EKSKLUZIVE/ “Po tallen me Vllazninë”, kapiteni i shkodranëve shfryn pas golit të Teutës: FSHF të marrë masa, 100% i sigurt që…

Apr 19, 2022 | 8:42
SHPËRNDAJE

“Arsyeja pse nuk an ulohet ky gol? Për çdo javë na thoni mos flisni për arbitrimin, por shihet qartë që për çdo javë jemi të penalizuar. Mos luani me djersën tonë!” Kështu shkruante kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, në faqen e tij në “Instagram”, pak orë pas ndeshjes me Teutën.

Gurishta

Për mbrojtësin e kuqebluve, pamjet filmike tregojnë se aksioni i golit të durrsakëve është në pozicion jashtë loje, pikërisht në momentin kur Kotobelli jep asistin për Ivanoviçin, që del i vetëm me Zogoviçin dhe shënon për 1-1 në minutën e 99-të.

Sipas asaj që denoncon përmes pamjeve vetë Gurishta, në momentin e krosimit të Idrizajt nga krahu, Kotobelli duket më i avancuar se mbrojtja shkodrane dhe më pas tërhiqet mbrapa për të shërbyer me thembër për Ivanoviçin.

 

 

Megjithatë, në një intervistë për “Panorama Sport”, kapiteni kuqeblu thekson edhe një herë faktin se gjykimet janë një problem më vete për Vllazninë. Edhe në rastin e fundit duket se pamjet i japin plotësisht të drejtë. Ai mendon se pavarësisht padrejtësive që po i bëhen skuadrës, sërish do të arrihen objektivat për fitimin e Kupës dhe sigurimin e Europës.

Gurishta komenton edhe duelin e së shtunës në “Loro Boriçi”, sërish kundër Partizanit, por këtë herë për llogari të kampionatit.

Erdenis, dy pikë të lëna në fund, që duken se ju kanë djegur shumë?

Kur goli i barazimit vjen në minutën e 99-të dhe të heq fitoren nga duart, normalisht që të lë shije të hidhur. Po të dilnim me 3 pikë nga ai takim, do të ishim shumë më të qetë për vazhdimësinë.

Keni publikuar rastin e golit të Teutës në rrjetet sociale, duke akuzuar gjykimin. A mund të na i sqaroni edhe një herë pretendimet që keni?

Është e disata herë që unë flas për arbitrimin dhe më vjen shumë keq, sepse nuk dëshiroj dhe nuk më takon mua të komentoj, por kur shikon golin që shënon Teuta në pozicion të parregullt në sekondën e fundit, sigurisht që nuk mund të ndihesh mirë. Më vjen keq ta them, por është 100% e qëllimshme. Arsyeja pse? Le të pyesim arbitrin e VAR-it pse nuk anulohet ai gol. Mendoj se Federata duhet të marrë masa, sepse po tallen me djersën tonë.

Vllaznia e ka të vështirë të mbrojë rezultatin dhe në fund lëshon shumë, çfarë po ndodh?

Ishin 100 minuta lojë dhe normalisht që lodhja do të ndikojë në fund të takimit, sepse para 4 ditësh luajtëm 120 minuta. Megjithatë, duhet të theksojmë se ai gol duhej anuluar dhe sot do të flisnim ndryshe. Goli i pakuptimtë i anuluar kundër Partizanit, për pak sa nuk ndikoi në kualifikimin në finale, por gjithsesi në fund e drejta shkoi aty ku duhet të shkonte.

E shikoni të vështirë arritjen e Europës përmes kampionatit?

Po, sigurisht, sepse dy pikët e lëna me Teutën mund të ndikojnë në fund, por jam i sigurt se prapë e drejta do të shkojë aty ku duhet të shkojë. Ka një shprehje që “i drejti zhytet, po nuk mbytet”.

Një tjetër finale të shtunën për vendin e katërt përballë Partizanit, sa ndryshon me atë të mesjavës për Kupë?

Është një përballje tjetër, ndryshe nga ajo e Kupës, por për ne është finale dhe të tillë do ta konsiderojmë dhe vlerësojmë.

Vllaznia duket se ia ka marrë dorën Partizanit, besoni se do të arrini një fitore dhe të parakaloni të kuqtë në tabelë?

Ne do të luftojmë për 3 pikë, sepse jemi në stadiumin tonë para tifozëve dhe e dimë të gjithë që fitorja na ofron më shumë me objektivin.

Sa shanse mendoni se keni për t’u pozicionuar në treshen e parë?

Unë mendoj se Europa është e arritshme nga kampionati, por duhet që këto 7 javë t’i konsiderojmë të gjitha finale dhe të shpresojmë që gabimet e arbitrave ndaj nesh të kenë marrë fund.

Në 7 takimet e fundit, 4 përballje i keni brenda dhe 3 jashtë fushe, duke pasur një kalendar të favorshëm…

Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe për momentin i gjithë fokusimi ynë është për ditën e shtunë kundër Partizanit. Nga ana tjetër, jam i bindur se tifozët do t’i kemi në krahë, ashtu si në përballjen e Kupës, për të na ndihmuar që të marrim një tjetër fitore në këtë përballje.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura