EKSKLUZIVE / Presidenti i Luftëtarit: Abazaj vlen mbi dy milionë euro

Apr 17, 2018 | 12:59
SHPËRNDAJE

Luftëtari pikasi Kristal Abazajn në verën e vitit 2016. Askush nuk besonte se 21-vjeçari do të shndërrohej në lojtarin më të kërkuar të kampionatit shqiptar, por në Gjirokastër u bindën shpejt, pasi dëgjuan edhe këshillat e trajnerit serb, Mlladen Milinkoviç. “Ky do të jetë sulmuesi ynë kryesor. Bëji menjëherë kontratë afatgjatë”, mësohet se i ka thënë Milinkoviç kreut të klubit gjirokastrit, Grigor Tavo, në gusht të 2016- ës, pasi e kishte provuar Abazajn.

Nuk kaluan as dy vite dhe dje talenti konkretizoi kontratën me Anderleht, teksa Luftëtari tashmë pret të përfitojë miliona, krahas 200 mijë eurove që mori në janar nga Skënderbeu. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, presidenti Tavo foli ekskluzivisht për transferimin e bujshëm, ndërsa theksoi se të tjerë lojtarë si Abazaj që do të shiten nga Luftëtari.

Abazaj transferohet nga Luftëtari tek Anderlehti. E besonit se një lojtari i juaji mund të shkonte në një klub kaq të madh?

Së pari, për mua është kënaqësi dhe krenari që një lojtar i Luftëtarit kalon direkt në një klub kampion siç është Anderlehti. Ky është vlerësim, jo thjesht për talentin e Kristalit, por mbi të gjitha për klubit tonë, që në një kohë të shkurtër i dha mundësinë të afirmohej. Abazaj u bë futbollist te ne, pasi besuam shumë që dy vite më parë, kur e afruam nga Elbasani dhe i bëmë një kontratë afatgjatë.

abazaj-tavo-470x313

A mund të na zbuloni disa detaje të marrëveshjes me Skënderbeun për Abazajn?

Mos prisni t’u them tani se sa për qind të kartonit kam dhe sa do të përfitojë Luftëtari. Realisht, shifra nuk është ende konkrete, duhet të presim edhe pak ditë për të konkretizuar gjërat.Gjithsesi, mendoj se vlen mbi 2 milonë euro.

Keni ndonjë peng nga gjithë kjo histori e nisur në janar?

Unë jam shumë i kënaqur me atë kontratë që kam bërë. Detajet i di vetëm unë dhe Takaj. Mbi të gjitha kemi një marrëveshje xhentelmenësh. Personalisht më bëhet qejfi, pasi mbi të gjitha Kristali, përveçse lojtar i talentuar, është edhe një njeri model. Ai ka dhënë shumë dhe do të vazhdojë të japë për Luftëtarin deri në fund të sezonit, duke arritur së bashku misionin e kualifikimit në zonën europiane. E rëndësishme për mua është që Abazaj iku nga Luftëtari direkt në Belgjikë. Ky është një hap i madh dhe i bën mirë imazhit të klubit.

Në këtë periudhë ka pasur ndonjë klub tjetër të madh që është interesuar për Abazajn?

Di që Skënderbeu ka pasur kontakte edhe me Gallatasarain, por prapë firmosi në një ekip të madh si Anderlehti.

Mendoni se rasti i Abazajt mund të përsëritet me ndonjë tjetër lojtar që keni aktualisht në skuadër?

Avash-avash do të kemi të tjerë Abazaj, plani është i qartë.
takaj tavo
Një kualifikim në Europë do të ishte si qershia mbi tortë këtë sezon për të afirmuar edhe të tjerë lojtarë?

Natyrisht, për atë po punojmë. Prandaj e fuqizuam skuadrën në janar, që të kapim Europën.

OK, por ju pret një transfertë e vështirë në Shkodër?

Shkojmë vetëm për fitore, me gjithë respektin për Vllazninë. Ai qytet dhe ajo tifozëri të bën të ndihesh si në shtëpi. Nuk e harroj çfarë më ndodhi vjet.

Për çfarë e keni fjalën?

Fituam 3-2 dhe na duartrokitën pa fund qytetarët shkodranë. Uroj me gjithë shpirt që Vllaznia të mbijetojë. Ne tashmë po kalojmë një moment të mirë dhe skuadra është e karikuar për të vazhduar me fitore. Europa është pranë dhe e shoh një objektiv të realizueshëm. Të shohim çfarë do të ndodhë, por besoj shumë te skuadra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura