EKSKLUZIVE/ Pëllumb Xhufi: Esktremisti grek kishte Ligjin e Luftës në mendje, si shpëtuan Forcat Speciale falë jelekëve antiplumb

Oct 30, 2018 | 13:50
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Historiani i njohur Pëllumb Xhufi e sheh një rast të izoluar ngjarjen e Bularatit, ku mbeti i vrarë minoritari grek Konstantinos Kaçifas.

xhuf-kacifas

Në një intervistë për “Panorama”, Xhufi e cilëson sjelljen e tij ekstremiste të ndikuar dhe nga qarqet nacionaliste, që duket se frekuenton në Athinë.

Sipas Xhufit, në Greqi ka një patologji antishqiptare. Historiani shpreh shqetësimin se varrezat masive të ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore mund të kthehen në vend pelegrinazhi, me rrezik provokime të rënda.

Incidentin e Bularatit duhet ta marrim si një rast sporadik të provokuar nga një person me probleme mendore apo si një provokacion i paramenduar, nëse analizojmë faktin se kush përfiton prej tij?

Nuk dua t’i qasem problemit të personit, nëse ishte me probleme mendore, depresiv etj.. Dua të them atë që duhet thënë në të tilla raste, që ndiej keqardhje për humbjen e një jete njeriu, cilado qoftë kombësia apo shtetësia e tij, një bir nëne dhe në fund të ditës, ajo që duhet të ndiejmë është keqardhje për ngjarjen që ndodhi.

Përsa u përket rrethanave, arsyeve për shkak se ngjarjet në marrëdhëniet tona me Greqinë politizohen, mund të them se kjo është një ngjarje si shumë të tjera që ndodhin për fat të keq në Shqipëri. Ka ndodhur edhe aty afër Bularatit, përplasje të forcave të rendit me individë që thyejnë ligjin, me kriminelë, trafikantë e vrasës dhe kanë përfunduar dhe me viktima nga forcat e rendit. Në Lazarat u vra një anëtar i forcave speciale, sepse u qëllua nga një bandit shqiptar i atij fshati gjatë një aksioni policor.

Nga i riu Konstantinos Kaçifas, anëtar i minoritetit grek, pati një qëndrim ekstremist, i cili binte ndesh edhe me zhvillimet që kishin ndodhur në 28 tetor në Bularat. Aty pati një ceremoni normale përkujtimore për të rënët, ekzekutim himnesh, shqiptar dhe ai grek, me pjesëmarrjen e personaliteteve si shqiptare edhe greke, u kënduan këngë dhe u recituan vjersha dhe në një moment të caktuar, ky i ri, i cili kishte ardhur nga Greqia, ndoshta edhe i ngarkuar nga mjediset ekstremiste që frekuenton, siç duket dhe në faqen e tij në “Facebook”, ka bërë një veprim të rrezikshëm, ka përdorur armët kundër forcave të rendit, është ngjitur mbi fshat dhe ka rrezikuar jetë njerëzish.

Kam informacion që në dy raste, forcat tona speciale, të cilat për fat të mirë kanë pajisje moderne, u kanë shpëtuar plumbave të Kaçifas nga jeleku antiplumb dhe helmeta. Por për fat të keq, ndodhi eliminimi i të riut Kaçifas, i cili ndërmori një veprim të palogjikshëm.

Kaçifa Bularat

Si i vlerësoni reagimet politike që erdhën menjëherë nga Ministria e Jashtme greke?

Me Greqinë ka një problem të madh në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe jo vetëm me Shqipërinë. Në Greqi ekziston një patologji antishqiptare, kjo është një e dhënë historike me të cilët për fat të keq, duhet të jetojmë. Mjafton të shohim momentet kryesore të historisë që na kanë lidhur me këtë vend. Reagimet nga opinioni grek ishin të pritshme për atë opinion që e gjen veten në radhët e Agimit të Artë, të egra, jocivile për një vend si Greqia me një traditë demokratike të hershme, por dhe për një histori gati 30-vjeçare bashkëjetese me shqiptarët aty. Por kemi qëndrime ekstreme edhe në qeverinë greke, siç është ministri i Mbrojtjes Kamenos, i cili përfaqëson një parti të ekstremit të djathtë. Në këtë kuptim, them se deklarata e Ministrisë së Jashtme greke ishte e matur, ku shprehej keqardhja për humbjen e jetës së Kaçifas dhe kërkoheshin shpjegime për rrethanat e ngjarjes. Kjo më dukej normale. Përkundrazi, më pëlqeu deklarata e ministres greke të Kulturës, zonja Zorba, e cila jepte pasqyrën e saktë të ngjarjes për shkak të prezencës së saj në Bularat. Ajo e përshkruan si një festë dinjitoze, që nuk legjitimonte daljen e një të riu me armë kundër forcave të rendit, i cili mesa duket kishte ardhur pikërisht për këtë qëllim dhe që është mesa duket i irrituar pikërisht nga mbarëvajtja e këtij manifestimi. Edhe në një nga mesazhet e tij në “Facebook”, Kaçifas shprehej kundër frymës së bashkëpunimit që po ndërtojnë Kryeministrat Rama dhe Tsipras. Madje, ai nuk ishte i kënaqur dhe me organizimin e këtyre festimeve të përbashkëta mes dy vendeve, sepse mesa duket, ai i konsideron marrëdhëniet mes dy vendeve si marrëdhënie në situatë lufte, pra në mendjen e tij ligji i luftës mes dy vendeve është në fuqi. Unë mendoj se këtu duhet të mbarojë kjo histori dhe pse ai do të përcillet sipas zakonit edhe nën shoqërinë e periferisë ekstremiste greke, por jam i bindur se opinioni grek nuk do të ishte dakord që kjo ngjarje të politizohej, të ekstremizohej.

INTERVISTEN E PLOTE MUND TA LEXONI NE GAZETEN PANORAMA PRINT.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura