EKSKLUZIVE/ Oferta joshëse e Flamurtarit, Radas: Dua garanci nga Takaj edhe nëse nuk ulet dënimi

Jul 11, 2018 | 21:50
SHPËRNDAJE

Marko Radas ësh të duke shijuar në maksimum aventurën e Kroacisë së tij në Botërorin “Rusi 2018”. Nga Zagrebi ku po ndjek çdo takim të përfaqësueses së tij pranë familjes, Radas tregon të ardhmen dhe dilemën për të zgjedhur mes Korçës dhe Vlorës, teksa nga ana tjetër flet edhe për ëndrrën që po jeton populli kroat në këto ditë Botërori. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Radas flet hapur në lidhje me gjithçka, që nga shiriti i kapitenit e deri teK oferta e Flamurtarit.

Radas

Marko, Skënderbeu ka filluar grumbullimin, ju jeni ende në Kroaci?

Po është e vërtetë, jam ende në Kroaci pasi nuk kam mbyllur akoma zyrtarisht rinovimin me Skënderbeun për sezonin e ri dhe po qëndroj pranë familjes duke ndjekur për më tepër përfaqësuesen e Kroacisë në këtë Kampionat Botëror.

Si ju duket ecuria e Kroacisë, që tashmë është në gjysmëfinale?

Nëse them super, është pak. Është një performancë e çmendur, që askush nuk e kishte menduar të ishte e tillë. Jemi duke shijuar në çdo moment aventurën që nga faza e grupeve e deri tani me paraqitjet shumë të mira që po jep kjo kombëtare. Ka qenë një ecuri brilante e ekipit. Kroacia e ka potencialin e madh në ekip me lojtarë që luajnë në klubet më të mëdha në Europë dhe nuk është aspak rastësi. Ka një grup super të lidhur dhe një trajner që po di ta mbajë të bashkuar.

E shihni ekipin t’i shkojë deri në fund këtij kompeticioni?

Sigurisht që po. Ka arritur deri në gjysmëfinale dhe normalisht që është larg presioneve pasi objektivi është arritur. Tani do t’i shkojmë deri në fund.

Si është atmosfera në Zagreb?

Atmosferë e çmendur, ku të gjithë presin me padurim ndeshjen e sotme dhe janë shumë të entuziazmuar. Vetëm për këta njerëz këtu që jetojnë me ekipin, ia vlen të fitojmë kampionatin. Ndeshjet i shohim në rrugë, në lokale, kudo, me flamuj e simbole të shtetit tonë dhe atmosfera është shumë e zjarrtë.

Po e ardhmja e Radasit pas Botërorit cila do të jetë?

Nuk e di, pasi nuk kam zyrtarizuar asgjë deri më tani. Por them se gjithçka do të mbyllet sot ose nesër.

Flitet që ka një ofertë nga Flamurtari i Dajës, është e vërtetë?

Po, ka një ofertë nga ana e Flamurtarit dhe financiarisht është me të vërtetë një ofertë e mirë. Unë nga ana ime dua vetëm Skënderbeun, por ka disa pika të vogla ku nuk po arrijmë akordin.

Bëhet fjalë për kushtet financiare?

Nuk janë problem kushtet financiare tani, por problem është që unë dua një farë garancie se çfarë do të ndodhë më pas nëse vjen një lajm i keq nga KAS në lidhje me dosjen e UEFA-s. Plus kësaj, dua të kem edhe një ekip me lojtarë me eksperiencë për të bërë një sezon të mirë.

Kur mund të vendoset e ardhmja juaj Radas?

Besoj se sot ose nesër do të konfirmoj se çfarë do të bëj me të ardhmen, pasi kam lënë edhe një tjetër bisedë me presidentin Takaj. Por, e përsëris, unë dua vetëm Skënderbeun.

LLAZI SARO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura