Ekskluzive/ Provokim maqedonas ndaj Skënderbeut, korçarët nuk lejohen të ushqehen në shtetin fqinj

Aug 19, 2017 | 11:34
SHPËRNDAJE

A mund t’i thuhet një mysafiri, për më tepër fqinj, që “mos ndalo që të hash bukë, por largohu menjëherë”?! Kjo ka ndodhur pak a shumë dje me Skënderbeun sapo ka zbritur nga avioni i linjës Zagreb-Shkup. Sapo kanë marrë autobusin, janë shoqëruar nga një eskortë. Dhe deri këtu nuk ka asnjë të çuditshme. Por, problemi ndodhi diku tjetër…

Skenderbeu autobusi

Le t’i bëjmë gjërat e qarta: policia maqedonase, me një urdhër nga lart (pasi këtë variant dhanë vetë oficerët e policisë), nuk e ka lejuar skuadrën korçare që të bënte ndalesa dhe as për t’u ushqyer. Dhe e gjithë kjo ndodhi pikërisht me ekipin që sot po nderon emrin e Shqipërisë. Ky është një rast i paprecendentë. Dhe nuk dihet nëse është një çështje xhelozie për ecurinë perfekte të Skënderbeut apo edhe Shkëndijës në Europë, apo për shkak të ndeshjes që po afron mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Përballje, e cila jo rastësisht u “degdis” në Shturmnicë, në skajin më të largët të vendit fqinj. Por, për t’i lënë mënjanë hipotezat e shumta dhe për të mos e quajtur krejt armiqësor këtë gjest, sigurisht që mbetet jo i hijshëm fakti që një klub shqiptar, që është shumë pranë kalimit për në fazën e grupeve, të detyrohet që të largohet menjëherë nga territori maqedonas.

REAGIMI

Gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me drejtorin Ilirjan Përmeti, i cili konfirmon ngjarjen. Ai ka shpjeguar me detaje rrugëtimin që zgjati më pak se 5 orë (në një kohë që udhëtimi i zakonshëm me autobus dhe me ndalesa zgjat afro 6 orë) deri në doganë, vetëm nga “dëbimi” që iu bë. Në klub mbetën të indinjuar nga kjo histori, të cilën e quajnë çnjerëzore.

ilirian permeti

Edhe pse kanë hasur në policë realisht të sjellshëm, misteri mbetet një: përse erdhi urdhri dhe kush e dha?! Nuk e kanë vendosur ende nëse do të bëjnë ndonjë ankesë apo notë proteste, megjithatë pritet që në vazhdim klubi të ndërmarrë hapa për këtë ngjarje aspak të zakontë.

“Itinerari ishte i qartë, avioni nisej në orën 14:00 nga Zagrebi dhe në 15:30 zbarkuam në Shkup. Në kryeqytetin maqedonas na priste një autobus, me të cilën do të niseshim për në Korçë. U nisëm rreth orës 16:00 konkretisht, por pamë që përpara na doli një makinë policie. Fillimisht menduam që nuk kishte lidhje me ne. Ecëm 2-3 kilometra, por eskorta vazhdoi të na shoqëronte. U bëmë kuriozë në fakt, por nuk është s’e i vumë rëndësi.

Madje u ndiem dhe mirë, pasi menduam që po na shoqëron policia dhe siguria është më e madhe. Por duke qenë se udhëtimi nuk është fort i shkurtër, menduam që të bënim një ndalesë. Dhe kjo është krejt normale, pasi donim të kryenim disa nevoja personale, të ushqeheshim apo të pinim ujë. Por, në atë çast u ndal edhe policia dhe na kërkoi me mirësjellje që të futeshim brenda në autobus.

‘Nuk duhet të qëndroni asgjëkund, por të vazhdoni rrugën pa ndalesa’. U mërzitëm në fakt, ndaj kërkuam shpjegim. Përgjigjja ishte: ‘Kështu është urdhri!’. Dhe ne kërkuam nga kush, por dikush tha nga eprorët nga lart, dikush nga drejtori i policisë së Ohrit, apo ministri i Brendshëm.

Policët më shumë detaje s’mund të na jepnin, por na thanë që “ne jemi vetëm zbatues të urdhrit”. Por kjo nuk ishte njerëzore, ndonjë krim nuk kishim bërë dhe këtë ua bëmë të ditur edhe policëve. Bëmë pak debate, pasi ne kemi udhëtuar në tërë botën dhe s’kemi hasur kësi pengesash. Ishte krejt pa sens. Dhe, pas ankesave tona, policët telefonuan dikë, por urdhri mbeti në fuqi”.

DEBATET GJATË RRUGËS

Drejtori Ilirjan Përmeti tregon për “Panorama Sport” se gjatë rrugës u ndërrua patrulla dhe se pati një tjetër tentativë për t’u ndalur diku, por sërish nuk janë lejuar.

“Ne vijuam rrugën dhe eskorta u ndërrua, erdhi një tjetër makinë dhe me të tjerë policë. Edhe prej tyre kërkuam sqarim, pasi ishin edhe një gradë më lart, oficerë. ‘Keni shumë të drejtë’, na thanë, madje mori iniciativën që të telefononte dikë më lart dhe personi në fjalë shfaqi mirëkuptim dhe na dha të drejtën që të ndalnim dhe të ushqeheshim.

Por urdhri i dytë anuloi të parin, pasi një drejtor i Ohrit kërkoi që të zbatohej plani. Kaluam edhe një eskortë të tretë, ndërsa e katërta ishte në Strugë. Aty patëm edhe një lloj debati, pasi ne këmbëngulnim me tonën që duhet të ndalonim. Ishte domosdoshmëri dhe jo kapricio. Na dhanë lejen vetëm që të blinim në market dhe asgjë më shumë. Por a mund të ushqehet një ekip futbolli duke u dhënë ushqime të thata marketi?!

Megjithatë nuk kishim çfarë të bënim, ndalova vetëm unë dhe shoferi. As vetë nuk e kuptuam çfarë ishte kjo. Dikush nga ata policë na tha ‘kujtuam se ishit fansa’. Por ne ua shpjeguam që jemi klub futbolli dhe kjo ishte lehtësisht e vërtetueshme. Por, duhet sqaruar që në asnjë çast nuk na bënë kontroll. Madje, policët edhe na kanë ndihmuar gjatë rrugëtimit. Thjesht, zbatuan urdhrin që të mos bënin ndalesa”, tregon për gazetën drejtori i Skënderbeut.

POLICËT KËRKOJNË FALJE

Përmeti e thekson se sjellja e policëve ishte korrekte, porse urdhrat që ata kishin marrë ishin absurde sipas tij.

“Ndoshta kanë menduar të na bëjnë mirë, por për mirë nuk është se na bënë. Policët madje ndien keqardhje, madje në fund na kërkuan edhe të falur. Dikush na tha që mund të ishte edhe provokim, por ne nuk morëm vesh gjë. Mbetëm të befasuar, por urdhri mbetet enigmë, edhe pse na u tha që e dha drejtori i Ohrit. Variantet ishin të ndryshme, madje kur mbërritëm në doganën maqedonase, na thanë ‘Po pse nuk na lajmëruat ne?!’.

Nuk është se vuajtëm kushedi se çfarë, pasi mirë a keq në dyqan ne ndaluam që të blinim diçka për të konsumuar, por jo të uleshim diku si njerëz. Shkaku dhe arsyeja mbetet e paqartë. Madje, edhe pse kishim momente nervozizmi, policët nuk e kaluan masën, por urdhrin nuk e zhbënë dot. Unë personalisht jam i shqetësuar dhe indinjuar, por në fund vendosëm që të gjithë si klub që të vijonim rrugën, pasi nuk kishim fuqi të bënim asgjë tjetër”, përfundoi rrëfimin e tij drejtori i klubit bardhekuq.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura