EKSKLUZIVE/ Partizani godet në merkato, akord me mesfushorin e Kombëtares

Aug 25, 2018 | 22:44
SHPËRNDAJE

Partizani ka zyrtarizuar dje përforcimin më të fundit, pikërisht koreano-veriorin, So Hyon-Uk. Merkatoja e “demave” mbetet e hapur dhe pritet të ketë surpriza në limite. Përforcimi i fazës sulmuese mbetet prioritet i të kuqve dhe drejtuesit po bëjnë të pamundurën për të gjetur alternativat e duhura për trajnerin Gega. “Panorama Sport” ka mësuar se klubi po punon për afrimin e një ish-lojtari të Kombëtares, që ka luajtur në disa vende, kryesisht në futbollin gjerman.

Jurgen-Gjasula

Bëhet fjalë për mesfushorin me tipare sulmuese, Jurgen Gjasula, i cili rezulton lojtar i lirë. 32-vjeçari mendohet si alternativa e duhur për skuadrën e Gegës për të forcuar fazën sulmuese, pikërisht në pjesën e organizimit. Ndonëse tratativat po zhvillohen larg vëmendjes së opinionit sportiv, mësohet se bisedimet mes palëve janë në rrugën e duhur dhe pritet vetëm finalizimi i marrëveshjes. Jurgen Gjasula e ka nisur karrierën e tij si profesionist te Freiburgu, për të vijuar më tej karrierën te Kaizerslauten.

Në 2005-ën Gjasula kalon në Zvicër, ku për tre sezone luan te St.Gallen për të vijuar më pas te Bazeli. FSV Frankfurt, Dusburg, Alen dhe Greuther Fyrth janë klubet e tjera gjermane, që kanë pasur shërbimet e 32- vjeçarit. Një sezon të shkëlqyer Gjasula zhvilloi në Bullgari te Liteks Loveç, që përkon edhe me kohën kur ai u bë pjesë e kombëtares shqiptare, ku ka luajtur dy ndeshje me fanellën kuqezi. Sezonin e fundit Jurgen Gjasula e mbylli me skuadrën e dytë të Greuther Fyrth, që militoi në ligat e ulëta dhe tani është pa kontratë. Në këto kushte i bie që Partizani të bindë vetëm lojtarin për ta bërë të tij fantazistin për sezonin e ri futbollistik.

ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura