EKSKLUZIVE/ “Një i arratisur na tregoi dyqanet në Paris”, rrëfimi special i Genc Tomorit: Bleva një magnetofon dhe ma mbajtën në doganë, por…

Jun 29, 2020 | 23:43
SHPËRNDAJE

JETMIR HALILAJ/ Benfika-Partizani 4-0 në Kupën e Kampioneve në vitin 1987, ku katër lojtarë shqiptarë u ndëshkuan me të kuq, mbetet edhe sot një mister i vërtetë. Shumë prej protagonistëve kanë folur në të kaluarën dhe vazhdojnë ta komentojnë edhe sot, por pothuajse të gjithë thonë se fajin e pati arbitri.

genc tomori

Megjithatë, ka edhe nga ata si Genc Tomori që e pranon se eksperienca, pamundësia për të njohur një tjetër nivel arbitrimi (luanin shumë pak në arenën eurpiane), natyrisht që e penalizoi Partizanin.

Në intervistën për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi tregon me detaje se si përfundoi në portë, si e shmangu një goleadë turpëruese duke luajtur i dëmtuar dhe me pak krenari thotë se “trofeun” e vetëm të atij udhëtimi problematik e ka ende edhe sot.

Bëhet fjalë për një magnetofon që e bleu në Paris, ia bllokuan në doganë pas ndeshjes dhe pagoi lekë shtesë për ta marrë sërish. Po, është pikërisht magnetofoni në foto, që Tomori e ruan edhe sot me fanatizëm.

Genc Tomori magnetofoni portier

Çfarë mbani mend ju nga ajo ndeshje?

Mbaj mend që gjyqtari i asaj ndeshjeje ishte më shumë kurajoz se arbitrat këtu në Shqipëri.

Në ç’kuptim më kurajoz?

Shikoni, ne atëherë vetëm në Shqipëri luanim. Kishim një standard arbitrimi tjetër me atë që hasëm në Kupat e Europës. Por gjithsesi veprimet e gjyqtarit na u dukën një çudi e madhe.

Pse?

Sepse veprimi i Mustës këtu në Shqipëri ishte i zakonshëm. Pra, portieri kapte topin dhe ndeshja vazhdonte edhe nëse vinte lojtari e rrëzohej në përplasjen me portierin. Jepej faull në favor të portierit. Dhe, në fakt faullin e dha për ne. Por mendoj se ramë në “grackën” e Kupave të Europës. Duhet ta pranojmë se Shqipëria në atë kohë nuk njihej si sot. Duhet të keni parasysh se nuk luanim shumë nëpër Kupa europiane si sot. Megjithatë, nga ajo që kam parë edhe në ripërsëritje, por edhe se çfarë ka ndodhur më pas ndër vite me arbitrimin në Europë, vazhdoj të mendoj se ishte e pabesueshme ajo që ndodhi.

Edhe ju mendoni që arbitri ishte tendencioz?

Po, patjetër. Pastaj, shikoni pak se çfarë ka ndodhur me atë arbitër (Hoze Donato Pes Peres)… Pas asaj ndeshjeje ai nuk ka arbitruar më kurrë në Europë.

Pse mendoni se ky arbitër donte patjetër që t’i bënte keq Partizanit?

Nuk ishte punë Partizani, por ishim thjesht një ekip i vogël kundrejt një ekipi shumë të madh për kohën. Ne bëmë një pjesë të parë të mirë. Madje, pa shënuar golin portugezët, unë pata një rast të pastër për të shënuar. Por, pas kësaj nuk motivoheshe dot me atë që po bënte arbitri. Bënte ca veprime që dhe nuk mund protestoje dot.

Çfarë veprimesh?

Po ja, po ju marr shembull daljen e Mustës me të kuq, apo daljen e Nikos (Frashërit) dhe të Ilir Lames. Mua më janë dukur shumë të çuditshme. As nuk flisnim dot, për çdo fjalë kishe karton…

Genci portier pas golit te trete logo

Genc Tomori në portë, momenti pas golit të tretë të pësuar nga Benfika

Po i kuqi i Ahmetajt?

Ishte rast ndryshe. Ai i hodhi akullin arbitrit, por duhet të kuptoni se na shkatërroi nervat tërë ndeshjen. Aq keq u bë situata, saqë unë luajta si portier. Nuk mbaj mend që të ketë luajtur ndonjë skuadër me 7 lojtarë një ndeshje në Europë. Ishte rast unik.

Po kur erdhët këtu, pse ju dënuan?

Këtu u bë bujë e madhe. Filluan që në kufi problemet.

Pse?

Ne kishim blerë disa gjëra atje. Ndonjë magnetofon, apo edhe orët që morëm dhuratë nga portugezët.

Kush jua dha orët?

Klubi i Benfikës.

Edhe sa të shtrenjta ishin?

Ajo orë këtu mund të mos bënte as 20 dollarë, por ne këtu na dukej gjë e madhe.

Edhe orët jua mbajtën?

Po, edhe orët na i mbajtën. Të gjithëve… Pastaj, patëm edhe probleme të tjera me futbollistët që u dënuan. Kur erdhëm këtu u persekutuam në një mënyrë që nuk di ta tregoj. “Na turpëruat. Kjo ishte njollë e zezë për futbollin”, na thanë. Dëgjonim lloj-lloj gjërash.

Si është historia që ju vonuan në Portugali kur shkuat në aeroport?

Po, pati shumë probleme. Në aeroportin e Lisbonës ndenjëm mbi 5 orë. Kemi shkuar shumë vonë. Shkuam në një hotel, pastaj ndërruam hotelin na çuan në një hotel tjetër.

Më thatë që bletë një magnetofon. Ta mbajtën magnetofonin, përveç orës?

Po. Ma mbajtën. Doli që kisha kaluar kuotën e caktuar me 10 mijë lekë të vjetër dhe ma mbajtën.

Po në Paris kur dolët për Pazar, çfarë bletë?

Aty e bleva magnetofonin unë. Takuam rastësisht aty një shqiptar që ishte arratisur. Nuk e di për çfarë kishte ikur. Ai drejtoi nja 4-5 vetë nga ne. Morëm vesh prej tij dyqanet që ishin më lirë dhe ikëm, sepse me thënë të drejtën kishim frikë të rrinim më shumë me të. Shkuam të gjithë për të blerë magnetofona.

Ishin nga më të ndryshmit, nga më i vogli deri te më i madhi. Kur erdhëm këtu na i morën të gjithë. Madje mbaj mend që kur erdhëm këtu doli që unë kisha kaluar kuotën me 10 mijë lekë, sepse edhe orën që na dhanë dhuratë, na e futën në çmim. 6 mijë lekë me sa më kujtohet. Pastaj unë pagova 15 mijë lekë dhe i mora përsëri edhe orën edhe magnetofonin.

E keni ruajtur magnetofonin?

Po. Magnetofonin e kam ruajtur. E kam në shtëpi, por edhe orën mund ta kem. Më duket se 24 ose 25$ ka qenë dieta që merrnim kur shkonim jashtë dhe unë bleva këto pak gjëra.

Magnetofoni i Genc Tomorit logo

Magnetofoni i blerë nga Tomori në Paris

INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT” (27 QERSHOR) 

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ “Na e drodhi një italian natën”, rrëfimi i Bajkos: Perlat Musta çuditi Europën, ja e vërteta e çmendurisë me Benfikën (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Replika për titullin e vitit 1989, Kola: Partizani ishte më i privilegjuari, Perlat Musta e pësoi prej… Benfikës

EKSKLUZIVE/ “Tirana hiqet si e persekutuar në komunizëm”, Lame: Ja e vërteta e ndeshjes me Benfikën (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura