EKSKLUZIVE/ “Pengu më i madh që kam, përgatitja fizike e ekipit”! Troisi: Ika me kokën lart, mesazhi im për kritikët e Vlorës (E PLOTË)

Mar 31, 2023 | 21:49
SHPËRNDAJE

Marcelo Troisi rrëfehet për herë të parë që pas largimit nga Flamurtari. Gati nëntë ditë nga “divorci” me vlonjatët pas humbjes në shtëpi ndaj Dinamos 0-0 dhe shumë polemikave që solli ai takim, braziliani tashmë gjykon më ftohtë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Troisi mendon se ajo çka do të donte të bënte më mirë është përgatitja fizike e skuadrës. Ai thotë se u përpoq të bënte maksimumin te Flamurtari, duke punuar shumë, ndërsa kërkon respekt nga kritikët.

TROISI

Troisi i jep një përgjigje edhe ish-kapitenit Franc Veliu, që e quajti skenarist filmash në bisedën për gazetën dy ditë më parë. “Mbase mendon se jam i lezetshëm për të bërë një film. Nëse është ai mbrojtësi që u përpoq të luante me mua dhe nuk luajti…”, shprehet me jo pak ironi braziliani për ishmbrojtësin vlonjat.

Marcelo, ku ndodheni aktualisht?

Aktualisht jam në shtëpinë time në Greqi, me familjen. Po kalojmë pak kohë bashkë, pasi kam qenë larg tyre.

Gati 9 ditë që jeni larguar nga Flamurtari, keni pasur oferta?

Në fakt e kisha një ofertë, por nuk e pranova. Do të pres dhe do të vendos në kohën më të përshtatshme të mundshme.

Tani që jeni larguar nga Vlora dhe gjërat i shikoni më me qetësi, çfarë nuk shkoi dhe do të donit të bënit më mirë?

Te Flamurtari u përpoqa të bëja maksimumin dhe të ndryshoja diçka. Nuk e di nëse do ta ndryshoja dot, por gabimi im më i madh është që nuk solla një përgatitje fizike së cilës i besoja. Ndoshta e vetmja gjë që më mungonte.

Që pas largimit tuaj, ka pasur jo pak kritikë për punën që keni bërë te Flamurtari. Madje ish-kapiteni Franc Veliu ju ka cilësuar si një skenarist filmash brazilianë. Keni një përgjigje për këtë?

Veliu kush është? Mos është ai mbrojtësi që tentoi të luante në Kukës? Nuk më interesojnë kritikat. Ai jep mendimin e tij dhe unë e respektoj. Mbase mendon se jam i lezetshëm për të bërë filma (qesh). Nëse është ai mbrojtësi që u përpoq të luante me mua dhe nuk luajti… Është ajo që po mendoj. Atëherë kuptoj gjithçka.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Për disa jam i mirë, për të tjerët jo. Për fat të keq nuk do t’i kënaq të gjithë. Kush ka luajtur me mua thotë që jam i mirë dhe kush nuk ka luajtur me mua, thotë nuk vlen. Fatkeqësisht është futboll… Kam respekt si ka luajtur Hallaçi, trajneri aktual i Kukësit, por edhe Shameti që është ndihmës i tij tashmë te kjo skuadër. Ka shumë në fakt. Kjo është ajo që ka rëndësi. Kritikat i pranoj, të rriten çdo ditë e më shumë. I uroj suksese në këtë karrierë të re të trajnerit.

Të dielën Flamurtari luan derbin me Orikun. Ju e njihni edhe kundërshtarin, si e parashikoni këtë sfidë?

Të jem i sinqertë, do të jetë një ndeshje e vështirë. Të dyja skuadrat duan patjetër pikë. Mendoj se ky takim do të vendoset nga detajet.

Ngjitet ky Flamurtar në Superiore?

Besoj se Flamurtari ka gjithçka për t’u ngjitur në elitë. Doja një favor të madh nga ju, që të më përcillni një mesazh.

Po, patjetër. Cili është ky mesazh?

Kur kam qenë te Flamurtari kam dhënë gjithçka, kam punuar shumë orë, jam përkushtuar, por në futboll nuk ka meritë individuale, pasi ajo është kolektive. Unë largohem me kokën lart dhe pa fajësuar askënd. Kërkoj që respekti, të cilin kam me klubin të jetë i njëjtë dhe për mua. Për ish-kapitenët, që Flamurtari ka shumë (qesh), dua t’u them: Komentoni për klubin, jo atë që ka ndodhur tashmë. Në fund të fundit karriera e tyre nuk ishte e mrekullueshme. Unë falënderoj presidentin Sinan Idrizi. Flamurtari meriton të ngjitet në Superiore!

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura