EKSKLUZIVE/ Përballja e fundit e Fadil Paçramit me Enver Hoxhën, zbardhet biseda në zyrën e kreut të Partisë më 30 mars 1973! Çfarë shkruante në ditarin e saj Nexhmija për këtë përplasje: I janë errur sytë, shpërfill…

Sep 8, 2021 | 14:51
SHPËRNDAJE

Fadil Pacrami-Enver-Hoxha-NexhmijeAFRIM IMAJ/ Përballja e fundit e Fadil Paçramit me Enver Hoxhën ka ndodhur më 30 mars të vitit 1973, plot dy javë pas mbledhjes së famshme të 15 marsit të atij viti, kur kreu i Partisë do të kryqëzonte për herë të parë Paçramin, madje kërcënueshëm me pyetjen retorike “Je me ne apo me armikun?!”

Në rrëfimin e tij, Agimi, djali i vetëm i Paçramit, nuk e kujton me saktësi datën e këtij takimi, por nga i ati ka mësuar, se fill pas përplasjes së tmerrshme në mbledhjen e 15 marsit, ai ka kërkuar të takohet sy për sy me Enverin për t’u shpjeguar rreth akuzave të padrejta e dashakeqe që i kishte adresuar në mbledhjen e aparatit të Komitetit Qendror.

“Disa ditë pas asaj furtune që erdhi si rrufe në qiell të pastër, shprehet Agimi, im atë i kërkoi takim, por Enveri ia shtyu një javë, pastaj edhe një javë tjetër, deri sa më në fund e priti, duke pasur të pranishëm dhe Hysni Kapon”.

Kështu e risjell përballjen e fundit me shefin e Partisë të të atit, Agimi, pa u kushtuar rëndësi detajeve, por vendimit ogurzi që celebroi aty Hoxha. Po si e kujtonte atë Enveri?

Gazeta publikon procesverbalin me fjalën e Hoxhës për takimin e datës 30 mars ‘73, takim ky i kërkuar nga vetë Paçrami, pas akuzave të adresuara nga ‘udhëheqësi kryesor i Partisë’, në mbledhjen e datës 15 mars të atij viti në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së…

***
                   vijon nga numri i kaluar

Të nesërmen e ditës që mbaja fjalimin (ku ishte i pranishëm edhe vetë Fadili, sido që nuk bën pjesë në atë organizatë partie), ai kërkoi pjekje me mua. Unë nuk u shpejtova ta thërrisja, pse një pjekje e tillë e kërkuar prej tij bëhej e shpejtuar.

Ai nuk po merrte mundimin as të thellohej, as të reflektonte mbi gabimet e tij dhe mbi pyetjen time, kështu që do të më përsëriste ato gjëra pa vlerë që kish thënë në mbledhjet e tjera.

Prandaj e lashë në pritje, me shpresë se do të mendohej, do të reflektonte. Pranova takimin. Kaloi më tepër se një javë dhe e thirra në takim. Fadili erdhi më një defter të vogël xhepi, ku kishte shënuar disa pika.

“Të dëgjoj”, i thashë. Ai bisedën e filloi duke më thënë se, gjoja kritika që unë i bëra në mbledhje ishte e drejtë dhe e pranonte. Kjo ishte vetëm formale për të qenë gjoja në rregull, pse në fakt duhej t’i përgjigjej pyetjes që i vura.

“Je ti me vijën e partisë apo je me vijën e armikut?”, dhe të shpjegonte pse është kështu ose nuk është ashtu. E dëgjuam me durim tok me shokun Hysni dhe aq sa deshi ai të fliste, po nuk foli shumë. Ku konsistonte fjala e tij.

Fjala e tij konsistonte në disa pika mbështetjeje, gjoja në formë tezash për të na thënë se “kam punuar mirë, se aktiviteti im është pozitiv, se në konservatorizëm kam forcuar veprimtarinë, por nuk kam qenë dhe aq ekzigjent ndaj liberalizmit, se kam pasur disa shfaqje sporadike, ca intelektualizma, ca mendjemadhësi”.

“Disa fjalë, disa gjeste të mia, shokët i kanë keqkuptuar” etj. Kjo ishte gjithë biseda e tij lakonike, e matur, e peshuar. Asgjë konkrete, autokritikë shumë e dobët, për të mos thënë hiç fare. Pasi mbaroi, u detyrova t’i thosha ç’kërkonte nga unë, pse në fakt ai asgjë nuk po më kërkonte mua, Sekretarit të Komitetit Qendror. Pas pyetjes që i bëra, më tha: “Dua të më këshilloni”.

E këshilluam, e kritikuam shoqërisht, i thamë se kjo ekspoze që bëri ishte foshnjarake, false, ishte autokritikë e një fajtori që përpiqet të fshehë fajet dhe ia numëruam këto faje, por me paturpësinë më të madhe ai i hidhte poshtë, ashtu siç bëri edhe këtu përpara plenumit.

“Ju kanë informuar gabim thoshte, s’ka ngjarë tamam ashtu, po kështu, etj.”.

Një taktikë e tillë, natyrisht, nuk e shfajësonte atë, prandaj e këshilluam të reflektonte thellë, në punën, në qëndrimet dhe në gabimet e tij, në rast se donte të ndihmonte Partinë dhe veten e tij.

“Mbledhja e Komitetit Qendror të Partisë është përpara, atje të jesh më i hapët”, i thashë se “është e nevojshme që nga pikat e defterit të vogël, të dalësh në autokritikë të hapët me shkrim dhe të ma dërgosh”. Dhe këtë autokritikë ma dërgoi. Ajo është në dispozicionin tuaj, e këndoni, shokë, pse siç do ta shihni, është shumë tipike. Diskutimi i tij më befasoi. Ju i dëgjuat ato që tha, por tash do të them mendimin tim mbi këtë autokritikë dhe disa konkluzione që kam nxjerrë prej saj, të cilët përforcojnë konkluzionet që kisha arritur më parë. Diskutimi i tij këtu tregoi plotësisht fytyrën e tij të vërtetë. Kur mbarova së kënduari me kujdesin më të madh autokritikën e Fadilit, u krodha në mendime dhe pyeta veten: “Si është e mundur?”

Letra e Nexhmije Hoxhes

“Fadilit i janë errur sytë, shpërfill fjalimet e Enverit dhe Ramizit”/ Ditari i Nexhmije Hoxhës, shënim i datës 11 prill 1973

Nexhmije Hoxha, gruaja e shefit të regjimit dhe ishshoqja e ngushtë e Fadil Paçramit gjatë viteve të luftës, ka qenë nga zërat më kritikë në radhët e lidershipit komunist në fushatën kundër këtij të fundit.

nexhmije-hoxha7611

Për bashkëluftëtaren e afërt të netëve ilegale, për ish-kolegen e liderëve të rinisë antifashiste dhe agjitropit pas luftës, tashmë Fadil Paçrami, ai “djali sy patrembur i betejave me okupatorin”, “intelektuali me vizion të qartë si rrallëkush për progresin” dhe “dramaturgu e shkrimtari model”, kishte përmbysur tërë historinë e tij dhe ishte bërë pjesë e krahut tjetër të barrikadës, duke u bashkuar me aradhen e atyre që kishin tradhtuar idealet komuniste.

Ndër shumë nga reagimet agresive të Nexhmije Hoxhës kundër Paçramit në fillimin e vitit 1973, kemi veçuar shënimin e datës 11 prill nga ditari personal i saj.

“Lexova autokritikën e Fadilit në organizatën bazë. Mendjemadhësia, në mos tjetër gjë, ia ka errur fare sytë dhe quan gjoja autokritikë apologjinë që i bën vetes si kuadër me stash të gjatë partie e shkrimtar.

Sikur gjithë orientimet i jepte ai, nuk flet as për raportet e kongreseve, as të Plenumit të Komitetit Qendror mbi letërsinë, as për fjalimet e shokut Enver me shkrimtarët ose atë në Konferencën e 17-të të Partisë së Tiranës, as fjalimet e shokut Ramiz dhe t’i lidhë këto me luftën që ka bërë ai (mirë apo keq për zbatimin e realizimin e tyre.. Jo i flet me kredon e tij. Kam menduar dhe mendoj”.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO EDHE: EKSKLUZIVE/ “Je me ne apo me armikun?”- Rrëfimi i rrallë i djalit të Fadil Paçramit, zbulon prapaskenat e përplasjes me Enver Hoxhën: Ishte tym kur erdhi në…(PJESA 2)

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i rrallë i djalit të Fadil Paçramit: Im atë flinte në një dhomë me Nexhmije Hoxhën! Ndanin bukën, e kishte si vëlla! Ju tregoj letrën që i nisi ajo kur babai ishte në burg: Rri urtë aty se…! (PJESA 1)

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/