Ekskluzive/ Presidenti nga populli, flet Selami: Pse firmosa me Blushin

Jun 30, 2016 | 8:16
SHPËRNDAJE

Nisma e iniciuar nga dy deputetët e Partisë Socialiste, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, për të propozuar zgjedhjen e Presidentit nga populli, përmes një ndryshimi kushtetues, ka gjetur mbështetjen edhe të 8 deputetëve të tjerë.

Eduard Selami, deputet i PD-së
Eduard Selami, deputet i PD-së

Amendamenti kushtetues është firmosur edhe nga deputeti demokrat, ish-kryetar i kësaj partie, Eduard Selami. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Selami thotë se e ka mbështetur nismën e Ben Blushit dhe Mimoza Hafizit për shkak se ka qenë që herët i mendimit se kreu i shtetit duhet të dalë si vullnet i popullit.

Ndonëse firma e Selamit në mbështetje të nismës së propozuar nga Blushi e Hafizi është komentuar gjatë, për deputetin e PD-së asgjë jashtë normales nuk ka në këtë vendimmarrje.

Selami sqaron për “Panoramën” se propozimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me votë të drejtpërdrejtë nga populli ka qenë një propozim i hershëm i tij, i cili gjendet i pasqyruar edhe në deklaratat e tij politike.

Për ish-kreun e PD-së, kalimi i kompetencave për zgjedhjen e Presidentit sovranit, do të ishte një e mirë që ky Parlament do t’i bënte demokracisë. “Unë gjithmonë kam qenë për zgjedhjen e Presidentit nga populli. Nëse u referoheni deklarimeve të mia publike lidhur me këtë çështje, do të shikoni se unë kam pasur gjithmonë të njëjtin qëndrim. Në vlerësimin tim, sa më shumë pjesëmarrje të ketë nga sovrani, aq më mirë i bën demokracisë”, mbyll reagimin e tij Selami për “Panoramën”.

NISMA

Janë 10 deputetë që kanë propozuar draftin për zgjedhjen e Presidentit nga populli, ndërsa pritet që ai të mbështetet dhe nga deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë. Propozuesit kërkojnë që krahas paketës së ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, të përfshihet dhe një propozim i bërë që në 2007-n, për zgjedhjen e Presidentit të Republikës direkt nga populli.

“Kandidati për President duhet të mbështetet së paku nga një parti politike e përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë ose nga 10.000 shtetas me të drejtë vote. Presidenti që jep dorëheqjen para mbarimit të mandatit të vet, nuk mund të kandidojë në zgjedhjen presidenciale që bëhet pas dorëheqjes së tij; Konsiderohet i zgjedhur si President i Republikës kandidati që ka marrë më shumë se gjysmën e të gjitha votave të vlefshme. Nëse asnjë prej kandidatëve nuk ka marrë një shumicë të tillë, brenda 2 javëve nga votimi i parë, mbahet një votim i dytë midis kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të madh të votave në votimin e parë. Zgjidhet President i Republikës kandidati që në votimin e dytë merr numrin më të madh të votave; Gjykata Kushtetuese bën verifikimin e rezultatit të zgjedhjes së Presidentit”, thuhet në draftin e përgatitur nga 10 deputetët.

ADI SHKËMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura