Ekskluzive/ Repishti: Shyqyri Çoku kriminel me pagesë, falja e Ramës premtim solemn që duhet mbajtur

Dec 25, 2015 | 7:24
SHPËRNDAJE

Profesor Sami Repishti ka reaguar pas ndjesës së kërkuar nga kryeministri Rama dhe propozimit për heqjen e dekoratave të atyre që kanë shkaktuar vuajtje dhe tortura gjatë regjimit komunist.

Shyqyri Çoku/ Sami Repishti
Shyqyri Çoku/ Sami Repishti

Në shkrimin e tij, profesor Repishti i përgjigjet ish-hetuesit të tij, Shyqyri Çoku, i cili në intervistën e tij është shprehur se nuk e ka njohur kurrë Sami Repishtin. Për profesorin, Shqyri Çoku gënjen, ndërsa e quan paturpësi deklaratën e tij se nuk ka punuar asnjëherë me sigurimin e Shtetit.

Ai tregon poshtërimet dhe torturat që u bëheshin të burgosurve në burgun e njohur si “Kuvendi i Françeskaneve” me urdhër dhe dëshirë të Shyqyri Çokut. Në lidhje me faljen që kërkoi kryeministri Rama për dekoratat që u janë dhënë njerëzve si Shqyqyri Çoku, profesor Repishti shprehet se ky është një premtim solemn që duhet të mbahet. Edhe propozimin për heqjen e dekoratave Repishti i cilëson si një hap të madh në drejtimin e duhur, por shprehet se pas 25 vitesh demokraci në Shqipëri ende nuk është dënuar doktrina shkatërrimtare, siç e quan ai e “luftës së klasave”.

Për profesor Repishtin, ndjesa nuk është e mjaftueshme për torturat dhe vuajtjet e të burgosurve, por kërkon që xhelati të denoncojë krimin që ka kryer ose nga institucioni që e ka urdhëruar. Në të kundërt, nëse nuk denoncohet krimi, për profesor repishtin, ndjesa nuk është e sinqertë. Mungesës e faljes dhe të denoncimit të krimit nga fajtorët, Repishti e cilëson një “tragjedi të dytë shqiptare”.

SAMI REPISHTI

Pak ditë ma parë, gazeta “Panorama” botoi shkrimin tim ku dëshmojshe se ish-nënoficeri i Sigurimit të Shtetit, “Rreshteri Shyqi” (emni i plotë ashtë Shyqyri Çoku), i dekoruem më 29 nandor 2014 nga Ministria e Mbrojtjes, më ka torturue gjatë muejve të “Hetuesisë” dhe më “…shkaktoi kaq dhimbje fizike dhe shpirtnore me drunin e tij të pagdhenun e çizmen e tij të ndytë”….

“unë nuk e falë, sepse tradhëtoi bashkëvuejtësit e mi…(dhe)… kjo ashtë mospërfillje për vendin që akoma vuen, mospërfillje për viktimat akoma të përbuzuna, mospërfillje për rrezikun që përballë ringjallja e nji shoqënie shqiptare që kërkon të ngrihet …si e gjithë Europa”.

Krimineli “Shoku Çoku” u përgjegj me nji intervistë të botueme në gazetën “Shekulli” të datës 18 dhjetor 2015 ku thotë: “Sami Repishtin nuk e kam njohur asnjiherë dhe as e kam patur në hetuesi”.

Pjesa e parë e kësaj thanje ashtë thjesht gënjeshtër; pjesa e dytë ashtë e vërtetë. Nuk kam pasë “fatin” me u hetue nga ai; të tjerë si Zoi Themeli, Lefter Lakrori dhe Fadil Kapizyzi e plotësuen këtë detyrë të ndytë. E kam njohë “Shokun Çoku” kur ishte adoleshent që sillej rrugëve të lagjes sime Dudas, Shkodër, ku banonte nji i afërm i tij. I ri, pa arsim, me nji gojë tejet të ndytë.

Për ma tepër, prej tetorit 1946 deri në nandor 1947, kam kalue shumë kohë në burgun e njohun “Kuvendi i Françeskanëve” Aty, “Rreshter Shyqi” ishte përgjegjës i rojeve të “burgut” të posa-hapun.

I ashpër, arrogant, na shante nanat me fjalorin ma të ulet, sa herë shkonte e vinte nëpër korridorin e gjatë të “burgut”. Ai urdhënonte për llojet e torturës që ushtrojshin rojet ndaj nesh: zinxhirë kambe e duer, heqja e racionit të bukës dhe ujit, rrahje me shkop, grushta e shkelma sa herë që shkojshim e vijshim në nevojtore, ose me na mohue të drejtën e shkuemjes në nevojtore… nji torturë e vërtetë.

Kurdo që na shoqënonte në “Zyrën e Hetuesisë” për tortura, na detyronte me vrapue me shkop e me shkelma nën talljen e rojeve të armatosuna. Për të gjitha këto ai u tregue nji sadist pa ndërgjegje, model i përsosun i “qenit të stërvitun” me u bindë verbënisht. Pohimi i tij se “nuk ka punue asnjiherë me “Sigurimin e Shtetit” ashtë paturpësi. Në Shkodër, sot ai njihet vetëm si “ish-oficer i rrezikshëm i Sigurimit”.

Dokumentacioni i botuem në shtypin shqiptar konfirmon se “Shoku Çoku” ka qenë oficer i Policisë për 21 vjet; “drejtues” i Sigurimit për tetë vjet; “drejtues i Hetuesisë” për 9 vjet. Në tanësi ka qenë 17 vjet hetues. Në nji listë emnore të botueme rishtas, numrohen 92 persona të torturuem nga ai. Ashtë dekorue 10 herë për “veprimtarinë” e tij në Sigurim, simbas pohimit të tij.

Shtëpinë e Dan H.Danit të burgosun që zaptoi e quen “shtetnore”, mbasi u sekuestrue nga Shteti…! Amaneti politik i këtij krimineli ashtë “…porosia e gruas që të shikoja mirë ligjin që të mos merrja fëmijtë në qafë. (por jo fëmijtë e të tjerëve!) Gjithçka simbas ligjit!” Unë nuk di nji “ligj” të vetëm, të shkruem, që kërkon ose lejon torturimin e të burgosunëve.

Këto janë veprime të “botës së nëndheshme” të sistemit komunist, që “Rreshter Shyqi” pranoi vullnetarisht e shërbeu me besnikëri. Sepse, ashtu e deshi! Hipokrit deri në dhimbje! I gatshëm për gjithçka pa asnji bremje ndërgjegjje, kriminel me pagesë “në emën të ligjit” në nji regjim ku “ligji” ishte fjalë “e huej” dhe fjala e tij… që nuk përfaqsonte drejtësinë, por legjitimonte “padrejtësinë” e Nënës Parti dhe diktatorit monstruoz.

Ka vrasës që nuk dëshirojnë me qenë vrasës. Ka të tjerë që janë ba vrasës nga efekti i nji ideologjie vrastare. Por “Rreshter Shyqi” nuk ka qenë njeni nga ata; ai e deshi të jetë vrasës… që në moshën 19-vjeçare!

Takimi i im me atë u ba në rrethana anormale dhe reagimi i jonë dramatikisht i kundërt ka spjegimin e vet në konsideratat etike të cilitdo individ, si krijesa në imazhin e Krijuesit. Krimineli i gatshëm me ekzekutue urdhënin, ose viktima e pashpresë në pritje të ekzekutimit – para nji Hyjnie që heshtë në përjetësi. E tmerrshme!

***

Rasti i këtij krimineli u ba objekt diskutimi mbasi u zbulue se ai ishte dekorue nga Ministria e Mbrojtjes. Fakti që nji akt i këtill ishte i mundun sot në vendin tonë ashtë vërtet shqetësues.

Nga spjegimet e Kryeministrit Edi Rama rezulton se ky “proces” nuk ashte nji “akt” i vetmuem, por nji rrugë e marrun që në vitet 1994, ’95, ’96, d.m.th. që nga ditët e Administratës së Partisë Demokratike të ish-Kryeministrit A. Meksi. Nji kërkesë për sqarim nga Z. Meksi nuk gjeti përgjigje.

Nga nji version i dhanun nga ish-Presidenti Sali Berisha, në bashkëbisedim me gazetarët, mësohet se “lista” e 1000 të dekoruemve “ka të bëjë me pjesëmarrësit në luftë…. Ligji nuk jep asnji dekoratë. Nuk njeh asnji imunitet”.

“Ai tha se bani ligjin e ‘lustracionit’ që përjashtoi të gjithë xhelatët e kalvarit komunist të viteve të diktaturës…. I amenduar u dërgua dhe u aprovua nga Gjykata Kushtetuese…. Nën presionin e Edi Ramës e partisë së tij…

Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë ligjin dhe plotësoi kërkesën e Edi Ramës”, u shpreh Z. Berisha. Kryeministri Edi Rama kërkoi falje për ofendimin e viktimave me dekorimin e “xhelatëve” dhe “premtoi spastrimin” e listave nga emnat e padëshirueshëm. Ky ashtë nji premtim solemn që duhet të mbahet.

Më 22 dhjetor, ashtë propozue “heqja e dekoratave” “…atyne që u dënuen me vendim gjykate të prerë; për krime lufte; për krime kundër njerëzimit; për bashkëpunim me pushtuesit e huaj të vendit;

për veprim agjenturor kundër interesave të Shqipërisë, si dhe të ushtruarit, gjatë periudhës 29.11.1944 deri më 31.03.1991 të funksioneve në strukturat e shtetit shqiptar si me poshtë: …” (rreshtohen funksionet….) Përshëndes këtë hap të madh në drejtimin e duhun!

Për fat të keq, ky incident mori karakter partizanie në vend që të shqyrtohej si simptomë e krizës morale të shoqënisë shqiptare në lidhje me të kaluemen kriminale në vendin tonë.

Sot, 25 vjet mbas ramjes së “diktaturës së proletariatit” nuk kemi dënue ende doktrinën shkatërrimtare të “luftës së klasave” –nji shtrembnim fatal i humanizmit marksist nga ishrevolucionarët V.I.Lenin dhe J.V.Stalin, dy egomaniakë të dehun nga koncepti i diktaturës me gjak, dhe i nji regjimi që “vrau” pa mëshirë lirinë për hir të nji organizimi shtetnor e shoqënor që njohu vetëm nënshtrimin e verbët të qytetarit.

Premtimi “bukë e paqe, edhe liri!” solli urinë, konfliktin e nënshtrimin. “Andrrat e të nesërmeve plot kangë” shkruente Andre Malraux, “u reveluen me qenë vajtimi dhe dnesat e burgjeve dhe kampeve të përqendrimit”.

Nji ideali tradhëtuem; nji praktike kriminale; nji zhgënjim i tmerrshëm për “idealistët” e botës së re që do të ndërtohej për vete e për breznitë e ardhme…! Shqiptarët janë të mbyllun në nji botë ku flitet shumë e ndigjohet pak.

Ata që dijnë shumë janë ata që flasin pak. Çdo njeni nga ne ka vuejte në të kaluemen komuniste, përballjen me egërsinë e sistemit kriminal, e vuen akoma nga rrjedhimet e asaj egërsie, sidomos “poshtënimin” e pësuem, shkallën ma të ulet të shnjerëzimit ku subjekti/qytetar reduktohej në nji objekt pa vlerë, trajtohej si i tillë dhe zhdukej pa lanë gjurmë.

Gjysma tjetër, bota e xhelatit që shërbeu “të Keqen” e madhe me bindje, e për kënaqsinë e nji prirjeje kriminale të personalitetit të tij, refuzon me pranue “krimin e kryem”, i vetmi element që u jep atyne sensin e suksesit e superioritetit fiktiv.

Sot, ata jetojnë jetën e qetë që nuk meritojnë, dhe me kambëngulje refuzojnë të paktën “me tregue” krimet që nuk duhen përsëritë kurrë. Kjo “padrejtësi” e madhe bahet nji krim i vërtetë kundër shoqënisë shqiptare të disorientueme, sepse “bota e vuejtjes” nuk ka kërkue çfarosjen e tyne.

Dhe për sa kohë që “e vërteta” nuk del në shesh, nuk njihet nga të dy palët plotësisht, nuk bahet pjesë e diskutimeve të hapta me qëllim interpretimi serioz dhe edukimi për brezënitë e ardhme, nuk bahet pjesë e programeve shkollore, kaosi politik e moral i shoqënisë sonë do të rritet, nuk do të pakësohet, e mundësia e nji atmosferë të shëndoshë që kërkon të vërteten për vlerësim pa presione të çdo lloji qoftë, ashtë pothuejse zero.

Këtu kemi të bajmë me situata që rrezikojnë klase të tana të popullsisë që jetojnë me frikë… e “Heshtja” ashtë krim kapital. Para nji situate të këtillë denoncimi i plotë i kriminelit duhet të jetë kambëngulës dhe i përherëshëm, pa asnji kufi kohor – gjithëherë me shpresë se kërkesa e shoqënisë sonë shqiptare do të bindë “elitën sunduese” dhe “mendjet e ndrituna” me deklarue dënimin zyrtar të krimit.

Randësia e dënimit të krimit e të kriminelit ashtë e padiskutueshme; prandej vendimi ashtë i domosdoshëm. Udhëheqës dhe ndjekës të sistemit kriminel, ata që duken dhe ata që nuk kanë fëtyrët e tyne në posteret publike, por që zbatuen pa kundërshtue “urdhënat” e dhanuna nga “udhëheqja” -nji masë e verbueme nga ideologjia e ditëve të tyne- janë “fajtorë para ligjit” dhe para ndërgjegjes së tyne të smurë që nuk i lejon me kërkue falje, e me lehtësue peshën e randë të krimit, të paktën tue ba publike veprën e tyne! Ka nji numër të vogël të kësaj kategorie që tregon keqardhje për aktet e tyne kriminale; ka dhe nji klimë të favorshme që inkurajon falje të shoqënueme me rrfime që zbulojnë krimin.

Nji shembull prekës e kam përjetue edhe unë. Pak vite ma parë, mora nji dhuratë nga Zonja Liri Belishova, ish-anëtare e BP të KQ të PKSH/PPSH. Ishte nji libër që përshkruente tragjedinë e vajzës së saj, Drita, me nji parathanje të Z. Ismail Kadare, paraqitja e të cilit më solli lot në sy.

Zonja Belishova kërkonte falje për vuejtjet e mia dhe të gjithë të persekutuemve, sepse e ndiente veten fajtore për punën e bame në Parti. Unë u preka shumë. Cila zemër që vuen (ashtu si unë!) ka guximin me i mohue faljen nji kërkese të tillë? Efektin bamirës të kësaj eksperience nuk e kam harrue asnjiherë!

Për mue, si viktimë, shtrohet pyetja: Si mundem me ruejtë humanitetin tim në këtë proces, kur më kujtohen fjalët e nji të torturuemi para vdekjes: “Ku ashtë Zoti? Jam në nji gjendje sa me ia pasë lakmi të vdekunit!” Ai u varros në vorr pa shenj. “Rreshterët” do të kenë nji vorr, nji ditë. Të tjerët, na të tjerët, edhe në vorr do të jemi të shkelmuem; “xhelati” përsëri superior…!

Ashtë thellësisht imorale me kërkue nga viktima faljen e fajtorit, sidomos nga ata që nuk kaluen nëpër eksperiencën e viktimës. Xhelati nuk ka pasë guximin moral me kërkue falje, hapi i parë që pranon krimin e kryem. Dhe pa këtë “hap”, falja e fajit nuk do të vijë kurrë, aq ma pak pajtimi kaq shumë i nevojshëm.

Kjo ashtë gjendja që kemi sot në Shqipëri. Nji “nyje gordiane”! Le të bahen deklarata, thirrje, mbledhje e tubime, fjalime e premtime individuale e shtetnore: asgja nuk ka peshën morale të nevojshme me zgjidhë këtë “nyje”.

Vetëm viktima! Të gjithë ata të mjerë që u rrahën si kali me dru, me kamxhik e me zinxhirë hekuri, ata që vdiqën nga uria të vetmuem në qelitë e errëta të Sigurimit, ata që u poshtnuen aq shumë, sa që kishin turp me mbijetue dhe e thirrshin vdekjen “si kapak florini”, vetëm ata mund të flasin për falje, vetëm ata kanë të drejtën me iu përgjegj pyetjes për “falje”.

Terrori komunist në Shqipëri na ban të gjithëve me turp, sepse nuk ashtë nji krim që damton vetëm viktimën e kombin tonë, por të gjithë njerëzimin e qytetnuem, të vetmen racë njerëzore, pjesë e pandame e së cilës jemi edhe ne.

Ndëshkimi i fajtoreve dhe nji shkallë drejtësie duhet me shqyrtue “problemin e faljes”, dhe eventualisht “të pajtimit”. Nëse sot gjendja e trajtimit komunist në Shqipëri vazhdon, atëherë duhet të përgatitemi me përballue nji katastrofë të dytë nesër.…

Pa drejtësi nuk vjen pajtimi, nuk gëzohet paqa e vërtetë individualisht dhe kolektivisht. Jo dorëgjanësi, por drejtësi! Dorëgjanësi për ata që refuzuen bashkëjetesën në shoqëninë tonë, nuk ka kuptim. Jeta e jonë nuk vlen ma pak se ajo e tyne. Përkundrazi! Pafajsia e jonë ashtë sot, dhe do të jetë kurdoherë, autoriteti ma i naltë moral.

Kjo pafajsi na detyron me luftue politikisht kundër kriminelëve që e konceptuen, e përgatitën, e filluen, e zbatuen dhe e përkrahen diktaturën gjysmë-shekullore. Profesori Smail Baliq, mbijetues i Sarajevo-s, plotëson:

“Të gjithë ata që tolerojnë akte të këtilla si tortura, poshtënimi dhe vrasja janë pa dyshim fajtorë… Me sjellë kokën në anën tjetër, mund të jetë ma e lehtë, por përfundimisht ashtë rruga drejt katastrofës, rrjedhimet e së cilës janë të pallogaritshme”.

Ajo që na mbetet sot ashtë ruejtja e “kujtesës” për viktimën; ashte dhurata e vërtetë e hirit tonë për ata. “Askush nuk guxon me vue viktimën në pozitën e pamundun morale me falë fajin- që nënkupton të mijëra viktimave… Nji vendim i këtill ven viktimën në nji pozitë plot ankth…

Ashtë viktimizimi i dytë i saj” (Profesor Eugene J. Fischer, filozof) Do të ketë gjithmonë persona që nuk falin…I torturuemi nga Nikaragua, Tomas Borge, i tha xhelatit: “Ndëshkimi i im i fundit ashtë me të falë!” Sidoqoftë, ajo që ka peshë ashtë se çdonjeni nga ne që nuk ka kalue përvojën tonë e ka të pamundun me na kuptue plotësisht.

A ka mundësi që xhelati të kryej nji akt të mirë për viktimën, si p. sh., me denoncue krimin e kryem nga ai ose institucioni që ai ka shërbye? Nëse jo, pendimi nuk ashtë i sinqertë, e falja e tij nuk ka vlerë, as kuptim.

Sot, 25 vjet mbas ramjes së komunizmit, në Shqipëri të paktë, shumë të paktë, janë “fajtorët” që kanë kërkue faljen. Kjo ashtë “nji tragjedi e dyfishtë shqiptare!” Na vuejmë nga mkatet e komplicitetit dhe të mohimit, ose të tregimit jo të plotë. Mohimi lejon krimin me zanë rranjë e me u zhvillue.

Ata që flasin e shkruejnë mbi “Të keqen” e madhe të së kaluemes, na ndihmojnë me jetue…. Të çliruem nga ky detyrim moral, na ndihmon me iu dedikue drejtësisë dhe mëshirës, dy rrugët që na bajnë krenarë për qenien tonë njerëzore. Ka mundësi që krimineli komunist nuk ashtë i aftë me kuptue enormitetin e krimit të tij, dhe kjo spjegon përse ai nuk kërkon ndjesë.

Në këtë rast, si të spjegojmë përpjekjet e tia të vajtueshme “me mohue” të kaluemen e tij që mori medalje mbas medaljes për “besnikëri” ndaj Sigurimit të Shtetit? Në mendjen e tij të ngushtë, ai shfajësohet se ka “zbatue ligjin” “Gjithherë simbas ligjit”! Kështu shprehet edhe gjykatsiekzekutuesi me litar (i dekoruem!) i poetit kuksian Havzi Nela, autor i nji poemi kushtue lirisë së mohueme.

Cili ligj parashikon dënimin me vdekje në litar për shkrimin e nji poemi? Aktori i krimit, qoftë me “urdhën nga lart”, qoftë si akt vullnetar, nuk shfajsohet… Krimi ka nji emen: ashtë emni i ekzekutuesit, cilidoqoftë ai ose ajo. Shtrohet problemi i “frikës”. Nji sistem që frikëson ata që ndigjojnë zanin e ndërgjegjes ashtë, për natyrën e tij, i paligjshëm, i pamoralshëm.

Megjithatë ka zgjidhje: janë “ata që guxuan” me kundërshtue, ose me refuzue zbatimin e urdhënit. Nji shembull: në vitin 1944, “Komandanti” E. Hoxha dërgonte nji listë me 30 emna qytetarësh tiranas me instruksione të vriten “pa zhurmë”. Marrësi, Gogo Nushi, që përfaqësonte PKSH në Tiranë studjon listën dhe nuk gjen asgja komprometuese me personat në listë. Mbas këshillimit me Nako Spirun, vendosen “mos me u bindë”.

Kështu shpëtuen jetën e 30 qytetarëve të pafajshëm. Unë besoj ashtu si miljona të tjerë, se falja e fajit ashtë hyjnore. Edhe Krijuesi ndëshkon e fal fajet tona; por Ai nuk urren, tregojnë shkrimet e shenjta.

Asnjeri s’ka të drejtë me falë krimet e kryeme në kurriz të tjetrit. Ashtë e papranueshme me pretendue se çdonjeni nga ne mund të falë fajin për vuejtjet e tjetrit. Simbas traditës hebraike, Krijuesi vetë mund të falë mkatet e bame kundër Tij, por jo kundër njerëzve (A, J, Heschel, ideolog e filozof hebre).

Nga Indianët e Amerikës kam lexue: “Mos u ban aq injorant, budalla e antinjerëzor sa kundërshtarët…. Ti duhet të mësosh urtinë që të lejon me u çlirue nga helmi i mbledhun”. Shkrimtari italian, Primo Levi, rrfehet: “Sado që përpiqem me harrue ose me dënue …faji i parë mbetet, dhe çmimi që pagujmë ashtë përherë -edhe kur ashtë i drejtë- nji faj i ri dhe nji burim dhimbje të re” Çka mbetet për ne?

Para së gjithash, me përbuze urrejtjen dhe me përqafue drejtësinë! Me ndihmue viktimën – kudo qoftë- dhe me çlirue të shtypunin. Të paisun me arsye dhe ndërgjegje të forcojmë frymën e vëllaznimit në marrëdhanjet njeni me tjetrin.

E vështirë, shumë e vështirë, por fisnike. Por Shqipëria nuk ashtë pronë e jona; ajo ashtë atdheu- nanë i të gjithë shqiptarëve. “Dhe me veprime të këtilla ndoshta, përsëri ndoshta, do të lindë nji botë e re ku nuk kërkohet nga ne me dhanë përgjigje për pyetjet tona” (Profesor R. McAfee Brown,Stanford U.). Kështu do të ruejmë fisnikrinë e rezistencës sonë pa u përlye me njollën e fajit.

*Titujt janë të redaksisë:

Titulli i autorit: DOMOSDOSHMËNIA E “RINDËRTIMIT MORAL” TË SHOQËNISË SHQIPTARE

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura