EKSKLUZIVE/ Operatori i Kinostudios rrëfen takimin sekret të Mehmet Shehut me Mao Ce Dunin: Çfarë i tha Hrushovi Enver Hoxhës për Titon

Apr 24, 2019 | 13:49
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Pasioni i jetës së tij ka qenë kamera. Djalë i ri, i shkathët, arrinte të fiksonte gjithçka në pak minuta dhe kishte fituar simpatinë e të gjithëve.

Dhimitër Lala ishte ndër operatorët e parë të Kinostudios “Shqipëria e re” e më pas edhe i Televizionit Shqiptar. E dashuronte punën që bënte dhe kjo ishte edhe arsyeja pse i besonin kronika e dokumentarë me rëndësi të veçantë për kohën.

Do të ishte pas udhëheqjes në takimet që ata bënin jo vetëm anë e mbanë Shqipërisë, por dhe me delegacione të huaja. Ka qenë aty në takimin e Mehmet Shehut me Mao Ce Dunin dhe Çu En Lain; të Enver Hoxhës me Hrushovin e shumë delegacione të tjera..

lalo

Për Dhimitër Lalën nuk ishte me rëndësi thjesht fakti që kishte besimin e udhëheqjes, por që në të gjitha kronikat dhe dokumentarët që realizonte, ai përshkruante punën e shqiptarëve.

Nuk i numërohen dekoratat dhe titujt që ka marrë për aktivizimin e tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, që kur ishte 12 vjeç e më pas për filmat e realizuar. Pas vitit 1974, për shkak të një drame familjare, karriera e tij do të ndërpritej në mes. Do të punonte në minierë e në ngarkim-shkarkim, deri në ndërrimin e sistemeve.

Sot është 88 vjeç dhe jeton me një pension minimal, llogaritur mbi pagën e punës si minator përpara viteve ’90. Asnjë shpërblim për punën e bërë për vite me radhë si operator, për dokumentarët e kronikat e realizuara në të gjithë Shqipërinë, në kohëra të vështira, me sakrifica të jashtëzakonshme.

Është propozuar dy herë nga dy drejtueset e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ish-drejtorja Elvira Diamanti dhe ajo e tanishmja, Iris Elezi, për titullin “Mjeshtër i Madh”, por as Presidenti që nuk i kursente dekoratat për gjithfarë figurash me vlera të diskutueshme, Bujar Nishani, nuk ia akordoi.

kineast

Po ashtu, që prej kohës së ministrit Aldo Bumçi, por edhe një vit më parë, disa nga kineastët më të njohur shqiptarë u kanë kërkuar institucioneve përkatëse pension të posaçëm për Dhimitër Lalën, por ende asgjë. Në moshën 88- vjeçare, më shumë se për ato të holla, Dhimitër Lala e dëshiron një pension dinjitoz si vlerësim për punën që ka bërë për vite me radhë dhe filmat, që si dokumente ruhen sot në arkivat e filmit.

Na tregoni pak për fëmijërinë tuaj.

Kam lindur në Pogradec më 2 tetor 1931. U shkollova në qytetin e lindjes, por shumë i vogël u angazhova në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Sa vjeç ishit?

Isha 12 vjeç dhe kisha rolin e korrierit. Më pas u bëra pjesë e Brigadës IV, me Komandant Nexhip Velçanin, dhe kam marrë pjesë në Operacionin e Qershorit të ‘44-s, kemi luftuar në Lurë, Peshkopi, Dibër të Madhe. Kam marrë pjesë edhe në çlirimin e Tiranës.

Ç’ju lidhi me Luftën? Nuk kishit frikë?

Kisha dy dajallarë dëshmorë, një në Luftën e Spanjës dhe një këtu. Kjo më nxiti edhe më tepër t’i bashkohem luftës. Por isha fëmijë dhe nuk e dija se çfarë ishte vdekja, nuk kisha frikë. Për pjesëmarrjen time në luftë kam marrë edhe dekorata e vlerësime si “Medaljen e Trimërisë”, “Medaljen e Çlirimit” dhe “Medaljen e Kujtimit”.

lala-dhimiter173

Çfarë bëtë pas lufte?

Pas lufte ndoqa shkollën e mesme “Skënderbej” dhe më pas Akademinë Ushtarake për oficer. Punova pak vite, por nuk më pëlqente, nuk doja të vazhdoja më dhe ngula këmbë të më lironin. Që aty shkova në Kinostudio dhe u bëra operator. Jam nderuar me Urdhrin e Punës së Klasit IIItë për filmin dokumentar në pusin 542 në marinzë; “Naim Frashëri i artë”, për filmin dokumentar “Dyluftim me flakët”; “Naim Frashëri i artë” me rastin e 80-vjetorit të lindjes

Ju kishit qenë edhe në luftë, përse nuk donit të bëheshit oficer? Ç’ju lidhte me filmin?

Që të punosh në ushtri duhet të jesh karrierist, ndërsa unë nuk e kisha këtë prirje. Ndaj edhe ngula këmbë të ikja që aty. Artet më pëlqenin, kisha sy të mirë, isha i shkathët. Ishte operatori i parë shqiptar, Hamdi Ferhati dhe Mandi Koçi që ma mësuan zanatin dhe që atëherë punova si operator në Kinostudio.

Keni realizuar shumë kronika dhe dokumentarë me bashkëpunëtorë, por shumë të tjerë edhe vetëm…

Në vitin 1958 kalova te kronika e dokumentarët. Kam realizuar 28 filma dokumentarë si operator realizues. Kam udhëtuar në të gjithë Shqipërinë, por edhe jashtë vendit, duke marrë pjesë në takime të rëndësishme. Unë kam qenë edhe në takimin e fshehtë të Mao Ce Dunit me Mehmet Shehun në Kinë, edhe me Çu En Lain, si dhe kam xhiruar Hrushovin që nga momenti i zbritjes nga avioni.

mcdmsh

Çfarë kujtoni nga takimi në Kinë?

Mua më morën pa më treguar se ku po shkonim. Më çuan në një parcelë me agrume, në një shtëpi të ulët, ku mund të futej edhe shiu. Aty jetonte Mao Ce Dun-i. Kam ndenjur 10 minuta vetëm për vetëm me të. Unë nuk dija anglisht apo frëngjisht, po as ai nuk dinte italisht, megjithatë disi u morëm vesh. Ndërsa nga takimi me Çu En Lain mbaj mend një bisedë informale mes tij dhe Mehmetit.

Kur hynin operatorët për të xhiruar, ata zhvillonin vetëm biseda të lira, kurse kur zhvilloheshin bisedat zyrtare, neve na nxirrnin jashtë. Në këto momente, dëgjoj Mehmetin që i thotë Çu En Lait: “Ne, atyre që tradhtojnë marksizëm-leninizmin, u japim plumbin ballit…” Çu En Lai kishte një pamje të buzëqeshur gjithmonë dhe i thotë: “Kjo kokë që ju i jepni plumbin, nuk është lakër. Ka forma të tjera. I çoni diku në fshat, jepuni veprat e marksizëm-leninizmit të Maos dhe Enverit dhe ata të lexojnë, e ndryshojnë mendim.

download (1)

Po nga bisedat me Hrushovin, ç’ju zuri veshi?

Kur erdhi Hrushovi, unë isha i pari që pata kontakt se u ngjita deri tek avioni. Kur u takua me Enverin, i tha me zë të ulët: “Sa të jem unë këtu, mos e zër me gojë Titon dhe Jugosllavinë”.

duke xhiruar

Keni realizuar shumë dokumentarë për udhëheqjen, për Enverin, me sa duket ishit i besuari i tyre, apo jo?

Po, e vërtetë, kam realizuar shumë të tillë. Unë isha shumë i shpejtë në xhirim dhe nuk i lodhja udhëheqësit, ata më kishin të preferuarin e tyre. Teksa xhiroja, unë bëja edhe punën e montazhierit, sepse e dija se çfarë pamjesh duhet të merrja. Enver Hoxha kishte simpati për mua. Njëherë, kur Enveri do të shkonte në Gjirokastër, ndaluam në “Ujin e ftohtë” në Tepelenë për mëngjes. Enveri ishte me diabet dhe kishin përgatitur ushqime të veçanta për atë. Ai ishte me Nexhmijen. Po xhiroja, kur ai më thirri: Dhimitër eja, ulu dhe ha me ne. Unë refuzova, ndihesha në siklet. Në atë moment vjen Shefqet Peçi dhe duke qenë më i moshuar, unë u ngrita dhe ika. Por Enveri ishte i vëmendshëm. Ai thirri komandant M. Prodanin dhe i tha të merrte një letër dhe mbështolli të gjitha çfarë ishin mbi tryezë e m’i solli mua për të ngrënë në makinë.

Po me Mehmet Shehun, si i kishit raportet, meqë keni qenë edhe në Kinë me të…

Me Mehmetin më ka qëlluar të shkoj jo vetëm në Kinë, por edhe në zona të thella malore, në mes të dëborës. Ai më dëgjonte, madje i kam kërkuar atij shtëpi, sepse unë jetoja me gruan dhe fëmijët në një dhomë të vogël. Ai dha urdhër të më jepej shtëpi dhe m’u dha 2 dhoma e një kuzhinë. Madje, iu desh të ndërhynte dy herë për këtë gjë. Por, më lejoni të them se, unë nuk kam bërë filma për udhëheqjen. Përmes tyre, nëpër kronika e dokumentarë unë kam nxjerrë punën e popullit tonë.

download

Në vitet ’70 ju kaluat në Radio Televizionin Shqiptar, përse?

Televizioni ishte në hapat e tij të parë dhe për t’i dhënë hov, ata morën specialistë nga Kinostudioja dhe mua, Endri Kekon, Ismail Ballën e Kristaq Dhamon na kaluan për të dhënë përvojën tonë. Unë punova aty deri në vitin 1974, por më pas do të vijonte një periudhë e errët e jetës sime që do të më largonte përfundimisht nga profesioni im. Kur erdhi demokracia më kërkuan sërish, por isha i lodhur, kisha punuar në minierë dhe në ngarkim-shkarkim për vite me radhë, edhe pse isha nderuar me dekorata e tituj për kohën e luftës, por edhe për filmat që kam bërë. Prej vitesh kam dalë në pension dhe jetoj me një pension minimal. Deri më sot janë bërë dy kërkesa pranë kryeministrave të ndryshëm për të më dhënë pension të posaçëm, por ende nuk është bërë asgjë./PANORAMA

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura