EKSKLUZIVE/ “Ndiqni nusen e Bashkimit se mos del spiune”- Zbulohet raporti sekret për familjarët e Mehmet Shehut. Ministri: Ajo vishet me fustan të çarë dhe…

Oct 31, 2019 | 20:30
SHPËRNDAJE

Enver-Hoxha-mehmet shehu-spiune-raporti-sekretAFRIM IMAJ/ I tronditur nga ato që mësoi në zyrën e Enver Hoxhës për çështjen e fejesës së pamenduar të djalit të Mehmet Shehut, Feçor Shehu doli në mesnatën e 21 shtatorit ‘81 nga zyra e kryeshefit, i bindur se kishte humbur shumëçka në besimin e këtij të fundit.

As më pak dhe as më shumë, kreu i regjimit e kishte shigjetuar fort dhe prerë ministrin e Brendshëm për tri faje të rënda: Së pari, që nuk ia ka thënë Mehmetit të heqë dorë nga krushqia me Turdiun si vajzë e një familjeje me të arratisur politikë. Së dyti, që nuk e ka vënë në dijeni atë kur ka marrë vesh celebrimin e lidhjes. Dhe së treti, që nuk ka dhënë asnjë informacion tek udhëheqja e Partisë kur Tirana ziente për këtë ngjarje të bujshme. Sakaq, Hoxha ka gjetur rastin dhe e ka fajësuar ministrin e Brendshëm se nuk i ka raportuar edhe për “paudhësitë” e djalit tjetër të Kryeministrit, Bashkimit, i cili, bashkë me të shoqen, shfaqen në Tiranë në shoqërinë e të huajve.

Përveç se kaq, Hoxha, gjatë bisedës, ka konsumuar të tjera informacione për “profilin e shthurur” të fëmijëve të Kryeministrit, të siguruara nga burimet e veta, që e kanë gjetur zbuluar kreun e Sigurimit, i cili e kishte detyrë parësore raportimin te shefi i tij për çështje të tilla që kishin të bënin me “pastërtinë” e figurës së lidershipit. Një fakt i tillë për Feçor Shehun nuk do të thoshte thjesht një tërheqje vëmendje, po shumë më tepër se kaq. Pas atyre çasteve kritike në zyrën më të rëndësishme të regjimit, ministri i Brendshëm, me të drejtë, e shihte veten në syrin e ciklonit. E, siç kishte mësuar nga përvoja, kjo nuk kishte të bënte thjesht e vetëm me sakrifikimin e karriges.

Prandaj, mendoi të thellohej në informacionet për ato që ceku Enveri në bisedë dhe të rikthehej tek ai, duke i ofruar një tablo më të plotë rreth tyre dhe njëherazi t’i binte dhe një herë në gjunjë për mungesat që i kishte lejuar vetes. Telefonoi në kabinetin e Hoxhës që të nesërmen për një takim të dytë, por Haxhi Kroi, eminenca e kreut të regjimit, sipas porosisë së këtij të fundit, i vuri në dukje se shefi e priste në zyrë në datën 24 shtator. Shehu, në ditën e caktuar, u paraqit te Hoxha duke u përpjekur t’i tregojë se kishte reflektuar thellë dhe këtë radhë kishte siguruar një informacion shumë më të bollshëm.

Por nga aq sa rezulton në dokument, ministri i Brendshëm, përveç ndonjë detaji të veçantë e të parëndësishëm për çështjen, nuk ofron diçka me interes për shefin e tij. I vetmi episod që Hoxha dëgjon për herë të parë, është vizita e aktorit të njohur Rikard Larja në shtëpinë e Mehmetit. Por si rrodhi takimi i 24 shtatorit ‘81 i Shehut me Hoxhën dhe çfarë ndodhi më tej me ministrin e Brendshëm….

 

TAKIMI NË ZYRËN E SHOKUT ENVER HOXHA ME MINISTRIN E BRENDSHEM, FEÇOR SHEHU, MË 24.9.1981

Feçor Shehu kërkoi këtë takim për ta informuar Enverin për ndërhyrjen e bërë për lirimin pa të drejtë nga burgu të kunatit të Bashkim Shehut si dhe për takimet e palejueshme që bën ky dhe bashkëshortja e tij në lokalet publike me të huajt.

FEÇOR SHEHU: Kërkova sot këtë takim me ju, shoku Enver, për t’ju informuar mbi ngjarjen që ka ndodhur në Durrës sesi është liruar nga burgu vëllai i nuses se Bashkim Shehut. Në korrik të vitit 1979, vëllai i nuses së Bashkim Shehut ka shtyrë një polic që ishte me shërbim në plazh, për arsye se polici nuk e lejonte këtë për të luajtur me top në rërë. Atëherë, kunati i Bashkimit e ka shtyrë policin me mendjemadhësi. Për këtë arsye, dega e Durrësit e ka ndaluar për t’ia dhënë Gjykatës për gjykim, siç e ka në kompetencë. Pas kësaj ngjarjeje, Edmond Sanxhaktari, kushëri i Fiqrete Shehut, që është instruktor në KQ, ka ndërhyrë…

ENVER HOXHA: E di, e di, ky është kushëri i Fiqretit.

FEÇOR SHEHU: Edmondi, pra, shkoi në Durrës dhe i ka thënë kryetarit të degës së brendshme se me porosi të shoqes Fiqret, vëllai i nuses në Bashkimit të mos ndiqej penalisht, por të lirohej. Kjo është në kompetencën e Gjykatës, i ka thënë kryetari…

ENVER HOXHA: Mirë i qenka përgjigjur kryetari, drejt paska vepruar ai.

FEÇOR SHEHU: Atëherë, Edmondi i është drejtuar shokut Arianit Çela dhe siç më ka thënë kryetari i degës, ai ia mbushi mendjen atij, pastaj shkoi e i komunikoi kryetarit të degës së Durrësit, se dhe Arianiti ishte dakord me kërkesën për lirimin e kunatit të Bashkim Shehut. Rrjedhimisht, atë e liruan. Më e rënda pastaj, për mendimin tim, është se përveç ndërhyrjes, jashtë burgut ishte duke pritur makina-gaz e Grupit të shoqërimit të shokut Mehmet, që kishte brenda edhe të shoqen e Bashkimit. Bashkë me këtë kishte shkuar dhe një shoqërues. Dhe që të tre këta prisnin të merrnin të burgosurin. Oficeri i rojës së degës, i revoltuar me të drejtë, informoi kryetarin e degës, sepse u habit nga një veprim i tillë.

ENVER HOXHA: Në asnjë rast nuk na lejohet të mbyllim sytë ndaj të tilla dukurive.

FEÇOR SHEHU: Përveç të tjerave, gjatë punës sonë na doli se e shoqja e Bashkimit, në disa raste, ka shkuar në mënyrë të çrregullt në hotel “Adriatik” në Durrës, që frekuentohet nga të huajt. Ne bëjmë punën tonë dhe në asnjë rast nuk survejojmë të shoqen e Bashkimit.

ENVER HOXHA: Survejojeni dhe këtë se duhet.

FEÇOR SHEHU: Ne survejojmë francezin, shoku Enver.

ENVER HOXHA: Ju survejoni francezin, po duhet të shikoni se kush nga njerëzit tanë bisedon me të.

FEÇOR SHEHU: Gjatë këtyre rasteve është diktuar se e shoqja e Bashkimit nuk është takuar me të huaj, por ama ata e kanë parë në sy njeri-tjetrin. E shoqja e Bashkimit e shikon francezin dhe ky e shikon atë. Të bën përshtypje fakti se hedhja e syve në mënyrë të theksuar është diktuar edhe katër-pesë herë të tjera dhe jo vetëm në hotel, por edhe kur fëmijët e shokut Mehmet marrin motoskafin për të shëtitur në det. Edhe në këto raste, këta janë avitur atje ku qëndrojnë të huajt, sidomos njërin nga francezët që ne e kemi në përpunim që vete ditaditës në një vend të caktuar. Nusja e Bashkimit vete me fëmijët në këtë vend, po të huajt e shikojnë, bile të dyja palët kalojnë pranë njëri-tjetrit. Gruan e Bashkimit e kanë parë nja katër-pesë herë të sillet me të huajt në park.

ENVER HOXHA: D.m.th., dhe në park qenkan pjekur me njëri-tjetrin.

FEÇOR SHEHU: E shoqja e Bashkimit ka shkuar në park me fëmijët dhe shoferin dhe atje është ulur në një stol. Më vonë ka ardhur aty dhe francezi, i cili është ulur aty pranë në një stol tjetër. Pra, këto koincidenca nuk mund të mos lidhen me njëra-tjetrën. Në këto raste, punonjësit tanë druhen të informojnë. Unë mendoj që shokut Mehmet duhet thënë që ta mbledhë një çikë nusen e djalit, se po na ra në rrjetën e të huajve, do ta kemi zor të mos veprojmë kundër saj.

ENVER HOXHA: Mehmeti është shok i vjetër, po siç shihet ka dhe dobësira.

FEÇOR SHEHU: Më falni tani edhe për diçka tjetër. Kjo nusja e Bashkimit, Marjetë e quajnë, nuk vishet as në rregull. Vishet me fustan të çarë si ato të kinezëve. Bluzën ndonjëherë e lidhe me një kokë që të bën përshtypje, aq sa edhe të huajt e shikojnë me vërejtje. Nga studimet që i kanë bërë njerëzit tanë dosjeve të disa të huajve, ata thonë se kjo vajzë është e bukur, liberale dhe shprehje të këtij lloji. Kjo sjellje e kësaj vajze të çon pastaj gjetkë. Kam dëgjuar të flitet që kjo vajzë ka probleme të tilla dhe nga familja, babai thonë që është…

ENVER HOXHA: Bëmë baba të të ngjaj, thotë populli

VIJON

 *Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

1- EKSKLUZIVE/ “Djali shkonte me një k*rvë, e njohur në gjithë Tiranën”- Zbulohet dosja sekrete në kasafortën e Enverit, zbardhet biseda me Mehmet Shehun pas fejesës me Silva Turdiun

2- EKSKLUZIVE/ Zbardhet ditari sekret i Enverit, përplasja e fortë me Mehmet Shehun për fejesën e djalit me Silva Turdiun: Sa u lirua nga burgu çau ferrën, Arshi Pipa armiku më i poshtër dhe agresor ka lidhje me…

3-  EKSKLUZIVE/ Zbardhen diskutimet sekrete mes Enver Hoxhës dhe Hekuran Isait: Faj ka dhe Fiqireti. Nusja e djalit të Mehmetit merrte ushtarakët në motoskaf, rrinte këmba mbi këmbë me cigare në gojë dhe lahet në det para…

4- “Erdhi dhe më qau në zyrë”- Zbardhet ditari sekret i Enverit: Mehmeti s’pyeti as Nexhmijen dhe as mua për fejesën me Silva Tudiun. Djali kishte lënë tre çupa, skandalet i mora vesh nga…

5- EKSKLUZIVE/ “Fiqreti që hiqet si parimore, ka bërë skandale”, zbulohet ditari sekret i Enverit për takimin e dytë me Mehmetin: Sigurimi e lajmëroi për Silva Turdiun

6- EKSKLUZIVE/ “Nga ndarja, te vetëvrasja”- Zbardhet ditari sekret i Enverit për takimet kokë më kokë me Mehmetin: Tre skenarët për fejesën me Silva Turdiun

7-  DOKUMENTI SEKRET/ “Foton time me Silva Turdiun mund ta marrë CIA”, debati i Enverit me ministrin: Flasin keq për gruan e Bashkimit. Edhe të ishte yll ajo, nuk duhet ta….

Faksimile=pergjimi=gruaja-bashkimit-Enveri

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura