarja do të na vdiste të gjithëve“.

Procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të PPSH të datave 17 e 18 dhjetor 1981

Shoku Enver Hoxha: Deri sa vihen në dukje, këto kanë diçka dhe nuk janë për t’i hedhur poshtë. Pse për shembull ai provokatori nuk i vjen rrotull edhe vajzës sime, ose vajzës së Adilit, etj? Sepse, tek nusja e djalit tuaj, diçka shpreson ai, se diçka ka parë ne karakterin e saj që e lejon tjetrin ta provokojë. Dhe ka arsye ai të provokojë, se ka gjetur terren. Duhet ta marrim nga ana politike këtë çështje. Në personin e dhënë, ai ka gjetur terren dhe synon të bëjë të paktën një skandal.

Shoku Mehmet Shehu: Atëherë, nuk më mbetet gjë tjetër, veçse ta ndaj nusen nga djali.

Shoku Enver Hoxha: Jo. Ne nuk themi as ta ndash, as të mos e ndash. Ne shtrojmë logjikën e gjërave, rrjedhimet e tyre e synimet e armikut, pse sa për të gjetur vajza, ka Parisi për të sa të duash, po ai ka të tjera objektiva, synon të tjera gjëra. Prandaj këto synime, këto qëllime duhen kuptuar drejt. Askush nga shokët dhe nga organet tona nuk mund të flasë për gjëra që nuk janë. Bile ka shumë rrezik që ata të mos flasin, të mos thonë, dhe me siguri nuk thonë shumë gjëra për ne, dhe ky është një rrezik akoma më i madh. Prandaj, kur thonë një të vërtetë, ose një gjysmë të vërtetë, kjo është më e rëndë. Këto informata pra njerëzit tanë nuk i ekzagjerojnë, i thonë ashtu siç janë, i thonë ashtu siç i shikojnë, se nuk dinë ç’flet ai me të, po atë që shohin se makina po e ndjek pas nusen, e thonë.

Shoku Mehmet Shehu: Mua s’më mbetet tjetër ose ta ndaj vajzën ose ta mbaj mbyllur, në qoftë se vërtetohet që francezi i qepet pas.

Shoku Enver Hoxha: Nuk bëhet fjalë këtu për të. Atë vendim merre vetë ti. Këtu, në Byronë Politike, nuk diskutojmë atë, nuk futemi në atë çështje, ne futemi në çështjet politike. Nga ana familjare, do ta ndash, apo nuk do ta ndash, do ta ndajë djali apo nuk do ta ndajë nusen, ne nuk futemi në ato gjëra, po na preokupon ajo që çështja ka karakter politik dhe si politikanë që jemi kështu duhet ta kuptojmë këtë problem.

Procesverbali-Mehmet-Shehu-Byroja-Politike-debati-fejesa-djali-Skender-Shehu-fati-vetvrasja-kadri-Hazbiu-Qazim-TUrdiu1

Shoku Mehmet Shehu: Edhe unë në atë kuptim e marr, që francezi këtu diçka synon.

Shoku Enver Hoxha: Patjetër që diçka synon, dhe duhet të kesh bindjen që të gjitha këto që të thonë shokët dhe organet kompetente, janë me baza, mendoj se ata asgjë të tepër nuk thonë. Po ta gjykosh kështu çështjen, arrin në konkluzione për t’i bërë vetes pyetjen dale se çdo të bëjmë, çdo të bëj unë, se kjo çështje politikisht shtrohet.

Shoku Ramiz Alia: Edhe konkluzioni tjetër ka rëndësi. Këto gjëra nuk duhen gjykuar nga ana sentimentale, po janë probleme që duhen parë me kuptim politik dhe ideologjik, po nuk i kuptuam kështu, bëjmë gabime.

Shoku Pali Miska: Dhe as të shkëputura nga njëra-tjetra nuk janë.

Shoku Enver Hoxha: Këto çështje ti, Mehmet, kanë rrjedhime. Njerëzit e kanë marrë vesh fejesën e djalit dhe natyrisht të kanë kritikuar, por kanë marrë vesh më pas që kjo u prish. Armiku edhe këtë e shfrytëzon. Tani ti thua se nuk të mbetet tjetër veç se ta mbyllësh nusen brenda. Ti nuk mund ta mbyllësh atë, bile nuk të lejohet ta mbyllësh brenda. Si do ta mbyllësh? Shtëpinë në burg do ta kthesh? Jo, në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet kjo tek ne.

E dyta, vure këtu çështjen se nuk të mbetet gjë tjetër, veçse ta ndash nusen. Këto janë veprime ekstreme, mendoj unë. Deri sa të vish tek kjo masë, më parë duhet të bësh përpjekje që ajo të jetë serioze, të përgatitësh një situatë një çikë më tutje, në qoftë se arrihet që ta ndash këtë vajzë, për arsye se ka të gjitha këto anticedente dhe përsëri për ty dhe për Partinë do të krijohet një situatë e vështirë, do të fillojnë llafet pse e ndau Mehmeti nusen. Mileti do të fillojë të vejë pikëpyetje të shumta. Disa qëndrime të burrit të saj, bota i dinë fare mirë.

Ja pra e shikon se si ngatërrohet kjo punë, në qoftë se ecën në mënyrë të rrëmbyer. Ti bën edhe autokritikë bile, njeh që je i rrëmbyer, por nuk duhet të jesh i tillë, duhet të kesh një logjikë të fortë prej komunisti dhe këto që ngjanë, t’i parashikoje me kohë. Ja rrezikshmëria e mosparashikimit të tyre. Me qenë se hyjmë në punën e kësaj vajze, megjithëse nuk është e drejtë që të futemi në këtë, por me qenë se kjo u bë, edhe në fejesën e saj prapë ti ke përgjegjësi. Në këtë rast ka pasur prapë liberalizma tek ti ose qëndrime oportuniste nga punonjësit e sigurimit të rrethit të Durrësit. Në qoftë se këta të kanë informuar për sjelljet e nënës së kësaj vajze, ti nuk duhej ta kishe lejuar fejesën e djalit, pavarësisht se babanë e kishte shofer dhe faktikisht ai ishte ndarë me gruan. Përse? Pa arsye morale.

Shoku Mehmet Shehu: Këtë nuk ma kanë thënë.

Shoku Enver Hoxha: Atëherë, në qoftë se nuk ta kanë thënë këtë, do të thotë që ti ke bërë një martesë qorrçe, ke marrë në shtëpi një njeri që nuk e njeh fare.

Shoku Mehmet Shehu: Unë kam marrë informata të gjera.

Shoku Enver Hoxha: Nga i ke marrë këto informata? Në qoftë se ke marrë informata, duhet të ketë dalë që nëna e nuses nuk ka sjellje morale të mira. Këtë e di gjithë Durrësi.

Shoku Mehmet Shehu: Mua këtë nuk ma kanë thënë.

Shoku Enver Hoxha: Nuk ta kanë thënë, po këto informata nga Durrësi kanë dalë, populli i të cilit i di të gjitha. Unë nuk rroj as në Durrës dhe as jam marrë me këto gjëra, po këto kështu dalin. Prandaj në këtë çështje ose ka pasur oportunizëm, ose ti nuk ke pyetur organet e Sigurimit të këtij rrethi, siç bëre me Feçorrin për vajzën e Turdiut. Dhe me këtë neglizhencë ke bërë gabim.

Shoku Mehmet Shehu: Sigurimi i Durrësit mua më ka dhënë informata më të gjëra.

Shoku Kadri Hazbiu: Kush t’i ka dhënë, se mund të kini thirrur ndonjë oficer të Sigurimit pa dijeninë time. Unë kam qenë ministër i Brendshëm në atë kohë dhe nuk kam ditur gjë.

Shoku Mehmet Shehu: Për fejesën e Bashkimit unë jam informuar edhe pranë Drejtorisë së udhëheqjes, atje duhet të jetë edhe dokumenti përkatës.

Shoku Enver Hoxha: Ne nuk gjykojmë atë, shoku Mehmet. Ne gjykojmë gjërat që kanë lidhje me karakterin dhe me pikëpamjet e tua. Këto janë çështje që dalin në këtë situatë dhe për të kuptuar më mirë gabimet e tua.

Shoku Mehmet Shehu: Mund të vazhdoj, shoku Enver?

Shoku Enver Hoxha: Po, vazhdo.

Vijon…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

LEXO EDHE:  Zbardhet debati në Byronë Politike/ Enveri – Mehmetit: Nusja e djalit tënd rri me një francez! Ai me mustaqe e ka ndjekur në shkollë me automobil! Përveç fërkuarit të faqeve të…(Pjesa 5)

EKSKLUZIVE/ “Nuk jam kalama, jam burrë!”- Zbardhet procesverbali, Enveri zbulon bisedën mes Shehut dhe Turdiut: Qazimi të kërkoi të prishësh fejesën! Ti i the; kur dashurohen fëmijët të tjera… (Pjesa 4)

 EKSKLUZIVE/ Zbardhet debati i fortë mes Ramiz Alisë, Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut pas ‘skandalit’ me Turditë: Skënderi të kthehet nga Suedia, s’meriton të bëjë provime, të punojë në uzinë se është komunist! (Pjesa 3)

EKSKLUZIVE/ “O burra, merrni vajzat e kulakëve e ballistëve!”- Zbardhet përplasja e fortë mes Mehmet Shehut dhe Ramiz Alisës: E bëre me qëllim fejesën me Turditë! Hoxha: E kam këshilluar shokun…(Pjesa 2)

EKSKLUZIVE/ Fejesa e djalit të Mehmetit me vajzën e Qazim Turdiut/ Zbardhet debati në Byron Politike: Ti ve djalin para partisë?! Shehu: Skënderi kaloi traumë psikologjike! Enveri: Janë punë agjenturale…(PJESA 1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura